Të gjithë artistët në këmbë për të mbrojtur Valbonën, koncert-protestë

VALBONANën moton “Mos ma prek Valbonën!”, artistët shqiptarë janë bërë bashkë për të mbajtur dy koncerte. Një koncert do të mbahet në Parkun Nacional të Valbonës, më 29 tetor, në pjesën ku pritet të ndërtohen 11 hidrocentrale, në gjatësinë prej 25 kilometrave dhe një koncert në kryeqytetin shqiptar, përkatësisht në Tiranë, më 30 tetor.

“Për tokën, ajrin, ujin e jetës shqiptare”, është një nga motot e kësaj iniciative nisur nga këngëtaret e mirënjohura Eda Zari e Elina Duni, përkrahur më pastaj nga rok-bendi i famshëm kosovar Jericho, Genc Salihu, Dj Oda, Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Linda Rukaj, Kamela Islamaj, Marsela Cibukaj, Emilian Dhimo, Ermal Rodi, Olsa Papalindi e Alban Nimani.

Tubimet që do të mbahen në Valbonë dhe te Piramida në Tiranë, planifikohet të kalohen me muzikë, ekspozita pikturash, ekspozita fotografike, instalacione, lexime poezish dhe mbrëmje vallëzimesh të llojeve të ndryshme.

Sipas artisteve Duni e Zari, natyra shqiptare po vuan nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria. Ato konsiderojnë që një mobilizim qytetar rreth muzikës e kulturës për vetëdijesim do t’i ndihmojë çështjes dhe sipas tyre mund të parandalojë një të keqe.

“Qytetarët që dashurojnë Shqipërinë, natyrën e saj të mrekullueshme, e cila sot vuan nga pakujdesia dhe papërgjegjshmëria, por që kërcënohet edhe më shumë nga arbitrariteti dhe dritëshkurtësia e politikës, të gjithë atyre individëve që duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri, me tokë, ujë, ajër dhe jetë të pastër, pa plehra, pa ndotje, u bëjmë ftesë që të jenë me ne. Koncerte, ekspozita pikturash, ekspozita fotografike, instalacione, lexime poezish, mbrëmje vallëzimesh të llojeve të ndryshme, e ç’t’i dojë shpirti secilit e secilës, do t’i gjejnë me ne. Të gjitha këto nën moton: Të mbrojmë tokën, ujin, ajrin jetën”, thuhet në kumtesën e tyre.

Sipas artistëve, banorëve të Valbonës dhe njohësve të këtyre çështjeve, ndërtimi në gjatësinë e 25 kilometrave do të thotë dënim kapital për lumin e njohur në mbarë viset shqiptare.

koncert

“Mos pa prek Valbonën!” është moto që ka pushtuar edhe Prishtinën. Ky mbishkrim shihet në lokale, dyqane e rrugë, në formë paralajmërimi të kësaj proteste, pas parasysh faktin se vitet e fundit sidomos, Parku Nacional i Valbonës, ka qenë pikë turistike e vizituar mjaft shumë nga kosovarët.

Javë më parë me një letër Qeverisë Shqiptare i është drejtuar edhe promovuesja e Valbonës, Catherine Bohne, amerikania që prej vitesh jeton në Valbonë, e cila nder të tjetra shkruan se rezultatet afatgjata të këtyre zhvillimeve do të ishin tragjedi ekonomike dhe mjedisore dhe një çmim shumë i lartë që do të paguhej nga brezat e ardhshëm.

“Ndonëse është vonë, ende nuk është tepër vonë. Tani është koha e duhur. Në rast se dëgjohet zëri i arsyes, ai duhet të dëgjohet tani. Bëje zërin tënd të dëgjohet! Dita e sotme është një ditë shumë e zezë në Valbonë, shumë e zezë, pavarësisht se qielli është i kaltër dhe moti i shkëlqyer, pasi, në rast se kjo do të ndodhë këtu, në kundërshtim të hapur me ligjin, e ardhmja është e zezë për Shqipërinë”, shkruan Bohne.

Ajo shton se ka ardhur në Shqipëri, sepse e do Shqipërinë siç e gjeti dhe beson se Shqipëria është më e mirë se ajo çka po ndodh tani.

Edhe përfaqësuesit e shoqatave ambientaliste në Tiranë, e cilësojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar si një krim mjedisor kombëtar. Për këtë shkak, jo vetëm komuniteti lokal, por edhe i gjithë komuniteti i shoqërisë civile është shprehur kundër këtyre ndërtimeve.

Kjo iniciativë po mbështetet edhe nga Federata Bjeshkatare Apliniste e Kosovës.

“Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës fton të gjitha shoqëritë anëtare të marrin pjesë në inicativën “Mos ma prek Valbonën – Stop Hec-et” me 29 tetor në ora 14:00 në Valbonë në qendër”, thuhet në njoftimin e tyre.

Organizatorët e kësaj ngjarje janë kujdesur edhe të aranzhojnë një transport të organizuar për të gjithë të interesuarit për të marr pjesë. Autobusët e organizuar drejt Valbonës do të nisen nga Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Peja.

Parku Kombëtar i Valbonës në rrethin e Tropojës, shtrihet përgjatë Luginës së Valbonës dhe ka një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh. Nga ujëvara në bashkimin me Drinin, Lumi i Valbonës përshkon 65 km dhe përbën zemrën e zhvillimit të turizmit në këtë zonë.

Kliko per me shume info Kliko per me shume info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

x

Check Also

Flet Koseni, “Komisari i Hekurt”, ku do të punojë pas fitores së betejës ligjore

Tri javë pasi Edmond Koseni fitoi “betejën” me Ministrinë e Brendshme dhe ...