Spitali Amerikan del "i humbur" nga koncesioni i hemodializës

Aktualitet

berat-lokaliPasi u shpallën fitues të tenderit për koncesionin e partneritetit publik-privat për shërbimin e hemodializës, bashkimi i operatorëve Evita Sh.p.k dhe Spitali Amerikan sh.a kanë regjistruar një kompani të re që ka për qëllim zbatimin e kontratës koncesionare.

Qëllimi i kompanisë së re të quajtur Dia Vita sh.p.k është që të japë shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, QKR, 85 % e aksioneve të Dia Vita Sh.p.k janë nën pronësinë e kompanisë Evita sh.p.k, ndërkohë që vetëm 15% e aksioneve nën pronësinë e Spitalit Amerikan Sh.a.

Eksperienca e Spitalit ishte kyç për shpalljen e bashkimit të operatorëve si ofertë fituese, për shkak të numrit të pacientëve të hemodializës që trajtonte. Mbetet e paqartë pse ndarja e kontratës ka shkuar në favor të kompanisë Evita Sh.p.k.

“Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013 në QKR, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin.

Sipas të dhënave të regjistrit themeltar rezulton se Majlinda Fetiu ka lidhje gjaku me administratorin e Spitalit Amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu. Fetiu është vajza e xhaxhait të Allajbeut.

Edhe pse u paraqit si risi, partneriteti mes publikut dhe privatit për hemodializën është një praktikë që ndiqet prej vitit 2012 në vendin tonë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për shkak të mbingarkesës, spitalet publike kanë transferuar një pjesë të pacientëve dhe të fondeve buxhetore drejt Spitalit Amerikan dhe Hygea Hospital Tirana përgjatë tre viteve.

Vetëm gjatë vitit 2014, spitali Amerikan ka lidhur kontrata me QSUT, Spitalin e Fierit dhe Spitalin Ushtarak, duke përfituar 865 milionë lekë nga buxheti i shtetit në vitin 2014.reporter.al

Artikull i meparshem

Origjina e dyshimtë e kompanisë që fitoi koncesionin 86 milionë USD të hemodializës

Në rrugën “Barrikada” në periferi të Beratit, një bar- kafe pa emër mban dyert hapur në pritje të klientëve të paktë. Lokali në ngjyrë gri dhe çadra ngjyre violë është bosh mesditën e së mërkurës, me përjashtim të një tavoline mbi trotuar, ku qëndron i ulur me një shishe birre në dorë pronari-Sali Fetiu dhe një bashkëmoshatar i tij.

I ndërtuar në gjurmët e një ish-gomisterie disa vjet pas rënies së regjimit komunist, lokali ushqeu shpresat e familjes së Sali Fetiut për më shumë se një dekadë, si i vetmi burim të ardhurash.

Megjithatë, kjo kafe modeste në qytetin e Beratit është sot origjina e kompanisë “Evita” sh.p.k, fituese e freskët e njërit prej koncesioneve për partneritet publik-privat më të mëdha në historinë e mjekësisë shqiptare.

Më 20 tetor, Ministria e Shëndetësisë e shpalli “Evita shpk” fituese të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë asaj një kontratë 10 vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë dollarë) në total.

“Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013 në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, QKR, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin.

BIRN tentoi të kontaktonte me aksioneren Majlinda Fetiu përmes telefonit të shtëpisë dhe atij celular, pa mundur ta arrijë atë. Në lokalin e familjes në periferi të Beratit, bashkëshorti i saj, Sali Fetiu shpjegoi se Majlinda kishte ikur në Tiranë, për shkak të problemeve shëndetësore.

Sali Fetiu pranoi që kompania në emër të bashkëshortes kishte fituar koncesionin, por refuzoi të jepte shpjegime në lidhje me aktivitetin e saj.

“Fola shumë dhe kaq. Unë me 6 klasë shkollë jam,” tha ai duke tundur dorën me bezdi.

E pyetur për eksperiencën dhe kapacitetet e kompanisë fituese, “Evita” shpk, edhe administratorja Elona Saraçi gjithashtu nuk pranoi të jepte shpjegime.

“Sipas draft kontratës që jemi duke lidhur me autoritetin kontraktor (Ministria e Shëndetësisë), çdo informacion rreth kësaj procedure/kontrate është konfidencial dhe kusht për humbje kontrate,” tha Saraçi përmes një mesazhi telefonik.

E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë refuzoi të komentonte se cilat ishin avantazhet e “Evita” shpk, që e nxorën atë në krye të garës së koncesionit.

E ndërsa mbetet e paqartë se mbi cilat kritere “Evita” shpk u përzgjodh fituese përballë tetë konkurrentëve të tjerë në garë, BIRN ka arritur të zbulojë se pronarja e kompanisë, Majlinda Fetiu, është rezidente në Berat dhe nuk ushtron ndonjë profesion të lidhur me shëndetësinë.

Pa lidhje në dukje me fushën e mjekësisë, Majlinda Fetiu rezulton megjithatë të ketë lidhje gjaku me administratorin e Spitalit Amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu. Sipas të dhënave të BIRN, rezulton se Fetiu është vajza e xhaxhait të Allajbeut.

Ndryshe nga Majlinda Fetiu, administratorja e kompanisë, Elona Saraçi ka studiuar për Farmaci në Universitetin e Tiranës. Para se të emërohej administratore e “Evita” shpk, Saraçi ka punuar për një kompani farmaceutike dhe për Spitalin Amerikan.

Procedurat për dhënien me koncesion të hemodializës u hapën më 25 maj 2015, përmes një thirrjeje që Ministria e Shëndetësisë publikoi në Agjencinë e Prokurimit Publik. Sipas dokumentit të shpalljes, shërbimi do të jepet me koncesion në pesë qendra përveç Tiranës; në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. [Kliko këtu për thirrjen]

Sipas shpalljes në APP, koncesioni do të ketë afat 10-vjeçar me vlerë 8,6 miliardë lekë, të cilat do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Kompania “Evita” sh.p.k hyri në garë dhe rezultoi fituese, edhe pse është e paqartë se çfarë ekspertize dhe kapacitetesh zotëron për të realizuar procesin e hemodializës për qindra pacientë kronikë të sëmurë nga veshkat.

Sipas të dhënave të QKR, “Evita” është themeluar më 14 maj 2013 nga Majlinda Fetiu me një kapital fillestar prej 100 mijë lekësh. Edhe pse ka jetuar pa shkëputje nga Berati pranë të shoqit që menaxhon lokalin në lagjen “Barrikada”, Majlinda Fetiu duket se ia ka dalë të fuqizojë me shpejtësi kompaninë e saj në Tiranë.

Dy vjet pas regjistrimit, kompania deklaron në QKR se zotëron 30 100 000 lekë asete. Në bilancin e saj shënohet se fitimi gjatë vitit 2013 ka qenë rreth 5.8 milionë lekë. Në vitin 2014, ky fitim është rritur në rreth 35 milionë lekë.

Edhe pse pak e njohur në tregun farmaceutik dhe atë të mjekësisë në Tiranë, gjurmë të kompanisë “Evita” sh.p.k dalin në tenderat për furnizim me barna të Qendrës Spitalore Universitare. Të dhënat e siguruara nga BIRN në APP tregojnë se kjo kompani ka fituar një tender me fond limit prej 18.8 milionë lekësh dhe është skualifikuar nga një tender i ngjashëm, për shkak të ofertës anomalisht të ulët.

“Evita” sh.p.k ka deklaruar në QKR disa adresa të ushtrimit të aktivitetit të saj, ku baza kryesore rezulton të jetë në Kashar, në kilometrin e 8 të autostradës Tiranë-Durrës. Megjithatë, një prej adresave të saj të deklaruara ndodhet në katin e dytë të Spitalit Amerikan në lagjen Laprakë të Tiranës.

I kontaktuar nga BIRN, administratori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu nuk u përgjigj nëse kompania që ai përfaqëson ka lidhje me kompaninë “Evita shpk”, fituese e koncesionit të hemodializës. Ai refuzoi gjithashtu të jepte shpjegime nëse kishte lidhje familjare me pronaren Majlinda Fetiu.

Procesi i dializës për të sëmurët me probleme në veshka mbulohet prej vitesh 100 % nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për rreth 900 pacientë që përfitojnë nga ky shërbim. Megjithatë, të sëmurët kronikë janë ankuar vazhdimisht për radhë në dyert e spitaleve apo marrje të shërbimit me turne.

Për të zgjidhur këto anomali, Ministria e Shëndetësisë hodhi një vit më parë idenë e partneritetit publik/privat për të përmirësuar këtë shërbim. Më 25 maj 2015, ideja u shpall publikisht në formën e një koncesioni, që do të përmirësonte kushtet e pesë qendrave të hemodializës dhe do të ofronte një shërbim të standardeve të larta.

E pyetur nga BIRN në korrik të vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë sqaroi se projekti i dhënies së këtij shërbimi me koncesion ka si qëllim rikonstruksionin e dy qendrave ku në atë kohë kryhej dializa, në Shkodër dhe Vlorë dhe krijimin e tre qendrave të reja, të cilat do të vendoseshin pranë spitaleve të Lezhës, Korçës dhe Elbasanit.

Një tjetër qëllim sipas Ministrisë së Shëndetësisë ishte shmangia e kostove sociale, pasi pacientët që kishin nevojë për hemodializë do të kishin mundësi ta bënin atë tre herë në javë pranë vendbanimeve të tyre.

“Operatori ekonomik do të mbulojë ndërtimin e 5 qendrave, pajisjen me aparaturat e dializës, bërjen funksionale të qendrave dhe pajisjen me personel mjekësor dhe staf mbështetës. Sistemit shëndetësor në vend do t’i mbeten 5 qendrat funksionale,” i tha BIRN këshilltari për mediat i ministrit Beqja, Thanas Goga.

Sipas Gogës, kompania fituese do të përzgjidhej ajo që ofronte çmimin më të ulët dhe cilësinë më të lartë. Por dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se “Evita” shpk ka ofertën e dytë më të lartë të konkurrentëve në koncesion, ndërkohë që mbetet e paqartë se cilat janë garancitë që ajo ofron për cilësinë e shërbimit të dializës.

Të dhënat e publikuara në APP tregojnë se në garën e koncesionit u përfshinë 9 kompani, tre prej të cilave u skualifikuan në fazën fillestare për shkak se nuk paraqiten ofertë. Gjashtë kompanitë e mbetura në garë janë shoqëria “2T” me ofertë 10.080 lekë për njësi, shoqëria “Blindi” me ofertë 10.458 lekë, “Evita” me ofertë 11.203 lekë, “Diamed Skopje” me 11.095 lekë, kompania italiane “Spindial” me ofertë 13.180 lekë dhe “Hygea Hospital Tirana” me ofertë 10 740 lekë.

Edhe pse u paraqit si risi, partneriteti mes publikut dhe privatit për hemodializën është një praktikë që ndiqet prej vitit 2012 në vendin tonë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për shkak të mbingarkesës, spitalet publike kanë transferuar një pjesë të pacientëve dhe të fondeve buxhetore drejt Spitalit Amerikan dhe Hygea Hospital Tirana përgjatë tre viteve.

Gjatë vitit 2014, spitali Hygea ka kryer 28 transaksione me thesarin e shtetit për shkak të kontratave me QSUT në vlerën e 239 450 910 lekëve. Spitali Amerikan ka marrë tre herë më shumë fonde, për trajtimin e pacientëve me hemodializë.

Të dhënat e siguruara nga thesari i shtetit tregojnë se Spitali Amerikan ka lidhur kontrata me QSUT, Spitalin e Fierit dhe Spitalin Ushtarak, duke përfituar 865 668 286 lekë nga buxheti i shtetit në vitin 2014, vlerë kjo thuajse identike me paratë që “Evita” shpk pritet të marrë në një vit nga koncesioni i sapo-fituar i hemodializës.

ME TE LEXUARAT