Lubonja: Drejtësia në duart e ndërkombëtarëve, ditë e zezë për Shqipërinë

Kliko per me shume info

lubonjaAnalisti Fatos Lubonja nuk e konsideron as revolucion dhe as ngjarje historike për Shqipërinë miratimin e reformës në drejtësi, që pritet të ndodhë më 21 korrik. Në një intervistë për “Ora News”, Lubonja shprehet se vendosja e drejtësisë në duart e ndërkombëtareve, përbën një moment të errët për vendin tonë.

Ka një përpjekje nga të gjitha palët, qoftë nga PD-ja, PS-ja apo LSI-ja për miratimin e reformës në drejtësi. Si e shihni ju këtë, një përpjekje serioze apo një zvarritje të radhës?

Kliko per me shume info

Unë i qëndroj mendimit tim se e gjithë kjo zhurmë për miratimin e reformës në drejtësi nuk ka të bëjë me drejtësinë, por është një luftë politike, një pretekst për luftë politike, për larje hesapesh midis forcave të ndryshme politike. Nëse do ishte për të mirën e Shqipërisë që të arrihej një konsensus, një marrëveshje që Shqipërinë do ta fuste ne Europë, atëherë do të bëhej një hap. Nuk besoj se është dikush që mendon se drejtësia do të vendoset sot ose nesër nëse do të miratoheshin ato aktet nënligjore. Po tentohet të bëhet një luftë për pushtet në kuptimin që kush e do dhe kush nuk e do më shumë drejtësinë, kush e do kush nuk e do më shumë Amerikën. Në këtë aspekt kanë mbetur tek diçka banale që të kujton debatet mbi seksin e engjëjve që bëheshin në Mesjetën e hershme që në thelb nuk ishte çështja se çfarë seksi kanë engjëjt, por ishte luftë për pushtet midis fraksioneve të ndryshme. Kjo është një luftë për pushtet që ka nisur prej kohësh midis Edi Ramës, i cili kërkon të çlirohet nga Ilir Meta, por sigurisht edhe luftë e opozitës me maxhorancën dhe në këtë luftë kjo është një nga pikat më kulmore, por që do të vazhdojë edhe sikur të aprovohet apo të mos aprovohet reforma.

Megjithatë, z. Lubonja, palët ndahen me argumentet me apo pa ndërkombëtarët në procesin e veting-ut, ndërkohë që PD-ja thotë që cenohet sovraniteti në këtë pikë. Ju si e shikoni?

Pikërisht ky problemi i veting-ut me apo pa ndërkombëtarët, roli i ndërkombëtarëve, sa do jenë ata ekzekutues dhe sa do të jenë ata monitorues, e gjitha kjo është ajo që quhet “seksi i engjëjve”. Pikërisht këtu është një nga pikat e forta ku zhvillohet lufta politike, se kush do të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve si rezultat i kësaj ndeshjeje. Në këtë aspekt mund të themi se Rama është më fitimtar, sepse ai e ka pozicionuar çështjen dhe tenton ta pozicionojë se ai është me ndërkombëtarët, ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, kërkon veting-un e ndërkombëtarëve, ndërsa këta nuk e kërkojnë, dhe pastaj insinuohet se këta kanë frikë ndërsa ky nuk ka frikë nga drejtësia. Por, ka edhe mbështetjen e ambasadorit amerikan Lu dhe të Vlahutinit. Unë mendoj që çështja e veting-ut ndërkombëtar duhet diskutuar, shqiptarët janë manipuluar a thua se do të vinë disa nga qelli, do zbresin këtu dhe do na bëjnë ne drejtësi. Ne i kemi ndërkombëtarët në Kosovë siç e keni parë, Eulex-i etj. dhe vazhdon të akuzohet klasa politike për korrupsion plus që shpeshherë ndërkombëtarët në politikat e tyre jo se kanë kërkuar drejtësi, por kanë dashur stabilitet, kanë mbështetur ca banditë kur iu është dashur. Pra, çështja e ndërkombëtarëve dhe demokracia nuk janë gjithnjë paralel. Pastaj, na lind problemi tjetër kush do t’i emërojë ndërkombëtarët, kush do t’ia bëjë veting-un ndërkombëtarëve sepse dikush do të thotë pse ky ndërkombëtar, pse ai. Mendoj, që ndryshe nga sa e paraqet politika, qoftë Edi Rama që e quan “revolucion”, apo Meta e quan “ngjarje historike”, është që: pas 25 vitesh klasa jonë politike tregon që është e paaftë për të ndërtuar shtet ligjor dhe drejtësi të pavarur dhe po ua jep ndërkombëtarëve drejtësinë në dorë. Kjo është ditë e errët për Shqipërinë. Do të na qeshi bota. S’ka vend demokratik në botë që gjyqtarët ia kontrollojnë të huajt. Katastrofë! Por shqiptarët manipulohen gjithnjë me të huajt dhe them që kjo është një lojë politike, por kjo reformë duhet të miratohet sa më shpejt që të kuptohet se edhe kjo ishte një lojë dhe se historia do të vazhdojë dhe nuk do ndodhë ndonjë çudi e madhe.

Si e shikoni rolin e kreut të Kuvendit Ilir Meta në këtë pikë pas artikulimit për qeveri teknike dhe si e shikoni koalicionin pas këtij artikulimi?

Unë kam botuar një shkrim që e kam ndarë në dy pjesë, ku në pjesën them që reagimi i Metës tregon se Shqipërisë i rri ngushtë kostumi i një autokrati, i një partie të vetme në pushtet. Sepse në fund fare, ajo që nënkuptoj është se fjala e Metës ishte se ne nuk mund t’ia japim drejtësinë Ramës dhe Rama ta përdorë për të na futur ne burg me ndihmën e amerikanëve, por ne duam një drejtësi që të jenë të gjithë përpara drejtësisë të barabartë dhe në këtë aspekt ishte një mbrojtje që bënte Meta ndaj kësaj lufte politike që po i bën Rama nëpërmjet drejtësisë. Pjesa e dytë pastaj për mua ishte shumë problematike sepse të flasësh për qeveri teknike dhe dekriminalizimin, të jep përshtypjen se do të zgjidhen disa gjykatës të ndershëm, të pastër dhe gjithçka do të shkojë në rregull për 30 vjet në Shqipëri. Ky është një iluzion, populizëm dhe demagogji si ai i Ramës që e quan revolucion reformën në drejtësi. Është edhe qesharake. Imagjinoni që tani do të vijnë dhe do t’u bëjnë veting gjyqtarëve dhe do u thonë se çfarë shtëpish ke ti, çfarë makinash ke ti, si e ke vënë pasurinë ti, ndërkohë që për veting kanë nevojë të gjithë që nga politikanët, gazetarët e me radhë ata që kanë pushtet dhe oligarkët që janë mbrapa kësaj. Një gjë ne e kuptojmë shumë mirë se pushtetin kryesor në Shqipëri nuk e ka drejtësia, por politika veçanërisht e lidhur me oligarkinë. Pra këta dy elementë kryesorë të pushtetit korruptiv në Shqipëri kanë nevojë për veting, pastaj të tjerët. Do thoni ju a mundet që një drejtësi e pavarur t’u bëjë drejtësi këtyre. Unë dyshoj shumë që ajo drejtësi që mund të dalë pas kësaj reforme të mund t’iu bëjë veting këtyre për të hyrë ose jo në politikë.

Lubonja, si e shikoni refuzimin e ambasadorëve për tryezën e përbashkët që thirri kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe a tregon kjo që ambasadorët janë kundër propozimit të tij për qeveri teknike?

Unë kam folur shumë për ambasadorët dhe i kam ekzagjeruar ndonjëherë disa gjëra që kam thënë, por unë mendoj që ambasadorët që kanë hyrë në këtë lojë kanë një vlerësim të gabuar të situatës. A janë të izoluar, a kanë udhëzime të gabuara apo flitet për korruptim dhe lobingje këto janë gjëra që nuk i them dot me bindje. Por, me bindje mund të them që ambasadorët gabojnë vazhdimisht në Shqipëri dhe fakti që jemi ende në këtë gjendje edhe pas 25 vitesh nën tutelën e ambasadorëve gjoja, tregon se ambasadorët kanë dështuar dhe nuk është ky rasti ku këta do të kenë sukses. E pashw ambasadorin Lu duke protestuar me shoqërinë civile, por nuk e pashw të protestonte me shoqërinë civile kur ne u nxorëm me dhunë nga Rama, nga badigardët e një oligarku të Ramës. Nuk e kam parë të flasë kur Rama mbyll televizionet me dhunë dhe në mënyrë të paligjshme. Gjithmonë ambasadorët kanë qenë me pushtetin, me qeverinë, vazhdimisht dhe të gjitha ata që sot na akuzojnë se flisni kundër ambasadorëve kur kanë qenë në opozitë nuk kanë lënë gjë pa thënë edhe për ambasadorët amerikanë, deri edhe me ngjyrën e lëkurës janë tallur një pjesë kur ambasadori amerikan konsiderohej se ishte i lidhur me punën e Gërdecit, me Berishën etj. Ambasadorët kanë atë rol që kanë, por duhet të tregonin më tepër respekt për shqiptarët pas 25 vitesh dhe duhet të bënin një analizë. Ja po ju pyes ju si gazetarë, a dini të më thoni mua se çfarë kishte gabim ajo kushtetuta përpara që është aprovuar po nga ndërkombëtarët. Çfarë kishte ajo të gabuar që tani do rregullohet!? E vetmja gjë është se na fusin këtë veting-un, d.m.th iu japim sovranitetin të huajve se për të tjerat unë nuk di ndonjë gjë. Nuk është bërë asnjëherë një analizë se pse nuk funksiononte drejtësia gjer tani, pse ka qenë e korruptuar.

Si e kuptoni ju deklaratën e Donald Lu-së të bërë në protestë se do të ketë ndëshkime individuale. Çfarë do të thotë ndëshkime individuale për të gjithë ata që nuk miratojnë reformën?

Unë kuptova që do të ketë pasoja për deputetët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte një kërcënim që tingëllon shumë keq sepse mund të jenë po ata deputetë që nesër të thonë që kanë votuar me kërcënim, me dhunë. Është një poshtërim për figurën e deputetit. Nga ana tjetër mendoj se këta deputetë kanë shumë mëkate që pranojnë të tilla poshtërime sepse përndryshe është një poshtërim që nuk duhet pranuar. Unë nuk ka ndonjë gjë pse të mos shkoj në SHBA dhe të më kërcënojë Lu-ja që t’i nuk do të marrësh vizë. Pra, këta e kanë mizën nën kësulë, nëse tremben. Por, gjithsesi nuk është serioze për mendimin tim. Ngjan si erë juntash militare që mbështeten për të bërë ndonjë lëvizje, por edhe kjo nuk shkon. Pashw që kanë dhënë edhe një informacion se do të ketë trazira ditën e enjte nëse nuk miratohet reforma, a thua se do të ngrihet populli shqiptar po nuk u miratua reforma. Nuk arrij ta kuptoj, a manipulohen kaq lehtë këta njerëz, sepse dihet që shqiptarët janë të nënshtruar prej kohësh nga kjo klasë politike, por ata e dinë se çfarë do të ndodhë. Ata kanë një sens politik. Pra kjo është një fyerje edhe për shqiptarët. Shqiptarët e dinë se ç’do ndodhë edhe me reformën edhe pa të. Është fyerje për shqiptarët që të mendosh se ata do ngrihen në masë për të mbështetur ndonjërën nga këto parti.

Maxhoranca kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa opozita kërkon një qeveri teknike. Çfarë po diskutojnë palët në këtë mes?

Nuk mendoj që është kjo zgjidhja. Zgjidhja më e mundshme është konsensusi, që ta votojnë ditën e enjte. Shqipëria, si me votim si pa votim të kësaj reforme, do të ketë nja dy vite rrumpallë siç ka qenë gjithmonë. Sepse po të votohet do të fillojë lufta me ato ligjet dhe nënligjet që do të vihen në funksion të kësaj kushtetute të re, me vetingjet, kush do të jetë në vetingje, pastaj me emrat, me votimet. Pra nja dy vjet do ta kemi historinë të hapur. Nëse nuk votohet, do të vazhdojë lufta politike që ju nuk e doni drejtësinë dhe ne e donim, juve nuk ju do Amerika, ne na do dhe kështu do vazhdojë po kjo histori. Ndërkohë, vendi është në një gjendje katastrofike siç po e përjetojmë dhe ka nevojë për qeverisje, për seriozitet dhe stabilitet. Por atë që di të bëjë më mirë kjo klasë politike është konfliktualiteti dhe demagogjinë për një Shqipëri më të mirë. Në të vërtetë gjendja është shumë e vështirë në vend. Edhe një qeveri teknike do të ishte shumë e vështirë, sepse nuk e di kush e merr përsipër duke pasur nga mbrapa këta gangsterë. Është e vështirë të gjesh njerëz serioz. Ndaj unë them që duhet shumë gjakftohtësi dhe durim në këtë situatë sepse demokracia nuk vjen dhe ndërtohet në një ditë, as me ndonjë revolucion sepse fjala revolucion është një fjalë e frikshme dhe këtu nuk ka revolucion sepse revolucion do të thotë një popull që ngrihet dhe përmbys gjithçka. Por tani nuk jemi në këtë situatë, sepse po të kishte revolucion ai duhet të përfshinte të parët këta që kanë 25 vjet në pushtet, që bëjnë korrupsion dhe padrejtësi. Drejtësia, nuk është veçse një derivat i korrupsionit dhe padrejtësisë së tyre.

Lubonja, ka edhe një alternativë tjetër që po artikulohet dhe përforcohet ditët e fundit, është referendumi. Ju si e shikoni si opsion?

Varet se si bëhet referendumi, cila është pyetja që shtrohet në referendum sepse referendumet bëhen me po ose jo. Që të thuash a doni drejtësi, 100 për qind shqiptarët do thonë po, duam drejtësi dhe fiton referendumi. Ndërsa a doni një reformë në drejtësi alla Rama apo alla konsensus kjo është diçka tjetër. Pra ka disa pyetje që mund të shtroheshin dhe një tjetër do të ishte doni apo jo t’iu qeverisin ndërkombëtarët? Pa dyshim të gjithë shqiptarët do të thonë po sepse janë shumë të lodhur me këtë klasë politike. Por, ky referendum nënkupton që këta duhet të lënë pushtetin. Ndërkohë, që ndërkombëtarët janë protektorë që duan të ndërtojnë një protektorat ku ata të mos kenë përgjegjësi sepse duhet t’i votojmë ne ndërkombëtarët si popull, jo t’i zgjedhin ndërkombëtarët po këta politikanë. Një opsion i mirë do të ishte, a doni që drejtësia të zgjidhet nga populli, që trupa gjyqtarëve të dilnin në garë, por edhe kjo është ideale. Pra që gjyqtarët t’i zgjedhë populli, të mos i zgjedhin partitë apo parlamenti. Gjithsesi nuk ka demokraci ideale. Mendoj që klima në vend është shumë e acaruar, të gjitha ato të ashtuquajtura reforma që ka bërë Rama këto tre vjet, qoftë ajo kundër trafiqeve të drogës, qoftë në polici, qoftë në administratë apo ajo territoriale nuk shoh të kenë prodhuar ndonjë sukses. Të gjitha për mua kanë qenë më së shumti për të hequr disa njerëz të atyre dhe për të vënë disa njerëz të tij. Kjo është bërë pa strukturuar sistemin dhe pa goditur sidomos lidhjen e politikës me ekonominë kriminale, me oligarkinë dhe me mediat, të cilat janë pushteti kryesorë në Shqipëri. Drejtësia është një pushtet i rëndësishëm, por është i pafuqishëm përpara këtyre. Mund të zgjedhësh gjyqtarë që nuk kanë pasuri apo që mbahen vetëm me rroga, por nuk mjafton kaq për të pasur gjyqtarë me kurajë qytetare që të mund t’iu kundërvihen këtyre të fuqishmëve./OraNews/

Kliko per me shume info
SHARE

1 COMMENT

  1. ti je analist falc o njeri nese je njeri,kthjellu nga inkriminimi komunist i enverit se mu kjo e ka kontaminu edhe mendjen e salihut per ndertimin dhe funkcionin e shtetit,po te ekzistonte mundesia te futej ne kushtetut monitorimi amerika dhe europian per qytetarin shqipetare do ishte clirim per lirin dhe te drejtat e tyre dhe garanci e sovranitetit te shqiperis se paragjykimet tuaja per sovranitetin dhe c’fare ofron plebishiti politik ne kete rast i PD ne roberimin dhe nenshtrimin e qytetarit shqipetar ndaj krimit dhe uzorpuesve te shtetit,mos e fyeni identiteit njerzor me hapesirat qe ju ipen ne shtyp dhe mediat shqipetare te propagandoni nivelin e ulet njerzor dhe turperimin e shqipetareve para Zotit dhe botes

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here