"Pashë personazhe të krimit", gazetari Hoxha: Ja pse unë e shmang ish-bllokun

Aktualitet

artan-hoxha-gazetariGazetari Artan Hoxha analizoi pamjet e vrasjes së Elton Çiços, mbrëmjen e së dielës në Tiranë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, gazetari Hoxha tha se pamjet dëshmojnë se autori nuk është një vrasës i zakonshëm, por kemi të bëjmë me një profesionist.

“Autori hyn qetësisht në lokal, në një orar që lokali është i populluar.I është afruar viktimës, e ka bërë vrasjen pothuajse me puqitje. Viktima ka qenë i ulur me një oficer policie dhe dy qytetarë të tjerë, në momentin e vrasjes ka qenë duke shkruar mesazh me celular. Viktima rrinte i armatosur. Autori qëllon dy herë dhe kthehet për tu larguar. Përplaset me një person, i cili ka tentuar të dalë jashtë lokalit. Kapelja që ka përdorur e ka mbrojtur nga kamera e sigurisë për ta identifikuar. Kjo lloj dinamike dëshmon se kemi të bëjmë me një vrasës profesionist”- deklaroi Hoxha.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Në vendngjarje ka qenë edhe një oficer policie, i cili është dëshmitar i ngjarjes. Në pamje është në krahun e djathtë të viktimës. Polici nuk kishte armë me vete në momentin e ngjarjes”- u shpreh Hoxha.

Sipas gazetarit Hoxha, zona e ish-bllokut shihet si një oaz qetësie për personazhet e botës së krimit, pasi është vend i kontrolluar dhe nuk përbën rrezik për ta.

“Unë e shmang Bllokun sa më shumë të kem mundësi. Pse unë bëj thirrje që të bëhet kujdes në Bllok. Herën e fundit kam qenë të enjten, në një lokal në qendër të Bllokut. kam parë personazhe të botës së krimit që qarkullonin qetësisht aty, të shoqëruar nga dy tre persona, automjete me xhama të errët, automjete luksoze. Blloku është parë si një oaz qetësie për personazhe me precedentë penalë, apo personazhe të botës së krimit. Me një kolegun tonë na kanë ftuar të shkojmë në një lokal në bllok. Në momentin që kam hyrë në sallonin e atij bari kam këmbëngulur që të mos hyja aty, brenda kishte deputetë, gazetarë dhe personazhe të botës së krimit që mbase ata i dinë si biznesmenë. Kam qenë me kolegun tim, që dje ka qenë në të njëjtën ngjarje që për fat të mirë ka shpëtuar.”- deklaroi Hoxha.

Më tej, drejtuesi i emisionit “Xhungël” kujtoi ngjarjet e ndodhura prej 31 marsit të vitit të kaluar, kur u grabitën prindërit e viktimës Elton Çiça në Tepelenë. Sipas Hoxhës, vrasja e djeshme ka të bëjë me këtë histori konflikti.

“Viktima ka të bëjë me një histori konflikti që ka nisur në 31 marsin e vitit të kaluar. ai dhe vëllai i tij janë ndodhur në emigracion, kur në banesën e prindërve të tij një person ka kryer punime aty dhe është krijuar dyshimi se ky person mund të ketë dhënë informacion se në këtë banesë ka para. Në 31 mars tre persona kanë shkuar në banesën e Çiça dhe kanë marrë para disa sende me vlerë dhe kanë abuzuar me prindërit e viktimës. Policia ka shpallur në kërkim disa persona, por gjatë kohës që policia ka qenë në kërkim të autorëve, është ekzekutuar Robert Rama, i cili ishte në kërkim policor. Ky person dyshohej si autor në lidhje me grabitjen e 31 marsit. u ngjallën dyshime se këtë mund ta kishin bërë djemtë e familjes Çiça. Më pas ndodhën një seri atentatesh që lidhen me grabitjen e shtëpisë së prindërve të Çiças. Ose kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, ose në grupin e autorëve që kanë kryer grabitjen ka dhe vrasës. Grabitja është kryer nga njerëz që kanë shkuar nga kryeqyteti”- deklaroi Hoxha.

ME TE LEXUARAT