Aksidentoi nënën e dy fëmijëve, jepet masa e sigurisë për Andrea Memollarin

Aktualitet

Andrea MemollariGjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për 20-vjeçarin që aksidentoi për vdekje nënën e dy fëmijëve.

Ndërkohë 20-vjeçari është shfaqur  i penduar për ngjarjen.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas policisë, Memollari akuzohet për dy vepra penale, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. E si pasojë, sipas Kodit Penal, ai rrezikon deri në 10 vite heqje lirie.

Pas ngjarjes së rëndë në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku humbi jetën shtetasja Dhurata Prifti, Andrea Memollari deklaroi përpara efektivëve të policisë se ishte duke biseduar në telefon në momentin që shkeli gruan me makinë.

“Ma kishte marrë mendjen telefoni. E kuptova që e kisha shtypur vetëm kur trupi ishte poshtë makinës”, deklaroi ai.

Gruaja 38-vjeçare u aksidentua për vdekje nga Memollari, teksa ky i fundit ishte duke drejtuar makinën tip “Mercedes-Benz” me targa “AA 476 GL”. Në momentin kur ndodhi aksidenti, Prifti ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës së bashku me dy djemtë e saj.

Në tentativë për të shpëtuar fëmijët, ajo i ka shtyrë ata, duke u shpëtuar jetën. Ndërsa, autori i krimit i ka dhënë gaz makinës duke u larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u prangosur vetëm pak orë më vonë. Gruaja nuk mundi t’u shpëtonte plagëve të marra në trup e në kokë.

ME TE LEXUARAT