Ahmetaj: Kemi gati paketën mbështetëse për bujqësinë

Aktualitet

ahmetaj16Ministri i Financave, Arben Ahmetaj njoftoi të shtunën nga Elbasani se qeveria ka bërë gati ndryshimet në paketën e re të bujqësisë.

Paketa, sic tha ministri, i lejon fermerëve kryerjen e pagesave të vogla me para në dorë, kërkesën automatike në sistemin e tatimeve për faturat kompjuterike, klasifikimin me risk zero të eksportuesve në bujqësi, të cilët do të përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve.

Kreu i Financave publike zhvilloi këtë të shtunë një takim në Drejtorinë rajonale të Tatimeve dhe Doganave me sipërmarrës të këtij qarku. Gjatë takimit, Ahmetaj i njohu sipërmarrësit me masat në kuadër të fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ministri Ahmetaj nënvizoi angazhimin e qeverisë shqiptare se paketa e re fiskale nuk do të ketë ndryshime të taksave, por vetëm thjeshtim procedurash dhe ftoi sipërmarrjen të japë sugjerimet e veta deri në datën 20 qershor.

Pas dy javësh, tha ai, do të prezantohet aplikacioni i tatimpaguesit dixhital i cili do të jetë një instrument në favor të sipërmarrjes për të adresuar në Ministrinë e Financave pyetje, sugjerime, denoncime dhe kërkesa për informacion.

Ahmetaj i bëri thirrje administratës tatimore dhe doganore për komunikim dhe shërbim cilësor e modest ndaj sipërmarrjes sepse sikurse u shpreh ai, “ne nuk jemi në beteje me sipërmarrjen, betejën e kemi të përbashkët, kundër informalitetit”

ME TE LEXUARAT