Rrëfehet Eljo Hysko i FRESSH: Ja batuta pikante e Braçes pas fitores sime

eljo-hyskoEljo Hysko është kryetari i ri i FRESSH-it. 23-vjeçari ka fituar zgjedhjet e 22 tetorit, duke marrë kështu edhe postin e rëndësishëm në Partinë Socialiste.

Në intervistën e tij të parë, dhënë për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Eljo sjell edhe njëherë rrugëtimin e tij deri te ky post. Sipas tij, është në krye të FRESSH-it për të bindur moshatarët që angazhimi është zgjidhja më e mirë. Raportet me shtatë kandidatët e tjerë mbeten të shkëlqyera, duke theksuar se të gjithë i rezistuan tundimit për të dhënë goditje poshtë brezi. Ndan me ne edhe urimet e para nga drejtuesit e PS-së, ku veçon atë më pikantin, të deputetit Erjon Braçe. E në fund, si çdo bashkëmoshatar i tiji, Eljo rrëfen edhe pasionet në të përditshmen e tij, por nuk harron të na thotë se aktualisht është ‘single’.

Eljo Hysko, kryetari i ri i FRESSH-it. Si ju duket teksa e dëgjoni titullin tuaj të ri?

Në fakt unë bashkë me ekipin tim e kemi trajtuar gjithnjë me humor titullin “kryetar”, duke pasur bindjen se nuk është titulli që të bën të drejtosh, sidomos në një organizatë vullnetare siç është FRESSH-i. Për çdo aktivist të forumit unë kam qenë, jam dhe do të mbetem Eljo. Por më duhet ta pranoj që në 23 tetor, teksa shihja titujt e lajmeve apo postimet në rrjetet sociale, ndjeva gëzim, mirënjohje dhe një përgjegjësi të madhe. Pa diskutim ishte dita më e bukur në karrierën time politike.

E prisnit fitoren?

Në këtë garë nisesha i avantazhuar për shkak të rolit tim të mëparshëm si Sekretar i Përgjithshëm, i cili më kishte dhënë mundësinë të njihja të rinjtë në çdo strukturë të vendit, të punoja me ta dhe të fitoja besimin e tyre. Kjo më bënte të kisha besim te fitorja, por në asnjë moment nuk ndalëm së punuari, duke pasur parasysh se përballë kishim eksperiencën e Shpatit dhe ekipit të tij, këmbënguljen e Elsamedit, programin e detajuar të Marinelës, karizmën e Erjos, energjinë e Jonidës dhe Anës si dhe ironinë e Ermalit. Përtej klisheve, mendoj se ne të 8-ë jemi fitues dhe se bashkë me ekipet tona do të ndërtojmë të ardhmen e FRESSH-it.

Si ishin marrëdhëniet tuaja me shtatë kandidatët e tjerë? A ishit aq miq sa dukeshit në foto?

Përpara se të fillonte gara, kemi qenë miq të mirë, ndërsa tani jemi miq dhe koleg të mirë. Asnjëri nga ne nuk e kaloi vijën e kuqe gjatë fushatës, besoj se i rezistuam më së miri tundimit për të dhënë goditje poshtë brezi, gjë e cila na bën sot të gëzojmë respektin e njëri-tjetrit. Unë jam nga ata që besoj se, edhe në politikë mund të ketë miqësi të mira dhe të gjata. Kjo garë e vërtetoi më së miri këtë.

Përse e fituat ju, çfarë ju diferencoi?

Besoj se dy qenë arsyet kryesore të fitores sime. E para, puna e pandërprerë 5-vjeçare në forum, e cila më kishte dhënë fatin të njihja dhe punoja me çdo strukturë të tij. Të rinjtë në forum e dinin tashmë se çfarë mund të beja dhe se sa i përkushtuar jam unë ndaj asaj çfarë marr përsipër. Arsyeja e dytë ishte se në këtë fushatë kisha një ekip të palodhur, kreativ dhe pozitiv, i cili për 30 ditë me radhë ka punuar çdo moment për të siguruar besimin dhe votën e anëtarëve të FRESSH-it. Ata janë forca ime me e madhe dhe më duhet të them se ndihem me fat që i kam pranë.

Si shkoi fushata, a bëri Eljo një fushatë të mirëfilltë politikani?

Fushata kishte të gjithë komponentët e një fushate elektorale. Ngritëm një shtab elektoral, i cili koordinonte në nivel organizativ 61 ekipet në 61 bashkitë e vendit në mënyrë që të maksimizonim votën në 22 tetor. Ngritëm ekipin e medias, i cili kujdesej të përcillej mesazhi sa më i qartë te çdo FRESSH-ist nëpërmjet çdo kanali komunikimi. Fushata ime u karakterizua nga një pozitivitet dhe mirënjohje për punën që ishte bërë në forum si dhe u transmetuam të rinjve besimin se mund të bënim edhe më shumë në të ardhmen.

Kush ishte urimi i parë që morët dhe nga kush?

Rezultatin e zgjedhjeve zgjodha ta prisja në shtëpi, pranë familjes, dhe urimin e parë e mora nga mamaja ime. Besoj se nuk mund të kisha urim më të bukur. Më pas u bashkova me ekipin te selia e PS-së, ku ndamë së bashku suksesin e arritur. Këto 48 orë në fakt kanë qenë të mbushura me urime dhe në çdo moment jam duke i shkruar një SMS falënderimi dikujt apo duke iu përgjigjur urimit të dikujt. Është vërtet ndjesi e bukur dhe i jam shumë mirënjohës gjithsecilit për çdo gjë që bëri në këtë garë.

Morët urime nga politikanët e PS-së, kryetari Rama, Elisa dhe Pandi?

Mora urime nga të gjithë drejtuesit, deputetët dhe ministrat e PS-së dhe FRESSH. Në fakt jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin në familjen tonë politike. Për sa u përket urimeve të kryetarit, Elisës dhe Pandit, ato ishin të përbashkëta për të 8-të.

Cila ishte më pikantja?

Pati disa të tilla, por më e veçanta ishte ajo e Braçes, i cili më cilësonte si një “prodhim vendi” të PS-së dhe më krahasonte me Locatellin, një nga yjet e reja të Milanit, i cili ka ardhur nga akademia e të rinjve. E thënë nga një juventin i zjarrtë si ai, vlen shumë për mua.

A pati një politikan që s’e kishte me sy të mirë kandidimin tuaj?

Nuk e di cili politikan nuk më kishte me sy të mirë. Nëse ka pasur, e ka fshehur shumë mirë si ndjesi.

A jeni gati për drejtimin e kësaj strukture? Nga do t’ia nisni?

Besoj se jam gati për të drejtuar këtë strukturë, sepse ndryshe nuk do hyja në garë. Jam rritur në FRESSH dhe e di se për çfarë ka nevojë ky forum. Hapi i parë është ndërtimi i strukturave në çdo degë të forumit, dhe më pas përcaktimi i një programi në nivel lokal ku do të bazohet aksioni politik dhe social i FRESSH-it.

Përtej platformës, për çfarë ka nevojë rinia shqiptare?

Rinia shqiptare ka nevojë për më shumë punësim, për më shumë cilësi në arsim, për më shumë investim në kulturë, për më shumë promovim të modeleve të duhura. Rinia shqiptare meriton më shumë, pasi ajo ka energjinë, vullnetin dhe talentin e duhur për të bërë mirë.

Modelet e mëparshme drejtuese, a do t’i ndiqni?

Unë vlerësoj dhe respektoj punën dhe kontributin e gjithsecilit në drejtimin e FRESSH-it, por mendoj se modeli i drejtimit të forumit do të jetë i ndryshëm nga të mëparshmit dhe do të bazohet mbi idetë dhe vizionin që ndajmë ne si ekip.

A ju ka ndihmuar Turi, vëllai juaj, përgjatë këtij rrugëtimi?

Turi nuk më ka ndihmuar fare (qesh).

Çfarë kërkon një 23-vjeçar në politikë?

Një djalë i ri 23 vjeç në politikë do mundohet të përfaqësojë sa të mundet interesat e moshatarëve të tij, duke u bërë zëri i tyre, por edhe duke u munduar t’u krijojë bindjen që angazhimi është zgjidhja më e mirë.

Cili është Eljo kur s’është kryetar i FRESSH-it; pasionet e tua?

Kam vetëm tri ditë në krye të FRESSH-it, por jam një 23-vjeçar i thjeshtë, me pasione, ëndrra e dilema, si çdokush tjetër në moshën time. Pasionet e mia janë udhëtimi, stand up comedy (t’i shoh), futbolli dhe, sigurisht, ushqimi (ta gatuaj dhe ta ha).

A jeni në një lidhje?

Jo, nuk jam në një lidhje momentalisht.

Ju janë shtuar propozimet?

Siç thashë, kam vetëm tri ditë në krye të FRESSH-it. Nuk besoj se ka ndryshuar ende diçka.

Cila është një politikane simpatike për ju?

Besoj në politikë një femër e bën simpatike ajo se çfarë bën dhe jo paraqitja e saj. Në të dyja rastet, politika shqiptare ka shumë të tilla, dhe unë dua të nxis edhe më shumë vajzat dhe gratë shqiptare që të përfshihen në politikë, pasi jam i bindur që do të sjellin edhe më shumë emancipim dhe progres në politikën shqiptare.

Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

samaras

Samaras: Greqia është aq dobët sa edhe Edi Rama po e sfidon!

Ish-kryeministri grek Antonis Samaras, në një intervistë për gazetën “Vradini”, pavarësisht se ...