Blushi iu kërkon ndihmë qytetarëve, ja për çfarë ka nevojë kryetari i partisë më të re

Politikë

blushi2016Deputeti i sapo larguar nga Partia Socialiste, Ben Blushi pas takimeve me qytetarë në zona të ndryshme të Shqipërisë, tashmë kërkon ndihmë për mënyrën sesi do të organizohet forca e re politike që ai do të krijojë.

Blushi pyet qytetarët për mënyrën sesi mendojnë se duhet të organizohet, si do të funksionojë, duek e cilësuar një shtëpi të hapur për të gjithë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Shkrimi i Blushit

Të nderuar miq!

Prej disa muajsh, bashkë me shumë kolegë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, po përpiqemi për krijimin e një Projekti të ri politik. Ne duam t'i japim vendit një mjet më shumë në luftën kundër varfërisë, padrejtësisë dhe pabarazisë. Ajo që ëndërrojmë është një platformë lirie, e cila bashkon qindra mijëra vullnete njerëzish të zakonshëm, duke u krijuar atyre hapësirën e duhur për modernizimin e Shqipërisë.

Deri më sot kemi pasur parti, por nuk kemi pasur platforma lirie. Kemi pasur lëvizje, por nuk kemi pasur zhvillim. Kemi pasur mendim, por nuk kemi pasur ide. Kemi pasur pluralizëm, por nuk kemi pasur demokraci.

Ne, një grup shqiptarësh të lirë, kemi vendosur të krijojmë diçka që nuk e kemi pasur. Një projekt politik njerëzish të barabartë, që nuk shkojnë pas një njeriu, por pas një ideje. Duke ju kërkuar të bëheni pjesë, ju ftoj të gjithëve ta krijojmë bashkarisht këtë Projekt. Secili është i lutur të më shkruajë: Çfarë do donit nga një organizatë politike? Si duhet të organizohet ajo? Cilat shtresa duhet të mbrojë? Në çfarë pikëpamjesh duhet të bazohet? Si mund të vetëkorrigjohet? Çfarë marrëdhëniesh duhet të ketë me partitë e tjera? Kush duhet të jetë pjesë e saj? Kush nuk duhet të jetë në asnjë rast pjesë e saj?

Nëse doni të krijoni një shtëpi të re, besoj se kjo është dita për të skicuar arkitekturën e saj. Nëse e keni për herë të parë, aq më mirë! Do të thotë se jeni më të përgatitur. Por edhe nëse nuk është hera e parë, prapë shumë mirë. Projekti ynë politik do të jetë një Shtëpi e hapur për të gjithë, për të gjithë ata që duan të shohin atë çfarë vjen dhe jo atë që ka ikur. E shkuara vlen vetëm kur përdoret nga e ardhmja!

ME TE LEXUARAT