Dekorimi ballistëve, Petro Koçi: President ballist. Nishani: Urrejte staliniste

Politikë

presidencaaKonflikti i vazhdueshëm Presidencë-Mazhorancë, ka gjetur si shkak për t’u rindezur sërish, dekorimin nga kreu i shtetit i 67 pjestareve të Ballit Kombëtar ekzekutuar në vitin 1943 nga partizanët në Lushnje.

Me një gjuhë të ashpër, Presidenca ka reaguar duke hedhur poshtë të gjitha sulmet dhe provokimit e adresuara, sipas saj, nga nostalgjikët enveristë të diktaturës më të egër dhe të urryer të pasluftës së Dytë Botërore në Evropë, Diktaturës Hoxhiste.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Kujtimi dhe dekorimi i 67 nacionalistëve të ekzekutuar nga dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë, është një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Por duket se kreu i shtetit, nuk ka akuzuar historianët, por nominalisht Kabinetin Qeveritar. Edhe pse nuk ka përmendur emra, bëhet fjalë për Zv.Ministrin e Mbrojtjes Petro Koçi, i cili me anë të një statusi në Facebook ka komentuar dekretin e Nishanit.

“President ballist. Dekorimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit thikë pas shpine dhe tradheti ndaj Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare!”, shkruan Koçi.

E këtij statusi, presidenca i ka kushtuar një paragraf të tërë: “Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron të papranueshme ringjalljen e urrejtjes staliniste, veçanërisht kur ajo vjen nga anëtar të Kabinetit Qeveritar të një vendi anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian.”

Më tej, Presidenca liston një sërë krimesh të kryera nga regjimi komunist që nga vrasja e intelektualëve, klerikëve, arrestimet e internimet, duke bërë dhe një apel për klasën politike.

“Ky realitet shqetësues tregon se sa shumë është dëmtuar shoqëria shqiptare nga mos hetimi dhe mos dënimi i krimeve të komunizmit, si i vetmi vend ish-diktatorial që nuk e ka kryer këtë proces”, vijon Presidenca.

Por pas reagimit të Presidencës, Petro Koci, po me anë të një postimi në Facebook, ka sqaruar qëndrimin e tij, duke sulmuar sërish Presidentin Bujar Nishani.

“Rreshtimi i Presidentit në radhët politike të Ballit Kombëtar është një akt anti-nacionalist. Kjo dëshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish-bashkëpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi nga fajet dhe krimet e komunizmit. Të jesh kundër dekorimit të bashkëpunëtorëve të pushtuesit nuk të bën komunist. Anti-ballistët nuk janë patjetër komunistë apo bolshevikë. Ashtu si anti-komunistet nuk janë të gjithë ballist. Presidentin ballist e kemi dhurate nga Sali Berisha”, shkruan Koçi.

ME TE LEXUARAT