Blushi: Reforma po dështon nga paaftësia e Lulit dhe Edit, shqiptarët do e paguajnë

Politikë

blushiiReforma në drejtësi po shkon drejt dështimit sipas deputetit Ben Blushi, për shkak të paaftësisë së krerëve të dy partive kryesore në vend.

Nga foltorja e Kuvendit, Blushi tha se nëse kjo reformë nuk do të miratohet, do të jenë shqiptarët ata që do të paguajnë koston e mungesës së drejtësisë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Nëse reforma në drejtësi nuk kalon, në këtë sallë ndoshta nuk ka për të ndodh asgjë, por çështja është kush është kostoja dhe kush e paguan koston e mungesës së drejtësisë në Shqipëri.

Një grua dje në mes të Tiranës po ecte me dy fëmijë në rrugë, vjen një i çmendur e përplas dhe gruaja humb jetën. A ka lidhje me reformën në drejtësi? Ka. Ky i çmenduri që e vrau atë gruan në mes të Tiranës kishte qenë i dënuar, gjykata e liroi për bakshish thonë. E kush është pasoja e kësaj, një grua humbi jetën, dy fëmijë jetim. Nuk është vetëm kaq.

Para dy muajsh në autostradë një grua tjetër me tre fëmijë po shkonte të takonte bashkëshortin në burg. Kangjella e autostradës ishte këputur, me vendim gjykate duhet të ishte në vend. Gjykata kishte marrë vendim të drejtë për të kthyer kangjellin aty ku ishte, shteti nuk e dëgjoi. Edhe kur ka drejtësi, drejtësi nuk ka në fakt. Dy fëmijët vdiqën. Mizori sesi shteti vret qytetarët e vetë duke shpërfillur drejtësinë.

Shkojmë në Kavajë, për shkak se nuk ka drejtësi e dini nga kush qeveriset Kavaja sot? Nga një njeri që nuk është kryetar bashkie, por është kryetar bashkie dhe qeveris nga shtëpia. Një njeri që qeveris nga shtëpia një muaj e gjysmë pasi ka marrë arrest shtëpiak. A mund të funksionojë kështu drejtësia? Sigurisht do lirohet, të jeni të bindur.

Reforma në drejtësi edhe nëse do bëhet mesa duket do të funksionojë me disa standarde. Shkojmë në Dibër, po kthehet dhe Shukriu në punë, po sigurisht ka precedent. Nëse u lirua i pari, pse të mos kthehet i dyti? Dhe Shukriu do kthehet në punë. Më thoni pra kush e qeveris Kavajën dhe Dibrën? Kush i qeveris këto qytete, ka tri muaj. Nuk po them si ka mundësi që Rilindja nuk licencon zgjedhjet atje. E di pse nuk ka mundësi, e dija që ditën e parë. Kur nuk funksionon drejtësia me ligj duhet të funksionojë drejtësia me votë, të dyja i fshimë ne.

Doni prapë? Një deputet, këtu ka qenë, përdori armën për një punë të veten personale, do kthehet pas një jave të votojë për reformën në drejtësi. Por dhe Ballist Morina kishte një pistoletë pa leje, është në burg akoma. Dhe Kampionatin Europian nuk pati mundësi ta shohë megjithëse ishte ai që na çoi atje për fat të mirë. Ky është standardi si veprohet në Shqipëri. Ka shumë arsye pse nuk po ndodh reforma në drejtësi, po një do ta them sot. Paaftësia e Lulit dhe Edit për t’u marrë vesh”, u shpreh Blushi.

ME TE LEXUARAT