“Mocion mosbesimi”, Blushi: Nëse ka mundësi për ta rrëzuar këtë qeveri, unë votoj pro

Kliko per me shume info

blushi-emisionBen Blushi pritet që pas disa ditësh të prezantojë projektin e tij politik, për të cilin është folur ditën e fundit. Ndonëse fillimisht u tha se do të kishte emrin “Lista”, ai sqaron se do të ketë një tjetër emërtim. Por ndonëse nuk pranon të japë më shumë detaje nga ky projekt politik, Ben Blushi sqaron qëndrimet e tij politike dhe idetë që kërkon t’i vërë në zbatim.

I ftuar në studion e “News 24”, në emisionin “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili, Ben Blushi i është përgjigjur pyetjeve të opinionistëve Robert Rakipllari dhe Alfred Lela.

Kliko per me shume info

Deputeti Blushi sqaron edhe arsyet e largimit të tij nga PS, mundësitë për një rikthim në këtë parti, apo koalicionet e mundshme me partitë e tjera, të vogla apo të mëdha, në zgjedhjet e ardhshme në vend.

INTERVISTA
Eni Vasili: Një javë më parë këtu ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që bëri edhe artikulimin e tij të parë në lidhje me largimin tuaj nga Partia Socialiste. Nuk e di nëse e keni ndjekur? Nëse jo unë po e ritransmetoj… Në vazhdim ju thatë që po përgatisnit dy libra, një për errësirën dhe një për dritën. Cila është errësira dhe cila është drita?

Ben Blushi: Në radhë të parë po them se jam këtu, jam këtu për shkak se bashkë me një kolegen time deputete, por dhe me shumë të tjerë kemi vendosur të dalim nga Rilindja, të dalim jo vetëm “de fakto” por edhe “de juro”, për arsye që nuk vareshin nga unë dhe zonja Hafizi, ne vendosëm të divorcoheshim me një parti ku kishim qenë për 20 vite në kushtet kur ajo pushoi së qeni një parti demokratike, në të cilën hyn me vullnet të lirë për sa kohë beson tek një program dhe tek njerëzit që janë aty. Në rastin tonë ky besim u shua me kalimin e kohës. Dua të kujtoj që nën poshtërimin e Rilindjes dhe me një kërkesë meskine dhe frikacake të Edi Ramës u mor vendim personal për mua meskin për të më hequr të drejtën e garës. Kjo ndodhi 6 muaj më parë. Partia më e madhe në Shqipëri u mblodh për të vendosur se Ben Blushi nuk ka të drejtë të garojë për kryetarin e Partisë Socialiste.

Eni Vasili: Kemi qenë në këtë studio kemi folur gjatë…

Ben Blushi: Po kjo është një nga arsyet më themelore që vendosa të iki, çka nuk ka ndodhur kurrë, që një parti të marrë vendim që dikush nuk ka të drejtë gare.

Eni Vasili: Opinionin e kryeministrit e dëgjuat. Çfarë mendoni, e pyeta për largimin tuaj, tha s’keni bërë asnjë punë…

Ben Blushi: Edi Rama nuk ka kapacitetin për të vlerësuar punët me të cilat unë jam marrë, por sigurisht një nga punët që unë kam bërë është fakti që është aty ku është . Kjo është e vërtetë.

Eni Vasili: Që do të thotë?

Ben Blushi: Një nga punët që unë kam bërë në jetë i ka prirë si të thuash Edi Ramës, sepse edhe për shkakun tim është aty ku është edhe në politikë edhe si kryetari i PS. Nuk ka kapacitet për të vlerësuar këtë gjë dhe unë nuk dua t’i hy këtij debati. Nuk kam asnjë interes të bëj debat me anëtarët e Rilindjes, por diçka sigurisht mund ta them. Dikur kur e pashë thashë me vetë çfarë sovjetiku është ky, që mendon edhe se librat e një shkrimtari janë produkt i partisë. Se këtë mendon. Vetëm në kohën e Partisë së Punës ata që drejtonin këto idiotësira thoshin shkrimtarët janë produkt i partisë. Kështu foli edhe Edi Rama, sigurisht është një njeri shumë i vjetër. Unë kam dalë për ta mundur atë dhe të gjithë ata që janë si ai. Është tmerrësisht i vjetër ka 18 vite në politikë dhe kam përshtypjen është duke na lodhur të gjithëve.

Robert Rakipllari: Nëse ju thatë që s’ka kapacitet për të gjykuar punët tuaja, të paktën një ndjesë publike duhet ta bëni që keni luftuar me të nja 10 vite që të bëhet kryeministër…Nëse ka pasur kaq pak kapacitet i bie të keni gënjyer ju?

Ben Blushi: Nuk kam dalë për të bërë bilancin e ndereve që kam bërë…

Robert Rakipllari: Nuk është nder ai…Po në raport me interesin publik a ke ndonjë përgjegjësi?

Ben Blushi: Interesit publik i thashë që po iki nga një ndërmarrje private. Ditën që konstatova se ajo u kthye në ndërmarrje private dhe ky u bë drejtor i ndërmarrjes, unë jam duke mbrojtur interesin publik, jo vetëm duke folur por edhe duke vepruar.

Robert Rakipllari: Po një “mea cupla” që ke ndihmuar që ai të bëhet kryeministër?

Ben Blushi: Kjo është një mënyrë gazetareske për të deformuar atë që thashë. Ajo për të cilën jam përpjekur dhe nuk bëhem pishman, është që partia ku isha të vijë në pushtet. Nuk kam kërkuar që një njeri të bëhet kryeministër dhe të privatizojë partinë.

Robert Rakipllari: Brenda PS thuhet se juve e bëni këtë se nuk keni qenë në ekipin e zotit Rama për të qeverisur vendin…

Ben Blushi: Zoti Rama ka qenë në ekipin tim. Në fakt ditën kur e kam marrë, po nuk dua se i takojnë një faze më të shtyrë të jetës sime. Nuk kam shumë kohë të merrem me Edi Ramën se është humbje kohe

Robert Rakipllari: Po Edi Rama është kryeministër i vendit…

Ben Blushi: Dua të flas për projektin tim zotëri. Ky i tiji është një projekt i dështuar ku nuk bëj më pjesë.

Alfred Lela: Një grupim ish kolegësh, miqsh flasim për zemërimin tuaj, këtë lloj distance, sulmi e keni bërë se Rama s’ju ka dhënë postin e një ministri…

Ben Blushi: Për njerëzit që më njohin, e dinë që unë kam ikur në përgjithësi nga punët që kam pasur. Në vitin 2017 kam qenë kryetar i grupit parlamentar dhe ika, nuk më konkurronte njeri.

Alfred Lela: Kush donte ta zinte vendin?

Ben Blushi: Askush nga ata. E lashë për moral. Siç kam qenë disa herë për të ikur nga qeveria. Këta që më kujtojnë punët, dua t’ju kujtoj se Rama ka që nga viti 1998 që është vetëm në pushtet, 18 vjet. 18 vjet barrë. Kë përfaqëson? Shekullin e kaluar, është i vetmi kryeministër që qeveris që nga shekulli i kaluar, nuk ka në Europë. Është po aq i vjetër sa Saliu. Ky është një debat i mbyllur, nuk dua të bëj debat me punëtorët e Edi Ramës në ndërmarrjen Rilindja.

Alfred Lela: A do ta falni edhe një herë të tretë Edi Ramën?

Ben Blushi: Ky është muhabet domino, nëse Edi Rama më shkel një ditë këmbët dhe më bën të dyja këpucët pis natyrisht që do ta fal.

Alfred Lela: Po flasim për falje politike…

Ben Blushi: Unë jam futur në një projekt të ri politik, i cili ka qëllimet e veta. Nuk është projekt personal që unë të vendos gjithçka. Ky projekt sa ka filluar, unë nuk mund të bëj asnjë parashikim se çfarë do bëjnë të tjerët. I vetmi parashikim që mund të bëj është se si do sillem unë të paktën në 6 muajt e ardhshëm deri në zgjedhjet 2017. Nuk më intereson asnjë nga komshinjtë e mi politik

Alfred Lela: Po bëjmë një parashikim, në Qershor korrik a do pranoni ju një aleancë me zotin Rama?

Ben Blushi: Bëjmë çfarë parashikimesh të doni, Por po ju them se ky projekt politik akoma nuk është publik. Kam 3 apo 4 muaj që nga qershori që kam vendosur të iki nga Rilindja. Ne jemi një grup i madh me shumë shqiptarë të zakonshëm, njerëz të lirë në një kuptim.

Eni Vasili: Sa shumë mund të kemi një ide?

Ben Blushi: Nuk ka rëndësi të të them nga 1 mijë deri dy mijë. Po them se jemi shumë njerëz për të krijuar një program të ri politik që do ta shpallim shumë shpejt. Nuk është vendimi im por vendimi një grupi të madh njerëzish prandaj unë nuk e di çfarë do bëjmë në 2017. Ajo që unë di është se për çfarë do qëndrojmë ne, çfarë do mbrojmë, cilat shtresa të shoqërisë do apelojmë, çfarë politikash ekonomike do ndjekim, si do organizohemi. Vetëm pas këtyre gjërash do shohim raportin me partitë e tjera, të cilat sot nuk janë në fokusin tonë.

Eni Vasili: Duhet ta keni një ide se çfarë do bëhet me partitë e tjera…Duhet të ketë një lloj koherence në rast se ju thoni se Edi Rama është një e keqe kaq e madhe..

Ben Blushi: Ky nuk është vendimi im është një lëvizje…Nëse do kisha një votë nuk do ta jepja që Edi Rama të jetë sërish kryeministër, në asnjë rast. Kjo është e sigurt. Në parlament apo jashtë parlamentit nuk do ta jap kurrë.

Alfred Lela: Nëse ka një mocion mosbesimi për qeverinë ju do jepni votën?

Ben Blushi: Unë jam në opozitë zoti Lela, Kam dalë me vullnet në opozitë…

Gazetari Lela: Kur thoni në opozitë jeni edhe me Bashën?

Blushi: Jo jo, jam në opozitë, por opozita nuk është Basha. Unë jam në opozitë me qeverinë. E nuk ka lidhje me Bashën. Opozita nuk barazohet me Bashën. Në këto 25 vite a ke parë një njeri që të ketë ikur nga qeveria në opozitë. Kjo nuk ka ndodhur, ndërsa e kundërta ndodh rëndom. I janë shtuar 7 mandate qeverisë pasi ikën nga opozita. Nëse ka qoftë edhe një mundësi për ta rrëzuar këtë qeveri, unë votoj pro.

Eni Vasili: Rama javën e kaluar tha se nuk është e vërtetë se i kemi kërkuar ndonjëherë votën Blushit.

Blushi: Me janë lutur. Në Korrik ky drejtori i Rilindjes, bashkë me punëtorët e vet më janë lutur në kuptimin e plotë të fjalës që t’i mbaja në pushtet në kohën kur menduan se Meta po ikte. Më janë lutur për t’i votuar se s’kishin numra. Në korrik qeveria pothuajse po binte.

Rakipllari: Roli juaj është i paqartë në gjithë këtë histori… Çfarë ka ndodhur?

Blushi: Roli im?! Kur qeveria rrezikonte të dilte në pakicë për shkak të mungesës së numrave në Parlament, na kërkuan që unë dhe Hafizi të mbështesnim qeverinë. Kam kërkuar vetëm një gjë, sepse unë nuk kisha dalë nga PS në atë kohë, isha akoma e jure. Kam dalë para një javë, që më çliron nga disa detyrime. U thashë që kjo mund të ndodhë vetëm me një kusht, që të kthenin zgjedhjet e lira brenda PS. Për sa kohë hoqët zgjedhjet dhe më hoqët mua dhe shumë të tjerëve mundësinë të zgjedhin dhe të zgjidhen, atëherë mund ta jap votën tuaj për ju.

Eni Vasili: Pra Edi Rama gënjen thoni ju me këtë përgjigje?

Blushi: Po kushdo që njeh Ramën dhe mua e di që unë s’e kam këtë zakon të paktën.

Rakipllari: Projekti juaj politik tashmë është bërë i ditur për publikun. Ne njohim vetëm besueshmërinë tuaj si figurë politike, qëndrimin tuaj kritikues brenda mazhorancës, shpeshherë me të drejtë, dhe sot keni një staturë politike më të lartë sesa e kishit në 2013, kur i kërkuat shqiptarëve të votonin Ramën kryeministër.

Blushi: Nuk e kam kërkuar këtë, kam kërkuar të votojnë PS.

Rakipllari: E keni thënë kur keni dalë me Ramën në fushatë, keni qenë kryesues në qarkun e Elbasanit…

Blushi: Ne hymë në një palë zgjedhje për të sjellë në pushtet partinë ku bëjmë pjesë, që përcjell mendimet apo idetë që ne kemi. Unë nuk kam dalë që të sjell një njeri në punë, apo t’i gjej një punë Edi Ramës. Kam hyrë në politikë për të mbështetur disa mendime apo ide që kam. Kur pashë që ajo parti ku isha nuk i përfshin më këto ide, kam dalë. Shkoj pas ideve, jo pas njerëzve, dhe kjo më dallon.

Rakipllari: Në këtë moment ne dimë vetëm Blushin, por jo projektin tuaj politik. A është projekt ideologjik apo pragmatik?

Blushi: Unë nuk kam bërë asnjë deklarim. Ky nuk është vendim personal por i shumë njerëzve, të cilët kanë po aq të drejtë sa unë. Unë dua mos kem të drejtën që të kem çdo të drejtë. Ne përpiqemi të krijojmë një projekt politik që do përpiqet të garojë në zgjedhje, pra kërkon mbështetje për idetë e veta. Do të kërkojë mbështetje në territor. Por për sa kohë ky projekt është i pashpallur, brenda disa ditëve do të jetë publik, do të gjykoni atëherë nëse do jetë ideologjik, pragmatik apo i qendrës. Nuk mund të flas për një gjë që nuk është publike.

Rakipllari: Projekti juaj është i majtë, i djathtë apo i qendrës?

Blushi: Ne ende nuk jemi shpallur me një projekt të një force politike, pasi kështu duhet të jetë që në ditën e parë të saj. Ky do të jetë një projekt kryesisht në qendër. Parë nga pozita e Alfred Lelës unë mund të dukem më djathtas nga sa do të donte ai të isha, sepse ai do donte që unë të isha një ekstrem i majtë. Spektri politik është nga ekstremi i majtë në ekstremin e djathtë, kjo detyron shumë njerëz si Alfredi që ta kthejnë kokën njëherë djathtas, një herë majtas. Unë nuk i iki fare ideve të mia. Po përpiqem të pajtoj idetë e mia me të tjerët. Ky nuk është projekt personal i imi. Po përpiqem të pajtoj idetë e mia me njerëz që nuk mendojnë njësoj si unë. Duhet të gjejmë të mesme që janë të pranueshme për të gjithë. Çfarë po ndodh sot në Shqipëri? Për arsye që mund t’ua argumentoj po flas për partitë e mëdha, kemi dy parti të djathta, që konkurrojnë me njëra-tjetrën, dhe prandaj ndajnë gjithnjë e më pak elektorat, dhe janë gjithnjë e më pak të dallueshme nga njëra-tjetra, këto janë Rilindja dhe PD-ja. Këto të dyja janë identike, dhe parë nga pozita e tyre…

Rakipllari: Po nuk janë identike, njëra ka taksë të sheshtë, tjetra taksë progresive…

Blushi: Të dyja kanë taksë të sheshtë. Tatim-fitimi sot është 15 %, Saliu e kish 10 %, diferenca është në vlerë, por jo në shkallë. Ndërsa unë dua një taksë progresive. Taksa mbi pagën ka një lloj progresiviteti, por ajo që unë flas, dhe ajo që bën dallimin mes një pozicioni ekstrem të djathtë, është sa taton kapitalin, e jo të varfrin. Kapitali tatohet njëlloj. Saliu e kishte 10 % për të gjithë, ndërsa Rama e ka 15 % për të gjithë. Sot taksohet, puna, dividenti, qarkullimi, të pasurit, që kanë kompanitë. Këta tatohen dy herë, njëherë për xhiron e një herë për fitimin. Këto lloj taksash janë të ndara. Por Rilindja dhe PD janë identike për mënyrën sesi trajtojnë kapitalin. Unë mendoj se Shqipëria ka disa çështja për të zgjidhur, që si të jesh i majtë, i djathtë, i qendrës, duhet të adresohen. Shqipëria sot është vendi më i polarizuar në Europë. Ka një pabarazi të theksuar, jo pasurore, por kulturore, sociale, asetesh, depozitash. Kjo bën që një vend kaq i polarizuar me vetëm 5 % që kanë pjesën më të madhe të pasurisë se 95 %, ky vend duhet balancuar, sepse çdo lloj polarizimi ekstrem, do të na çojë në ekstrem. Kjo nuk më bën të majtë. Unë kërkoj që shteti të ndërhyjë për të rregulluar tregun. Për 15 vite drejton tregu, dhe e ka kthyer vendin në një xhungël. Nuk po flas për defektet e tregut në vetvete, por për tregun në Shqipëri, që krijon korrupsion, pabarazi.

Rakipllari: Blushi po thotë që taksat e Ramës, janë njëlloj si edhe taksat e Berishës. Dhe unë po them që taksa mbi punën, qoftë edhe mbi kapitalin është progresive, sepse ata që marrin rroga të ulëta nuk paguajnë fare dhe unë tatohem 23%.

Blushi: Nuk po flasim për këtë ngatërron pronarin me punëtorin. Pronari duhet të paguajë më shumë se sa punëtori. Ky është thelbi i sistemit të drejtë. Ta them pse?

Rakipllari: po duhet të kesh një standard zotëri. Kur flet për importin e plehrave përmend rajonin. Sa i ka taksat e biznesit rajoni, sa i ka Maqedonia? E di që po shkojnë gjithë bizneset në Maqedoni?! A flasim për zhvillim?

Blushi: Shko voto për Lul Bashën se premton ta ulë taksën edhe më pak se Saliu.

Rakipllari: Se kë do votoj unë është histori tjetër ajo. Po flasim si do zhvillohet vendi, Blush. Si do zhvillohet që pastaj të ndash pasuri. A ke projekt për zhvillimin?

Blushi: Unë nuk jam konkurrenti jot dhe ti nuk je konkurrenti im fare. Pra, unë konkurroj për zgjedhje, pra për vota, ti konkurron për simpati.

Rakipllari: Po flasim për raportin me të vërtetën.

Blushi: Kështu që mos u acaro me mua dhe unë nuk kam asnjë acarim me ty dhe më lejo të shpjegoj. Ajo që po të shpjegoj është që unë nuk kam asnjë pikëpamje nga ajo që mund të mendoni se mund të kem për ta çuar kapitalizmin në socializëm puritan, absolutisht nuk mendoj këtë gjë. Mendoj që kapitalizmi i harmonizuar me demokracinë, me lirinë për të konkurruar në një sistem ku shteti të mbron të drejtat dhe konkurrenca nuk cënohet, ky sistem kapitalizmi duhet zbutur, sepse nëse lihet në mëshirë dhe pa fre ky kthehet në një problem për shoqëritë, sepse krijon një pabarazi absolute, e cila ndikon në cilësinë e jetës së një populli apo të një shoqërie. Pra, unë jam për të zbutur kapitalizmin dhe kjo nuk është një ëndërr e imja. E kanë mijëra e mijëra evropianë dhe jo vetëm evropianë që jetojnë me idenë për ta zbutur kapitalizmin. Ndaj unë jam për ta zbutur kapitalizmin. Nuk jam për ta shuar.

Rakipllari: Kjo është një ide shumë e bukur intelektuale e ekstremit të majtë. Unë nuk konkurroj me ty dhe s’jam në politikë, por po them që kjo që thoni ju Blush është populiste, është shumë e bukur për ta dëgjuar njerëzit, por nuk propozon asgjë, nuk ka asnjë premisë për të zhvilluar vendin.

Blushi: Më lër ta shpjegoj. E ke shumë gabim. Çfarë po thua? Po kush është premise për të zhvilluar vendin. Nëse ti do të përpiqesh të më bindësh…

Rakipllari: Unë s’po të bind fare, kjo është dëshira e intelektualëve të majtë, por nuk propozon asgjë.

Blushi: Dëshira është për ta zbutur kapitalizmin, për ta bërë më njerëzor. Ekstremi i djathtë ku është Rilindja me PD-në e kanë të fituar.

Rakipllari: Po s’është ekstrem i djathtë Rilindja, këtu është dallimi.

Blushi: Të dyja bashkë janë për kapitalizëm të egër, sepse të gjitha vendimet që kanë marrë i kanë marrë në favor të pronarëve, jo të njerëzve si puna jote. Të lutem bëj dallimin mes pronarit dhe punëtorit. A jeni ju dakord që ju të paguani më shumë taksë se pronarët tuaj? Unë nuk jam dakord me këtë. Nëse jeni dakord jeni të parët punëtorë në glob që mendojnë se duhet të paguajnë më shumë taksë se pronarët e tyre.

Rakipllari: Kjo është retorikë. Ky është populizmi.

Lela: Unë edhe në 2013 kam qenë kundër kësaj, por keni qenë ju pro… Ju keni qenë për taksën progresive dhe tani po na thoni që është faji i atyre që keni qenë kundër.

Blushi: Unë jam kundër. Unë jam prapë aty pra. Ju taksoheni sot 23%, pronarët tuaj taksohen sot 15%. Unë mendoj që kjo është e padrejtë, për ju në radhë të parë, por edhe për të gjithë shoqërinë. Prandaj them për një taksë progresive, e cila merr parasysh se sa fiton dhe sa kontribuon. Sepse një korporatë, kjo industria e riciklimit të mbetjeve…

Rakipllari: Po taksa ndaj biznesit është taksa që i shkon konsumatorit, mo zotëri.

Blushi: Vazhdo, vazhdo. A mund t’ju premtoj se nëse një ditë e kam në dorë, do paguani më pak taksa se sa pronarët tuaj.

Rakipllari: Do blejmë më pak, Blushi.

Blushi: Jo, Jo nuk do blini më pak, përkundrazi.

Lela: Po të jemi te niveli i taksimit unë jam te 10% I Berishës dhe te 9% i Bashës, nuk jam tek Rilindja, socializmi dhe taksa progresive. Unë e dëgjova me vëmendje atë që thatë dhe ju shoh ju si bartës të një sindrome që është e juaja, por është e socializmit botëror dhe shqiptar. Fryma antikapital është kundër klasave krijuese kjo. Unë nuk mendoj që të pasurit krijojnë të varfër. Është gabim kjo.

Blushi: Jo e ke gabim.

Lela: Kështu që nëse ja lidhim metaforikisht lakun e taksës së fortë kapitalit, kapitali ka për tu larguar dhe ne nuk mund të shpërndajmë të mira pa I krijuar ato. Socializmi do t’i shpërndaj pa i krijuar.

Blushi: Tani mos më ço te socializmi se po flas për një kapitalizëm të zbutur. Shumë shkurt do them diçka. E di sa shqiptarë jetojnë sot me 5 mijë lekë të vjetra në ditë, ç’ka është niveli i mjerimit, sipas Bankës Botërore? Janë gati 30% e shqiptarëve. Unë nuk po merrem me këtë nivel. Po merrem me një nivel tjetër, sipas të cilit 400 mijë shqiptarë jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë. Ju jeni teorikë, por nuk jetoni me këtë.

VIJON…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.