Veliaj i vendosur: Do ecim me marshin e pestë për sheshin “Skënderbej”

Politikë

veliajNë një takim konsultativ me arkitektë dhe urbanistë për projektin e shndërrimit të sheshit “Skënderbej” në pedonale, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se projekti është ende në fazën që mund të ketë ndërhyrje për të siguruar lëvizshmërinë më të mirë.

Kjo sipas tij, qoftë duke bashkuar Unazën e Vogël me Unazën e Mesme në pjesën jugore të saj, apo nëse mund të bëhet një zgjerim të Unazës së Mesme ekzistuese për të kaluar nga Tajvani tek Xhamia.

“Pyetja është ku është mesi i artë midis një procesi demokratik dhe një efiçencë implementimi projekti. Unë besoj se kjo tavolinë duhet të na ndihmojë të gjejmë këtë mes të artë. Pra, të konsultohemi mjaftueshëm për të marrë më të mirën përpara se të fillojmë zbatimin”, tha kryetari i Bashkisë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kryebashkiaku tha se do të zhvillohen konsulta publike deri në fillim të qershorit, por tha se është mjaft e rëndësishme që ky projekt të realizohet në kohë.

“Unë akuzohem shpesh kur njerëzit thonë se kjo administratë po punon me shumë ngut. Nguti vjen nga padurimi për t’i bërë gjërat shpejt dhe për t’i dhënë një marsh tjetër punëve publike në Tiranë krahasuar me më parë. Kjo vjen edhe nga dëshira për të kapur kohën e humbur. Është mëkat të mos shfrytëzojmë këtë mundësi për të ecur përpara me punët publike të Tiranës, ndaj e shoh si një mundësi fantastike për t’i dhënë marshin e pestë gjithë kësaj procedure”, theksoi kryebashkiaku, Veliaj.

Arkitekti Artan Shkreli vlerësoi se projekti duhet të shërbejë si pikënisje për transformimin e gjithë qytetit, aty ku Bashkia vendos të ndërhyjë.

“Ne nuk kemi mundësi që brenda një kohe shumë të shkurtër të ndërhyjmë në të gjithë Tiranën për ta transformuar, por duhet që nëpërmjet atyre vendeve ku ndërhyjmë, të bëjmë transformimin e Tiranës. Që do të thotë: me bërjen e këtij sheshi duhet që e gjithë jeta qytetare e Tiranës, duke filluar nga banori më aktiv, te banori më pasiv, tek ai që nuk është integruar akoma në këtë qytet, ka akoma shumë lagje që nuk janë integruar me qytetin, të shërbejë sheshi “Skënderbej” për shpejtimin e këtij integrimi”, u shpreh Shkeli.

ME TE LEXUARAT