Premtimi i babait: Historia prekëse e Elseid Hysajt bën bujë në rrjet

Sport

hysaj2016Debutimi i Shqipërisë pritet me interes nga mediat më të mëdha në botë ne kampionatin europian. Prekëse mbetet historia se si lojtari shqiptar, Elseid Hysaj, po arrin majat.

“Kjo është përralla e një babai, një djali dhe një premtimi: Një përrallë se si një emigrant shqiptar e ndihmoi të riun e talentuar të bëhet një lojtar që mban mbi shpatulla entuziazmin e një kombi të tërë”, shkruan ‘The Guardian’ për historinë e lojtarit të Napolit, Elseid Hysaj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Një sezon i shkëlqyer me Napolin në Seria A, e ka bërë 22-vjeçarin një prej lojtarëve më të kërkuar në Europë, për të cilin interesohen Bajerni, Atletiko, Çelsi e madje edhe Barcelona. Asgjë nuk do ishte e mundur nëse babai i Hysajt, Gëzimi, një emigrant shqiptar në Itali, nuk do kishte besim të verbër tek aftësitë e Elseidit, i njohur edhe si Elsi, që kur ai goditi topin për herë të parë”.

“Si shumë shqiptarë të tjerë gjatë viteve ’90, Gëzimi rrezikoi jetën e tij duke udhëtuar me skafe për të punuar në Itali si emigrant ilegal, duke bërë të gjitha llojet e punëve që të siguronte mirëqenien e familjes. Ai e bëri udhëtimin e rrezikshëm drejt Italisë disa herë, në mënyrë që të dërgonte para në Shqipëri, ku Elsi i vogël rritej nga mamaja e tij. Pjesë e një ekipi të vogël amator në Shkodër, Hysaj nisi të tregonte talentin në futboll që në moshë të vogël. Babai e vuri re shkëndijën dhe me pak fat siguroi që jeta e të birit të ndryshonte për mirë”.

“Një nga punët që bënte rregullisht babai i tij si një emigrant që punonte fort, ishte në ndërtim. Në verën e vitit 2004, Gëzimi nisi të punonte për të restauruar shtëpinë e Marco Piccioli-t, një agjent italian i regjistruar pranë FIFA-s, që ka menaxhuar disa lojtarë të njohur. “Djali im është një futbollist. A mund t’i gjesh një skuadër”, e pyeti Gëzimi agjentin, që kur mësoi se Elseidi ishte vetëm 10 vjeç, u përgjigj me humor: “Është i ri, sille këtu pas katër ose pesë vitesh”.”

“Përgjigjia nuk e dekurajoi Gëzimin, që arriti të mbante kontakt me Piccioli-n. Ndërkohë Hysaj i vogël vazhdonte të luante në Shkodër me amatorët, teksa ishte anashkaluar nga profesionistët e Vllaznisë. I riu që luan me këmbën e djathtë nisi të shfaqej si një mbrojtës i mirë”.

“Kur Elseid ishte 14 vjeç, Gëzimi vendosi që t’i kujtonte agjentit për premtimin që i kishte bërë disa vite më parë. Ai u takua me Piccioli-n dhe e pyeti nëse mund t’i organizonte disa prova në akademitë italiane. Agjenti iu përgjigj pozitivisht dhe që prej atëherë kontaktoi me Fiorentinën. Hysaj udhëtoi në Itali dhe i habiti tek klubi italian, që tentoi të nënshkruante një kontratë. Por ishte e vështirë për shkak të procedurave burokratike për fëmijët e emigrantëve. Kështu Fiorentina nisi të hezitojë, ndërsa Empoli u shfaq në skenë dhe Hysaj nisi të luante për akademinë e Empolit në vitin 2009”.

“Sezoni i shkëlqyer me Empolin bëri që ai të bëhet i famshëm në Itali dhe vendlindjen e tij. Forma e mirë i siguroi një kontratë me Napolin dhe një vend në Euro 2016”.

“Por ndërsa shumë lojtarë i shpenzojnë paratë për rroba dhe makina të shtrenjta, gjëja e parë që bëri Hysaj ishte të siguronte se sakrifica e babait nuk shkoi kot. Në fillim të vitit 2014, në Firence u hap Bar Elsi dhe Gëzim Hysaj tani është menaxher i biznesit të tij. Bari është një vend ku takohen shqiptarët, por edhe tifozët e futbollit. “Po sigurohem që ditët kur ai punonte fort, të mbarojnë. Ai ka sakrifikuar shumë për mua dhe unë po përpiqem t’ia kthej,” më tha 20-vjeçari Hysaj para disa kohësh. Pra është e vërtetë kur thonë se molla nuk bie larg pemës”.

ME TE LEXUARAT