Parashikimi i Financave, euro do të këmbehet me 146 lekë në 2018

Kliko per me shume info

EURO-2018Për efekt të administrimit të borxhit, Ministria e Financave parashikon që këmbimi i lekut me euron të nënçmohet në mënyrë të dukshme në dy vitet në vijim.

“Kursi i këmbimit të monedhës vendase kundrejt monedhës Euro që është dhe monedha me peshën më të lartë në portofol pritet që të jetë i qëndrueshëm, por për efekte të diferencimit të risqeve të strategjive të analizuara është supozuar një rritje graduale deri në 146 lekë për euro në fund të vitit 2018” thuhet në Strategjinë e re të menaxhimit të borxhit për periudhën afatmesme 2016-2018.

Kliko per me shume info

Stoku i borxhit shtetëror të nominuar në monedhë të huaj është rritur nga 43.1% e totalit në vitin 2014 në 48.6% në vitin 2015, duke sjellë një rritje të moderuar të ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, sqaron Ministria e Financave.

Rritja e nivelit të borxhit në monedhë të huaj ka ardhur kryesisht nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të likujdimit të detyrimeve të prapambetura, garancia pjesore e bankës botërore (PBG) dhe Eurobondi.

Shtesa prej 3.6% e financimit të huaj mbi objektivin është bërë në kuadër të kostove të favorshme që kanë rezultuar në tregun e jashtëm gjatë emetimit të Eurobond-it, në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të presionit të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit dhe rrezikut të normave të interesit.

Shifrat tregojnë se , rreth 70.0% e portofolit në monedhë të huaj përbëhet nga monedha euro, duke e bërë këtë portofol jo shumë të diversifikuar. Megjithatë, pesha e lartë e portofolit në monedhën euro dhe është në përputhje me objektivat strategjikë për tu integruar në një të ardhme të afërt në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, ekspozimi i lartë ndaj kësaj monedhe nuk ka përbërë shqetësim pasi gjatë viteve të fundit monedha Euro nuk ka qenë shumë volatile në raport me monedhën vendase, për shkak të marëdhënieve ekonomike me vendet e BE.

Gjatë katër viteve të fundit maksimumi i luhatjes së kursit të këmbimit EUR/LEK ka qënë 1.4%. Ndërkohë, monedha vendase ka pasur luhatje që arrijnë deri në 6.0% kundrejt monedhës USD, që është dhe monedha e dytë më e rëndësishme për sa i përket peshës në portofolin e borxhit.

Ministria e Financave lajmëron se rritja progresive e borxhit që duhet shërbyer në monedhë të huaj është në nivele të konsiderueshme dhe sigurimi i valutës në tregun e brendshëm valutor është i kufizuar dhe mund të krijojë implikime në ruajtjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase kryesisht kundrejt monedhës Euro.

Sigurimi i financimit nëpërmjet burimeve të huaja është një alternativë shumë e mirë për të mos ezauruar burimet e brendshme dhe për të stimuluar kreditimin ndaj sektorit privat, megjithatë edhe huamarrja në tregjet e huaja mund të ketë implikime që lidhen me faktorë që janë jashtë kontrollit dhe influencës së politikave fiskale dhe monetare të vendit të Shqipërisë të tilla si normat e interesit dhe kursi i këmbimit që varen kryesisht nga politikat fiskale të vendeve të tjera dhe politikat monetare të BQE dhe Rezervës Federale.

Dikasteri i Financave analizon se, këta faktorë mund të përshkallëzojnë rritjen e kostove të borxhit, zgjerimin e defiçitit dhe si rrjedhojë edhe rritjen e pavullnetshme të borxhit. Nga ana tjetër, rritja e stokut të borxhit kur nuk shoqërohet me rritje të eksporteve ose rezervave valutore mund të vërë vendin në vështirësi për të likujduar detyrimet në valutë, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e monedhës vendase dhe indikatorëve të tjerë makroekonomikë./Monitor

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here