Zbulohet pakti i minutës së fundit, ja kush do t'i filtrojë gjyqtarët

Aktualitet

drejtesia15Negociatat e orëve të fundit mes maxhorancës dhe opozitës para votimit të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, kanë ndryshuar tërësisht formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Këto dy struktura të rëndësishme, që do të jenë “qeveria” e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pritet të kalojnë në filtrin e Parlamentit. I gjithë procesi i seleksionimit të kandidaturave, sipas ndryshimeve kushtetuese, do të bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Parlamentit.

Në hierarkinë e Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm mund të konsiderohet numri dy, pas kryetarit të Parlamentit. Në draftin e parë, kompetenca e seleksionimit të kandidatëve për KLGJ­në dhe KLP­në i ishin lënë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, strukturë e re që do të bënte verifikimin dhe listimin e kandidatëve në bazën e meritave,apo përjashtimin e tyre kur nuk përmbushin kriteret ligjore.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kjo kompetencë tashmë i ka kaluar Kuvendit, duke i dhënë kompetenca shumë të rëndësishme Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas neneve 147 të Kushtetutës së re, thuhet se Sekretari i Përgjithshëm, në rastet kur ka vende të lira në KLGJ dhe KLP, shpall njoftimin për vendet e lira. Po ashtu, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave bën verifikimin e kandidatëve që plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj. Kandidatët që plotësojnë kushtet, do të përfshihen në një listë të veçantë, ndërkohë që në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë. Por duke qenë se Sekretari i Përgjithshëm ka marrë shumë kompetenca, në Kushtetutë është lënë një “valvul”, e cila mund të anulojë vendimet për heqjen e kandidatëve. Kjo kompetencë i është lënë nënkomisionit të ri që krijohet, i cili me votë konsensuale mund të rikthejë në garë një kandidat. “Nënkomisioni përbëhet nga 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica parlamentare. Nënkomisioni, me të paktën katër vota, mund të përfshijë në listën e kandidateve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për mospërmbushje të kritereve formale. Nënkomisioni i përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short”, thuhet në nenin 147 të Kushtetutës. Lista e kandidatëve do të hidhet në votim në Parlament dhe kërkon 2/3 e votave ose 94 të tilla. Në rast se dështon në dy raunde, në raundin e tretë ajo quhet e miratuar. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të angazhohet dhe me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit në përzgjedhjen e anëtarëve të parë të KLGJ dhe KLP./Panorama

anetaret-zgjedhje

ME TE LEXUARAT