FMN: Reforma në drejtësi do ndihmojë rritjen ekonomike

Aktualitet

fmnFondi Monetar ndërkombëtar paralajmëron se reforma në drejtësi do të jetë kritike për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Në raportin e fundit për ekonomitë e rajonit, FMN vlerëson se dy reformat që mund të përshpejtojnë më shumë rritjen ekonomike të shqipërisë janë ajo e gjyqësorit dhe siguria e pronës.

Sipas Fondit, përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe forcimi i të drejtës së pronës mund të rrisin produktivitetin e ekonomisë shqiptare deri në 35 për qind, çka do të përshpejtonte ndjeshëm rritjen e prodhimit kombëtar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ekspertët e fondit nuk kanë dhënë detaje mbi mënyrën e llogaritjes së këtyre rezultateve. Por sipas tyre reformat e tjera strukturore si lehtësimi i procedurave të biznesit apo heqja e kufizimeve mbi investimet e huaja do të kishin efekte shumë më të vogla në nxitjen e ekonomisë se sa ndërhyrjet në gjyqësor dhe të drejtën e pronës.

Ngadalësimi i rritjes së produktivitetit është shkaku kryesor se pse rritja ekonomike në Shqipëri u tkurr me ritme dramatike nga 6 për qind që ishte para krizës, në gati 0 në periudhën 2012-2013. Nga ana tjetër shoqatat e investitorëve të huaj vendosin mungesën e besimit tek gjykatat si një nga pengesat kryesore për investimet e huaja dhe zgjerimin e aktivitetit të tyre në Shqipëri.

FMN thotë se pas vitit 2008 ambienti ekonomik botëror është bërë shumë më i vështirë. Ndaj sipas fondit, ecuria ekonomike e vendeve do të varet nga suksesi i reformave të vështira strukturore, ku ato në fushën e drejtësisë duken më të rëndësishmet jo vetëm në Shqipëri por thuajse në të gjitha vendet e rajonit.

ME TE LEXUARAT