Ky është i dyshuari kryesor për masakrën e Stambollit

Bota

terroristiPolicia turke ka identifikuar të dyshuarin kryesor që mendohet të ketë qënë organizatori i sulmit që tronditi aeroportin Ataturk të Stambollit. Fjala është për Ilhami Balin i cili njihet ndryshe edhe si Ebu Bekir.

Ai konsiderohet si një prej komandantëve më të lartë të Shtetit Islamik në Turqi si dhe dyshohet të jetë përgjegjës edhe për një sërë sulmesh të tjera. Bekir shihet si një figurë e rëndësishme e kësaj organizate terroriste pasi ka një rrjet të gjerë që shtrihet në pothuajse të gjithë territorin turk.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Terroristi dyshohet gjithashtu se ka qënë një prej trafikantëve kryesorë që ka dërguar armë në Siri për llogari të Shtetit Islamik. Lajmi është njoftuar fillimisht nga mediat ndërkombëtare të cilat kanë cituar burime konfidenciale, por ende nuk është konfirmuar në rrugë zyrtare.

Autoritetet kanë nisur punën për të identifikuar edhe tre personat që sulmuan aeroportin Attaturk. Zyrtarët e Policisë kanë publikuar edhe këto pamje filmike në të cilat shfaqet një prej të dyshuarve. Ai shihet gjatë kohës që vrapon pak minuta pas shpërthimit të parë, ndërkohë që mban në dorë edhe një armë të llojit Kallashnikov. Ndërkohë, në qarkullim janë vendosur edhe fotografi të tijat.

Autoritetet kanë kërkuar ndihmë për të bërë të mundur identifikimin e tij. Ende nuk ka një konfirmim se cili grup qëndron pas kësaj tragjedie. Në një komunikatë për mediat, militantët kurdë e kanë mohuar autorësinë ndërkohë që ende nuk ka patur asnjë reagim nga ekstremistët e Shteti Islamik. Megjitahtë, ISIS mbetet edhe pista kryesore e hetimit.

ME TE LEXUARAT