Eni Çobani imazhi i ri i “Menakon”

Kliko per me shume info

enilivingJuristja Eni Çobani merr ftesë nga Shtëpia e Modës MENAKON, në Gjilan të Kosovës, për t’u bërë imazhi i saj. Stilistët parapëlqejnë modelet “kockë e lëkurë” për të përfaqësuar krijimet e tyre, por ja që ndodh edhe kështu. Është personaliteti dhe profili i dashur publik që e bën Enin imazhin e përsosur për një linjë veshjesh, por jo vetëm kaq. Juristja ka një paraqitje e portret shumë të bukur, ndaj jo rastësisht ishte kësaj here muza e krijuesve të një shtëpie mode. Me siguri së shpejti do të shihemi me zonjën Eni dhe në postera… jo vetëm në gjyq!

Në evenimentin e këtij viti të Geraldina Sposa-s, Metush Zymberi, administrator i Shtëpisë së Modës MENAKON , takoi Eni Çobanin dhe i tërhequr prej sharmit të saj, të cilin e pasqyronte jo vetëm atë mbrëmje, por edhe në çdo dalje televizive, i bëri asaj një ofertë befasuese. “Diçka që s’e prisja”, kujton juristja. Përgjithësisht, ftesa të tilla u bëhen modeleve. Ato nuk kanë një bukuri klasike, megjithatë fitojnë epërsi nga shtëpitë e modës për shkak të linjave të shkëlqyera trupore. E kundërta ndodh me Enin… ndoshta për herë të parë në historinë e modës shqiptare. Ndonëse ajo nuk ka përmasat e një modeleje tipike, njihet për tiparet e bukura në portret. Bionde me sy blu.

Kliko per me shume info

Kombinimi i përsosur. Por, pavarësisht nga gjithçka, arsyeja pse Menakon përzgjodhi si imazh Enin s’ka edhe aq lidhje me fizikun, sa me personalitetin. “Ne investojmë te vlerat njerëzore, si rasti i zonjës Çobani”, thotë Zymberi. “Eni është tepër e njohur në Kosovë, ku gëzon admirim të jashtëzakonshëm, si modeli i një gruaje të suksesshme e me personalitet. Ka elegancë shpirtërore, që për ne është më e rëndësishme se pamja e jashtme. Eleganca në sjellje pastaj, ia shton më tej vlerat përzgjedhjes sonë dhe i jep më tepër kuptim”.

“Disa javë më parë u befasova, po aq sa ju, nga kërkesa që më erdhi nga Shtëpia e Modës MENAKON . S’e kisha menduar se mund të frymëzoja një stilist për të qepur diçka të posaçme për mua, ndaj s’e fsheh që kjo më bëri të ndihem e vlerësuar. Kënaqësia është e dyfishtë kur mendoj se ftesa erdhi nga Kosova, një vend që e dua, edhe sepse një pjesë të origjinës e kam prej andej. Shkoj shpesh në Kosovë, por kurrë s’e mendoja se do të vishesha nga një stilist kosovar. Megjithatë, zoti Metush e arriti qëllimin, sepse unë u ndjeva shumë mirë e veshur me krijimet e tij. Kjo nuk është pak po të mendosh se më njeh prej një kohe të shkurtër dhe për më tepër, jo nga afër, por nga ekrani, siç më njohin mijëra shqiptarë. Fiziku është një tipar dallies dhe identifikues i figures sime, edhe asaj publike. Kam qenë gjithnjë e mbushur, që fëmijë. E kuptoj këtë kur shoh fotot, çka e bëj shpesh kohët e fundit. Kam mbetur po ajo Eni. Jam rritur, po tiparet nuk kanë ndryshuar. Aty është edhe shëndeti. Ne e kemi në gjen peshën, pasi im bir, sot 16 vjeç, më ngjan mua fizikisht, ndaj është dhe ai buçko. Por ka nisur palestrën e ka ca zakone të mira dhe për këtë pjesë jam e qetë. Ai nuk e ka qejf makinën, parapëlqen biçikletën. Ka filluar të ndikojë madje te ne, duke na shtyrë të shmangim makinën sa të mundemi e të përdorim biçikletën. Ndodh e anasjella, pra, po na edukon ai ne, jo ne atë, siç duhet të ndodhte. Kjo është e bukura. Ja që zakonet janë gjëja më e vështirë për t’u ndryshuar, sidomos kur të mungon shtysa, arsyeja e motivimi. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm. Si për pamjen, edhe për shëndetin. Unë deri më sot kam qenë mirë me trupin, nuk kam pasur probleme shëndeti, prandaj jam treguar ndoshta disi neglizhente në lidhje me peshën. Po bëhet një muaj që shkoj në fitnes dhe ndiqem nga një nutricioniste e talentuar, si Arlinda Garuci. Besoj se edhe për ata që më shikojnë nga ekrani, është më mire të më shohin në formë. (Të kuptohemi, nuk synoj të bëhem kockë e lëkurë, se dhe të doja nuk ia arrij dot). Po kombinoj ushtrimin fizik me ushqimin e kontrolluar e rezultati po duket pak e nga pak. Pamja është një kombinim i trashëgimisë me stilin e jetesës, problemi kryesor i viteve të fundit. Unë për vite të tëra nuk jam ushtruar, kam bërë një jetë sedentare dhe jam ushqyer keq. Si shumica prej nesh, besoj. Ha shpejt, rrëmujshëm e ushqime jo “me lugë” e të freskëta, por të shpejta. Ngaqë nuk kam kohë dhe ritmi i punës sonë, dihet, është i çmendur. Ndodh shpesh që drekën ta ha në zyrë, teksa jam duke folur me njerëzit. Unë ha, ata tregojnë. Ky është problemi im kryesor. Fiziku ndikohet edhe nga gjendja shpirtërore dhe kohët e fundit jam e lodhur nga takimet e shumta, njerëzit që shfryjnë hallet tek unë. Ngarkesa negative që marr prej tyre ndikon në shëndetin tim shpirtëror, mendor e fizik. Shpesh fle në darkë me idenë se dua të heq dora nga gjithçka, por në mëngjes më duket sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe e nis nga e para. Me po atë dashuri e përkushtim, përpiqem t’u bëj të tjerëve sa më mirë të jetë e mundur. Edhe pse jam ndier e ndihem mirë me trupin tim, kjo nuk do të thotë se duhet të resht përpjekjet për t’u përmirësuar. Nuk e vuaj trysninë e të qenit e përsosur, ama jam vazhdimisht në kërkim të më së mirës për veten, në të gjitha aspektet. Pamja fizike s’duhet të ndikojë te të tjerët, pasi ata duhet të shohin brendinë. Për më tepër, bukuria s’është diçka e përcaktuar dhe shkencë ekzakte. Është çështje shijesh dhe shijet nuk diskutohen”.

eniola-700x397

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here