Deputetja Mimoza Hafizi rrëfen të vërtetën: Ja pse u prisha me Edi Ramën

Politikë

hafizi-pssDeputetja socialiste Mimoza Hafizi ka rrëfyer se përse u prish me kryeministrin Edi Rama, i cili dikur e prezaktoi personalisht si kandidate të PS për deputete në Shkodër. Ajo thotë se që sapo PS erdhi në pushtet ka shprehur dakordësinë me faktin se Rama u dha pushtet një grupi të vogël njerëzish që nuk kishin lidhje me shtetformimin. Më pas, të tjera akte që do të cënonin demokracinë dhe ligjshmërinë në partinë më të madhe në qeveri, do ta thellonin bindjen e saj se Rilindja nuk ishte ajo çfarë ishte premtuar, por një mekanizëm i një grupi njerëzish për të marrë pushtetin përmes Partisë Socialiste. Deputetja e Shkodrës, në një invervistë për Mapo Magazinë, flet edhe për të ardhmen e koalicionit dhe nevojën për një forcë te re politike për t’u kthyer shqiptarëve shpresën.

Ju, së bashku me deputetin Blushi prej disa muajsh keni ndërmarrë një fushatë që kundërshton ligjshmërinë e Ramës në krye të PS-së. Por në fakt përplasja juaj me Ramën nuk është e para. Ajo e ka zanafillën në vitin 2009, kur ju së bashku me një grup tjetër figurash në PS kundërshtuan atëherë kryetarin e PS-së, Edi Rama. Por pavarësisht asaj marrëdhënieje në 2013, ju i dhatë një shans të dytë marrëdhënieve me kryetarin e PS. Në cilat rrethana dhe për cilat arsye do ju shihnim sërish për një shans të tretë në PS?

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në vitin 2009, bashkë me kolegë, organizuam një lëvizje serioze për respektimin e demokracisë dhe zgjedhjeve brenda PS, të cilat po kërcënoheshin nga akrobacitë statutore të Edi Ramës, pas humbjes së zgjedhjeve. Kjo lëvizje, quajtur LMN, zgjati disa muaj dhe u shua atëherë kur, mirë apo keq, një palë zgjedhje për kryetarin e partisë u zhvilluan në fund të shtatorit 2009. PS ishte në opozitë, mesazhet tona qenë tepër të forta, kështu patëm përshtypjen se lëvizja e kreu misionin e vet. Shansi im i dytë në PS erdhi pas kësaj lëvizjeje, në kohën kur kisha bindjen se misioni parësor i politikës në 2013 ishte rrëzimi me votë i Sali Berishës nga pushteti. Gjithmonë me prapafrikën se dëshira për uzurpimin e PS ishte diku, e gjallë. Uzurpimi i Partisë Socialiste nga Edi Rama dhe kasta e vet rilindase u shfaq në mënyrë spektakolare disa muaj më parë, kur me forcën e kryeministrit u penguan zgjedhjet për kryetar të partisë. Kjo ngjarje do të rrijë gjatë e shënuar në historinë e dallgëzuar të demokracisë shqiptare, si ngjarja më e shëmtuar dhe e pabesë që iu ndodh përpjekjeve të një populli për demokraci. A mund të kthehet demokracia në PS? A mund të kthehen zgjedhjet? A mund të instalohet mendimi ndryshe? Të gjitha këto pyetje janë thelbësore. Pa demokraci e pa zgjedhje, PS nuk mund të prodhojë as qeverisje demokratike, as qeverisje të pakorruptuar, as qeverisje që jep mirëqenie e siguri për qytetarët. Vetëm përgjigjet pozitive mund t’i jepnin një shans të tretë pranisë sime në PS. A ka shans që t’i kemi këto përgjigje? Çdo njeri me arsye normale e di se sa e pamundur është kjo.

Përplasja juaj në PS mund ta konsiderojmë për arsye ideologjike, përplasje si rezultat i autoritarizmit, shkelje parimesh apo çfarë?

Të gjitha bashkë. Por mbizotëron autoritarizmi si mënyrë sjelljeje antidemokratike. Prej tij rrjedhin pasojat e tjera.

Jeni angazhuar gjatë në PS, por si deputete keni mandatin e parë. A ndryshoi PS gjatë kësaj kohe apo mendimi Juaj për PS kur e shihnit atë jashtë dyerve të Kuvendit?

Unë PS e kam njohur edhe kur isha jashtë dyerve të Kuvendit, po kaq mirë sa ç’e njoh dhe sot. PS është parë dhe përdorur nga Rilindja si mjet për të marrë pushtetin. Me ardhjen në pushtet, sigurisht që sjellja e Rilindjes ndaj PS ndryshoi, përderisa qëllimi u realizua. Kjo shpjegon për mua diferencën mes PS para 2013 dhe asaj që patëm në vijim.

Në 2009 ju nuk arritët të bëheshit pjesë e listave për deputetë. Më 2013 Rama ju besoi kryesimin e listës në Shkodër. Megjithatë ajo që pasoi pati një handikap mes përgatitjes tuaj akademike dhe mosdhënies së një mundësie nga Rama për ta përkthyer këtë CV në një angazhim konkret qoftë edhe qeveritar. A ka ndonjë qejfmbetje nga ana juaj në këtë drejtim?

Që në fillim të qeverisjes Rama kam shprehur mosdakordësinë për mënyrën sesi ai delegoi pushtetet në një grup të vogël njerëzish. Për më tepër, këta njerëz ishin pa lidhje me shtetformimin. Kjo solli që përthyerja e qeverisjes qendrore në periferi të ishte abuzive dhe në dëm të qytetarëve. Situatat e krijuara më vunë në siklet me elektoratin shkodran, para të cilit unë kisha dhënë shumë premtime, të cilat asokohe, në 2013, i besoja. Situatat e krijuara më shtynë në mosdakordësi e konflikte me kryeministrin. Kjo mosdakordësi nuk quhet qejfmbetje, por kundërshti politike. Për sa i përket qeverisë, kryeministri ka deklaruar se ka përzgjedhur me qëllim ministra pa përvojë e të paditur. Kjo sjellje sigurisht nuk më gëzoi, pas përpjekjes sime të gjatë në politikë për një qeverisje të mirë. Përkundrazi. Por kjo nuk mund të emërtohet qejfmbetje, është vetëm kundërshti politike.

Meqë jemi këtu, si e shihni përfaqësimin e qarqeve të Veriut në parlament dhe në qeveri? A është vërtet ky niveli i përfaqësimit që shohim sot?

Përfaqësimi i veriut në Kuvend ka qenë më problematiku, shumë deputetë nga qarqet e veriut janë kontestuar nga opinioni publik. Kalimi i ligjit të dekriminalizimit erdhi për arsye të kësaj përbërjeje. Veriu nuk e meriton këtë përfaqësim. Veriu në historinë e Shqipërisë është Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Migjeni, Ramadan Sokoli, Prengë Jakova, Tish Daija, Çesk Zadeja, Jup Kastrati, Tonin Harapi, Mentor Quku, Pjetër Gaci, Fadil Kraja, Sami Rrepishti, Skënder Drini, Zef Çoba, intelektualë e politikanë që kanë shënuar kulturën dhe jetën politike. Veriu nuk janë kurrsesi këta tipa antishtet që shohim në parlament, pavarësisht se mund t’u shkojnë për shtat shijeve të udhëheqësve partiakë. Veriu, Shkodra, ka potencial pafund djemsh e vajzash që do e nderonin Kuvendin e Shqipërisë.

Prej 3 vitesh PS bashkëqeveri në një koalicion të madh për nga numrat me LSI-në. Por duket se bazat e këtij koalicioni këto javë janë lëkundur jo pak. Si e shihni të ardhmen e këtij koalicioni?

E ardhmja e këtij koalicioni më duket shumë e dyshimtë, pas një periudhe 3-vjeçare qeverisjeje të dështuar, që nuk i dha asgjë të mirë Shqipërisë. Eshtë e trishtueshme për këdo të shohë se si ky vend i bukur me diell, ujë e ajër, me male e dete, është i mbuluar me kanabis. Të shohë bashkëqytetarët që e braktisin pa kthyer kokën prapa. Ende më e rëndë kjo pamje është për mua, pasi luftova gjatë për diçka krejt tjetër. Ky koalicion siç duket, në errësirën e vet të formimit, nuk u ngrit mbi baza solide. Nuk u ngrit për një qeverisje më të mirë, por u lidh si pazar interesash. Dhe ja ku jemi! Këtij koalicioni nuk i shoh asnjë të ardhme të mirë për vendin. Ose pazari do të vazhdojë, ose do të prishet, por Shqipëria nuk është kërkund në këtë histori.

Në rast se do kemi një largim të LSI-së nga ky koalicion ashtu siç edhe ka paralajmëruar vetë kryetari i saj, vota juaj do jetë për një qeveri me vetëm 71 vota në parlament, për të cilën po flitet shumë ditët e fundit?

Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, vota ime do të jetë vetëm për të ndëshkuar këtë sistem politik të dështuar, që i ka sjellë kaq të zeza vendit.

Ju, së bashku me deputetin Blushi keni ndërmarrë një lëvizje brenda PS-së. Bëhet fjalë vetëm për një lëvizje që synon të demokratizojë dhe të kthejë ligjshmërinë në PS apo kemi të bëjmë me fazën e parë të krijimit të një force të re politike, që do jetë konkurrente në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Në pamundësi të demokratizimit dhe kthimit të ligjshmërisë në PS, krijimi i një force të re politike, vërtet demokratike dhe me fytyrë europiane, do të ishte shërbimi më i madh për vendin.

A keni ju një ide të qartë se ku do ju gjejë politika në 2017, në cilën llogore?

Do të më gjejë padyshim në opozitë me këtë sistem politik të kalbur e të dështuar.

ME TE LEXUARAT