Gjiknuri-Çela në Elbasan, përfundon pajisja e abonentëve me matësa

Kliko per me shume info

gjiknuri-celaOperatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka përmbyllur procesin e plotësimit me matësa të të gjithë abonentëve në rajonin e Elbasanit ku përfshihet edhe Librazhdi, Gramshi e Cërriku. Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela ndoqën sot nga afër punën e strukturave lokale në terren. OSHEE ka investuar gjatë vitit 2015 mbi 99 milion lekë në këtë rajon ndërsa planifikon që brenda këtij viti të kryejë edhe 444 milion lekë investime të tjera që shtrihen nga qyteti Elbasan, zonat periferike, Librazhd, Gramsh e Cërrik.

Ministri Gjiknuri tha se duke nisur nga leximi i muajit të parë prej datës së vendosjes së sahatit, çdo konsumatori do ti faturohet energjia që konsumon duke mos patur me faturimin aforfe.

Kliko per me shume info

“Është një investim shumë i rëndësishëm dhe angazhim që po mbahet. Me rëndësi është të kuptohet nga çdo qytetar se dëmtimi dhe dhunimi i sistemit të matjes nuk do të tolerohet. Askush që do të vërë dorë mbi sahatet duke i dëmtuar ato qëllimisht nuk do ti shpëtojë ndëshkimit të ashpër. Pajisja e konsumatorëve me matësa ka koston përkatëse financiare. Nuk mundet dhe nuk do të tolerohet që individë të caktuar të dëmtojnë sistemin e matjes dhe koston ta paguajnë qytetarët korrekt me ligjin”, u shpreh z.Gjiknuri.

Sipas tij, angazhimi i rradhës pas heqjes së faturave aforfe do të jetë transformimi i Zyrave të Kujdesit ndaj Klientit. “Operatori i Shpërndarjes po punon tanimë për kthimin e zyrave të Kujdesit ndaj Klientit në ambiente të denja për pritjen e qytetarëve. Natyrisht përmirësimi i shërbimit ndaj abonentëve është një përpjekje e vazhdueshme e kompanisë. Jemi krenar për atë çka kemi bërë deri më tani në sektorin energjitik por kemi ende shumë për të bërë pikërisht tek përmirësimi i cilësisë së furnizimit por edhe marrëdhënieve mes punonjësve të kompanisë dhe abonentëve”, theksoi Gjiknuri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së z.Adrian Çela deklaroi se vetëm për vitin 2015 në rajonin e Elbasanit janë kryer mbi 99 milion lekë investime në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes.

“Në qytetin e Elbasanit ka mbaruar rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të ulët me sistem kabllor ABC të 16 kabinave. Në zonat periferike të qytetit janë ndërtuar 2 kabina të reja që prekin disa prej fshatrave ku ka patur rrjet të amortizuar. Në qytetin e Peqinit ka mbaruar rikonstruksioni i rrjetit të tensionit të ulët të 19 kabinave. Në Gramsh janë rikonstruksuar me sistem kabllosh ABC 4 kabina dhe ndërtuar 3 kabina të reja”, u shpreh z.Çela.

Për vitin 2016, vlera totale e investimit të planifikuar arrin në 330 milion lekë. Këtu përfshihet rikonstruksioni i 71 kabinave brenda qytetit të Elbasanit dhe vendosja e linjës së re ABC në tension të ulët. Gjithashtu do investohet në lagjet periferike për rikonstruksiuonin e 21 kabinave prej të cilave edhe 4 janë në Peqin. “Jemi në procedurën e miratimit dhe të një investimi shtesë prej 114 milion lekësh për rrjetin e zonave Gramsh, Librazhd, Cërrik e Belsh ku do rikonstruktohen 35 kabina”, tha Çela.

Duke u ndalur tek vendosja e matësave, Çela sqaroi se “faturimi nuk është leximi që nis në muajin Qershor, por leximi që nis nga muaji Korrik kur nuk do të ketë qytetar me fatura aforfe. Dua ti bëj dhe një thirrje, jo për qytetarët e Elbasanit sepse se kemi hasur këtë problem, po nëpërmjet jush të gjithë atyre që pengojnë punonjësit tanë në montimin e matësave, të heqin dorë nga ky qëndrim. Pas datës 1 Korrik, kush nuk ka matës nuk do të marrë furnizim me energji elektrike, do të trajtohen njësoj si debitorët”.

Për rajonin e Elbasanit OSHEE regjistron mbi 200 përqind të arkëtimeve në 3 vitet e fundit dhe niveli i humbjeve ka zbritur nga 47% që ishte para 2 vitesh në nivelin e 20-25 %.

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here