Pas 16 vitesh: Ja çfarë kishte shkruar Bill Clinton më 23 maj 1999!

Soft

clintonKy editorial është shkruar nga Uilliam Xheferson Klinton (William Jefferson Clinton) ish-presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara. Fillimisht ky editorial të cilin ua sjell Telegrafi të përpunuar, është botuar me 23 maj 1999 në gazetën "New York Times".

Kemi shkuar në Kosovë me aleatët tanë në emër të një Evrope paqësore, të pandarë e të lirë, e cila, për herë të parë, është brenda sferës së mundësive tona. Kemi shkuar atje për t'iu kundërvënë rrezikut më të madh që i kërcënohet këtij vizioni: destabilitetit në Ballkan, i cili është nxitur nga një fushatë e mbrapshtë spastrimi etnik.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Problemi nuk qëndron thjesht tek urrejtja etnike e madje as te konflikti etnik. Njerëzit në ish-Jugosllavi kanë jetuar në shekuj me konflikte të një shkalle më të madhe a më të vogël, por "spastrim" konsekuent nga trojet e tyre nuk ka patur. Po të kishte ndodhur një gjë e tillë, sot kombësitë e këtij vendi do të ishin homogjene dhe jo kaq të larmishme sa janë.

Kushtet e patolerueshme në të cilat ky rajon e gjen sot veten janë rezultat i një fushatë dhjetëvjeçare të ndërmarrë nga Sllobodan Millosheviçi për të ndërtuar një Serbi më të madhe duke përzgjedhur popuj të tërë për t'i shkatërruar vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike e fetare. Këto metoda barbare të tij tashmë ne i njohim fare mirë. Përhapje e urrejtjes nga mediat. Vrasje e udhëheqësve të moderuar. Armatosje e paraushtarakeve dhe dhënie urdhrash ushtarëve për të kryer një fushatë të planifikuar vrasjesh e dëbimesh. Çrrënjosje e kulturës, e trashëgimisë, e dëshmive më të mirëfillta për praninë e viktimave të shkaktuara nga ai. Refugjatët nuk janë nënprodukt i luftimeve të filluara prej tij; luftimet u destinuan pikërisht për të krijuar refugjatë.

Ne nuk na hiqen nga mendja pamjet e njerëzve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke shtyrë të moshuarit në karroca e duke treguar rrëfime për të afërmit e vrarë. Këtë e pamë për herë të parë në Bosnje e Kroaci.

Fillimisht bashkësia ndërkombëtare u përgjigj me një asnjanësi të studiuar që barazonte viktimat me agresorët duke vazhduar me diplomacinë e pastaj me vendosjen e paqeruajtësve të paarmatosur që kishin mandatin, por jo edhe mjetet, për të mbrojtur civilët. Kur hyri NATO-ja në aksion, 250.000 njerëz ishin vrarë, kurse më shumë se dy milionë ishin shpërngulur, shumë nga të cilët ende nuk janë kthyer.

Tani njerëzit do t'i hedhin sytë nga Kosova e do të thonë se këtë herë, për arsye se vepruam shpejt e me forcën e duhur, u shpëtuan më shumë jetë njerëzish dhe refugjatët u kthyen të gjithë në shtëpitë e tyre.

Konflikti i Ballkanit, që filloi në Kosove 10 vjet më parë, do të përfundojë po në Kosovë. Ne nuk mund t'u përgjigjemi tragjedive kudo, por kur konflikti etnik kthehet në një spastrim etnik për të cilin duhet bërë dallim, në përpiqemi ta bëjmë këtë e pa dyshim i tillë është edhe rasti i Kosovës.

Po të ishim treguar të mefshët, rezultati do të ishte një katastrofë morale e strategjike. Kosovarët do të ishin bërë një popull pa atdhe duke jetuar në kushte të vështira në disa nga vendet më të varfra të Evropës e duke i mbushur plot demokracitë e reja. Konflikti i Ballkanit do të kishte vazhduar pafundësisht duke krijuar një rrezik për një luftë më të gjerë si dhe për tensione të vazhdueshme me Rusinë. Vetë NATO-ja do të ishte diskredituar që nuk arriti të mbronte pikërisht vlerat që i japin kuptim asaj. Ata që thonë se Kosova është shumë e vogël për t'i dhënë një rëndësi kaq të madhe, i harrojnë këto fakte të thjeshta.

Kur në fillim të vitit 1998 në Kosovë filloi dhuna, në i rrahëm plotësisht të gjitha rrugët diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje. Tetorin e kaluar e bindëm Z. Milosheviç që t'i tërhiqte disa nga trupat nga Kosova dhe të lejonte atje një prani ndërkombëtare të paarmatosur. Kjo është zgjidhja që avokaterët e kompromisit propozojnë edhe sot. Mirëpo ajo dështoi që vjeshtën e kaluar. Z. Milosheviç i shkeli premtimet e bëra, dërgoi akoma më shume trupa në Kosovë dhe i destinoi ato për ofensivën që kishte përgatitur gjatë muajve të tërë. Kur kjo ofensivë filloi, ne u detyruam të vepronim.

Strategjia e Milosheviçit ishte konceptuar për të jetuar më gjatë se ne dhe për ta përçarë aleancën. Mirëpo dështoi. Në vend të ndonjë mosuniteti në Bruksel, po vijnë sinjale përherë e më të shumta për pakënaqësitë në Beograd : ushtarët serbë braktisin pozicionet e luftimit, civilët serbë protestojnë kundër politikave të udhëheqësve të tyre, djem të rinj i shmangen rekrutimit, serbë të shquar i bëjnë thirrje Millosheviçit të pranojë kushtet e NATO-s. Ndërkohë, fushata jonë ajrore ka shkatërruar ose dëmtuar një të tretën e automjeteve të blinduara në Kosovë, gjysmën e artilerisë së Serbisë, pajisjet e saj për të prodhuar municione, të gjithë kapacitetin e saj për të rafinuar produkte nafte e duke i shkaktuar edhe një dëm kolosal sektorëve të tjerë të ekonomisë.

Megjithëse Millosheviçi ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e tyre, ai nuk e ka eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës, ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t'u shpëtuar goditjeve ajrore.

Tani Millosheviçi po përballet me sigurinë e vazhdimit të fushatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t'u përgjigjur përpara popullit të tij për fillimin e një konflikti që jo vetëm nuk mund të fitohej, por po i shkakton vendit disfatë ushtarake e rrënim ekonomik. Çështja tani nuk është nëse do të përmbyset apo jo spastrimi etnik i kryer prej tij, çështja është se kur do të ndodhe kjo, e kjo do të thotë se edhe sa pjesë të tjera të ushtrisë së tij ai dëshiron t'i shikoje duke u shkatërruar gjatë kursit që ka marrë.

Ndonëse unë nuk i përjashtoj opsionet e tjera ushtarake, ne jemi duke e vazhduar strategjinë tonë të tanishme për tri arsye.

E para, dhe më e rëndësishmja, është se ajo po jep rezultate dhe kështu do të arrije t'i përmbushë me sukses të gjitha kushtet bazë të NATO-s, të cilat janë rikthimi i kosovarëve në trojet e tyre, dalja e forcave serbe nga Kosova dhe vendosja e një force ndërkombëtare për sigurinë. Kjo forcë duhet të ketë NATO-n në qendër, gjë që do të thotë se ajo duhet të jetë nën komandën dhe kontrollin e NATO-s si dhe rregullat e angazhimit të saj të jenë të përcaktuara nga NATO-ja, por do të ketë formacione edhe nga vendet jo të NATO-s, pikërisht si forca që dërguam në Bosnje. Fushata jonë ushtarake do të vazhdojë derisa të përmbushën këto kushte dhe kjo jo sepse ne jemi kokëfortë apo arbitrarë, por sepse këto janë kushtet e vetme mbi bazën e të cilave refugjatët do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në siguri si dhe mbi bazën e të cilave UÇK-ja mund të ishte vërtetë e nxitur për t'u çarmatosur -- kushtet bazë të një rezolute që do të funksiononte.

Së dyti, kjo strategji ka gjetur një mbështetje të gjerë e të fuqishme në aleancë dhe si e tillë ajo mundëson përmbushjen e objektivave tanë. Edhe pse vende të ndryshme mund të kenë rrethana të brendshme të ndryshme, lidhje të ndryshme kulturore me Ballkanin si dhe ide të ndryshme për taktikën, nuk ekziston kurrfarë pikëpyetjeje për unitetin tonë lidhur me qëllimet e me dëshirën për të fituar. Unë kam punuar shumë për të modeluar konsensusin tonë të tanishëm; pas 60 ditë fushatë ajrore, NATO-ja është më e bashkuar për Kosovën nga ç'ishte në fillim.

Së treti, kjo strategji na jep mundësinë më të mirë për të realizuar qëllimet tona në një mënyrë që i forcon, jo i dobëson, interesat tona themelore në marrëdhëniet tona afatgjata e pozitive me Rusinë. Rusia po ndihmon në gjetjen e një mënyrë sipas së cilës Beogradi të përmbushë kushtet tona. Trupat ruse duhet të marrin pjesë në forcën që do të ruajë paqen në Kosovë duke bërë kështu që një burim tensioni të kthehet në një mundësi bashkëpunimi, tamam si në përpjekjet tona në Bosnje.

Së fundi, nuk duhet të harrojmë se përmbysja e spastrimit etnik në Kosovë nuk është e mjaftueshme në vetvete për t'i dhënë fund konfliktit etnik në Ballkan dhe për të krijuar një stabilitet të qëndrueshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë për Evropën Juglindore atë që bëmë për Evropën Perëndimore pas Luftës II Botërore dhe atë që bëmë për Evropën Lindore pas Luftës së Ftohtë.

Liria, respekti për të drejtat e pakicave dhe begatia janë forca të fuqishme për të ecur përpara. Ato u japin njerëzve qëllimet për realizimin e të cilave ata duhet të punojnë; ato lartësojnë shpresën kundrejt frikës dhe të nesërmen kundrejt së djeshmes.

Këto do të mund t'i bëjmë duke rindërtuar ekonomitë që përpëliten, duke nxitur tregtinë dhe investimet si dhe duke i ndihmuar vendet e rajonit të hyjnë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Tashmë demokracitë e këtij rajoni po i përgjigjen vrullit të integrimit duke këmbëngulur në realizimin e reformave të tyre, duke strehuar refugjatë e duke mbështetur fushatën e NATO-s. Një Serbi demokratike që respekton të drejtat e popujve të vet si dhe të fqinjëve të vet mund të bashkohet, dhe duhet të bashkohet, me to.

Nëse do ta bëjë këtë, ne do të ndihmojmë për ta rikthyer atë në vendin e saj legjitim si një shtet evropian në Ballkan, dhe jo për ta lënë si një shtet të copëtuar në periferi të Evropës.

Ballkani nuk ka pse të jetë i destinuar si kryeqendra e errësirës në Evropë një rajon i xhamive të bombarduara, i burrave e i djemve të pushkatuar nga prapa kokës, i grave të reja të përdhunuara, i rrjedhave të historisë qoftë të grupeve, qoftë të individëve, të rishkruara apo të fshira. Siç i kanë drejtuar udhëheqësit njerëzit e tyre gjatë një rruge, ata duhet t'i kthejnë këta njerëz drejt një të nesërmeje më të mirë.

Në fund të fundit, ne dhe aleatët tanë mund të ndihmojmë që kjo të realizohet, por kjo mund të arrihet nëse do ta vazhdojmë me konsekuence fushatën e NATO-s duke ndjekur një strategji që do të siguronte që forcat që e bashkojnë Evropën Juglindore të jenë më të fuqishme sesa forcat që e copëtojnë atë

ME TE LEXUARAT