Zbulohet arsyeja, ja pse u lirua mësuesi që dhunoi nxënësit në Dibër

Aktualitet

mesuesiZbardhet argumenti i plotë që kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, Halil Vani, dha gjatë seancës për masën e sigurimit personal për mësuesin Agim Muça. Gjyqtari ishte njëkohësisht kryesuesi i seancës për vlerësimin e masës për arsimtarin e akuzuar për dhunimin e nxënësve të shkollës fillore “Orzhanov”. Në seancën e mbajtur të dielën, që përfundoi me lirimin nga burgu dhe lënien në arrest shtëpie të mësuesit, gjyqtari theksoi se, krahas moshës, sjelljes korrekte, punës së gjatë në arsim të Muçës, duhet marrë në konsideratë edhe fakti se ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me medalje për punën dhe përkushtimin në edukimin e fëmijëve të krahinës së Gollobordës. Në fillim të seancës, Vani theksoi se shtetasi Agim Muça është kallëzuar në Polici për dhunë ndaj të miturve, ndërkohë organi i akuzës kërkon ndëshkimin e tij për veprën penale për të cilën ai akuzohet. “Dëgjuam me vëmendje akuzën, shtetasin Agim Muça dhe mbrojtjen e tij. Arrijmë në konkluzionin se ndalimi i këtij shtetasi është kryer konform ligjeve në fuqi. Po ashtu dosja në ngarkim të shtetasit Agim Muça ka mbërritur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër brenda afateve ligjore”, theksoi kryesuesi i seancës, Halil Vani. Duke argumentuar masën e sigurimit personal, Vani tha se Agim Muça nuk rezulton të ketë kryer më parë vepra penale si kjo që akuzohet apo të jetë dënuar nga organet e drejtësisë. Sipas Vanit, nuk ka prova e fakte të qenësishme që 63-vjeçari të ketë dhunuar nxënësit e shkollës “Orzhanov”.   “Personi nën hetim nuk paraqet rrezikshmëri në marrjen e provave nga strukturat e specializuara. Nuk ka dyshime se shtetasi Agim Muça mund të largohet, kjo edhe për shkak të moshës që ka. Shtetasi Agim Muça nuk është përsëritës dhe as i dënuar më parë”, shtoi Vani gjatë ligjëratës së tij.   Ai mori në konsideratë faktin se Muça ka punuar shumë vite në sektorin e arsimit dhe se është dekoruar. “Shtetasi Agim Muça, tha gjyqtari Vani, rezulton të ketë qenë edukator për më shumë se 40 vjet. Ai është dekoruar për meritat e tij nga Presidenti i Republikës me medalje të ndryshme si ‘Mjeshtër i Merituar’ dhe ‘Naim Frashëri’, klasi I-rë. Ndaj vendimi i gjykatës nuk ka vetëm qëllim ndëshkues, por edhe humanitar”, nënvizoi Vani. Sipas tij, masa më e përshtatshme është ajo e “arrestit shtëpiak”. Megjithatë, hetimet për rastin po vazhdojnë. Ndaj mësuesit denoncuan prindërit e tri vajzave të mitura, të klasës së tretë dhe klasës së pestë të shkollës së fshatit, “Orzhanov”. Ata pretenduan se fëmijët ishin dhunuar me shuplaka e më pas ishin goditur me dru zjarri nga mësuesi 63 vjeç. Rastin e dënoi edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

ME TE LEXUARAT