Delegacioni PE-Shqipëri, Macovei: Miratoni dekriminalizimin dhe drejtësinë

Politikë

macoProtesta e 8 dhjetorit tregoi edhe njëherë hendekun e thellë dhe dasitë e forta politike në Shqipëri. Në një intervistë për Top Channel, kryetarja e delegacioni PE-Shqipëri thekson nevojën e realizimit të reformës në drejtësi, e cilas sipas saj do të marrë shumë kohë, ndërsa kërkon votimin e ligjit për dekriminalizimin.

Monica Macovei thekson se, një ndër problemet e mëdha të Shqipërisë është mungesa e konsensusit dhe dialogut politik.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Monica Macovei, kryetare e delegacionit PE-Shqipëri: Reforma e drejtësisë do të marrë kohë, është reforma më e gjatë. Kjo u dëshmua në të gjitha vendet e rajonit dhe ato post-komuniste. Tani duhet miratuar ligji, që ndalon personat me të kaluar kriminale për të marrë poste publike. Ky duhet të kalojë dhe, nëse keni 1, 2, 3 apo 10 veta që bien sipas parashikimeve të këtij ligji dhe nuk zënë poste publike, kjo përbën një sukses. Nëse ka më shumë, në rregull. Por nuk duhet ta mbajmë të lidhur ligjin për t’u ndaluar personave me rekorde kriminale, që të zënë postet publike, me reformën e drejtësisë. Është e vërtetë se nevojitet besimi te vendimet gjyqësore, sepse në fakt ato kanë pasoja. Njerëzit mund të shkojnë në burg, ose nuk zënë poste publike në këtë rast. Ky është rreth vicioz dhe ju nuk mund të prisni për t’i bërë së bashku, kur të jetë gati reforma e drejtësisë, e cila mund të marrë disa vite. Prandaj miratoni këtë ligj, për t’iu ndaluar politikanëve apo nëpunësve të shërbimit civil, që të zënë karriget kur kanë të kaluar kriminale. Do të ketë plot raste dhe, me çfarë kuptoj, disa raste janë shfaqur tashmë. Ju shpëtoni nga këto njerëz, kështu. Nuk mund të ketë njerëz me të dhëna kriminale në shërbimin publik, sepse nuk mund t’u besosh këtyre njerëzve dhe vështirë të mendohet se ata do t’i shërbejnë komunitetit. Ka kritere të tjera mbi integritetin, që mund të zbatohen ndaj këtyre personave, si për shembull, justifikimi për gjithë pasuritë që kanë, edhe nëse figurojnë në emra të të tjerëve, të gjitha llogaritë bankare, makinat, vilat. Të bëhen publike sesi i kanë bërë të gjitha këto, sepse kur punon në sektorin publik nuk ke ndonjë rrogë të madhe, ndaj është mirë që kjo të kontrollohet. Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë për ndonjë propozim të tillë në ndonjë vend dhe nuk mendoj se është në të mirë të Shqipërisë testi i drogës. Kush e propozon këtë dërgon një sinjal të keq për Shqipërinë, pasi le të besohet se politikanët në Shqipëri marrin drogë. Unë nuk do e merrja seriozisht këtë, sepse çfarë do të thotë kjo? Do bëjmë tani testin e alkoolit? Nëse ka dyshime mbi një politikan se ai merr drogë, atëherë duhet luftuar ai, ose i kërkohet dorëheqja, ose shkarkohet. Kjo mund të ndodhë, siç ka ndodhur edhe në vendet tona. Por, kjo nuk mund të çojë drejt testit të drogës ndaj kujtdo që ka post publik, sepse ju nuk do të donit të dukeshit si një vend, ku të gjithë marrin drogë, diçka që nuk është e vërtetë. Nuk besoj se shqiptarët marrin drogë. Disa prej tyre mbase, por në çdo vend ka “disa” që e bëjnë këtë. Nuk ka më shumë të droguar në Shqipëri sesa në ndonjë vend tjetër, ndaj mbrojeni vendin tuaj dhe mos e bëni këtë.

TCH: Si kryetare e delegacionit për Shqipërinë, cili është shqetësimi kryesor për vendin, përveç këtyre dy çështjeve që përmendët?

Monica Macovei: Nuk ekziston konsensusi, konsesusi i vërtetë mes pozitës e opozitës për reformat. Ekziston një luftë e partive politike për pushtetin. Tani, kur merret rruga për në NATO dhe BE, për objektiva me interes kombëtar, njerëzit duhet të bëhen bashkë për këtë. Me atë që pashë, ky nuk është rasti. Në takimet tona, pra me Parlamentin Europian, lufta vazhdon sikur të ishte një çështje e brendshme. Jo, nuk është. Kur doni të takoni Parlamentin Europian, ne duam që të punojmë së bashku, me të gjitha partitë politike në Shqipëri, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë. Politikanët atje nuk duhet ta harrojnë se janë aty për të shërbyer në të mirë të njerëzve, dhe jo sepse kanë bërë ndonjë gjë spektakolare në jetën e tyre, apo se kanë merita të veçanta. Ata kanë pushtetin për të bërë të mira për njerëzit dhe jo për të bërë keq, apo për të mos bërë asgjë. Bëjnë vetëm luftë, luftë, luftë. Kam dëgjuar nga mjaft shqiptarë të zakonshëm se u ka ardhur në majë të hundës me këtë luftë, në një kohë kur duhet të punojnë, të bëjnë një gjë për ta. “Votova për ju”, ose “nuk votova për ju, por jeni aty. Bëni diçka për jetesën time”. Politikanët tuaj nuk e marrin vesh këtë dhe e patë se, edhe në takimin e fundit në Parlament Europian pati një luftë të vazhdueshme dhe dëshirë të përsëritur për të mos pasur rekomandime të miratuara. Kjo është e paprecedentë. Nuk më ka ndodhur me asnjë vend tjetër, nuk e di pse Shqipëria do që të jetë një përjashtim.

TCH: Në të vërtetë, në fund të takimit dyditor ndërparlamentar ju votuat për ndryshimin e rregullave të procedurës dhe për rekomandimet përfundimtare, të cilat u quajtën të papranueshme nga zëvendëskryetari demokrat, Aldo Bumçi. A janë në fuqi ato? A keni një përgjigje nga shërbimi juridik i PE-së?

Monica Macovei: Ne i miratuam rregullat e procedurës. Për rekomandimet presim ende një përgjigje nga shërbimi juridik, ku u drejtova për shkak se, në anën shqiptare, votimi ishte 7 me 7. Shtatë votuan pro rekomandimeve përfundimtare dhe shtatë votuan kundër miratimit të tyre. Pala europiane ishte në unanimitet, të katërt për të votuar miratimin e rekomandimeve. Kështu që, nëse bashkëkryetarët kanë një votë të cilësuar, që do të thotë votë të dyfishtë, atëherë konkluzionet janë të miratuara. Kjo ka të bëjë me interpretim të rregullores. Unë thashë vërtet se ato u miratuan, por gjithashtu pranova të pajtohem me fjalën e fundit të shërbimit ligjor dhe kjo tani është një çështje proceduriale. Thelbi i problemit është pse, në këtë rast, Partia Demokratike nuk do që të miratohen rekomandimet?! Ndodhi njësoj në Tiranë, në fillim të këtij viti. Ata më patën thënë “e kemi vendosur me kohë, para takimit, se s’do të kemi rekomandime”. Pyetja ime është pse e bëni këtë, sepse Parlamenti Europian bën rekomandim për Komisionin, për Këshillin e BE-së, për autoritetet shqiptare, për gjëra në të mirë të përparimit të vendit drejt anëtarësimit në BE. Përse nuk doni përfshirjen e Parlamentin Europian në këtë proces? Ne nuk jemi armiq. Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë, që të jetë pjesë e BE-së. Përpjekja për të mos miratuar rekomandimet nuk është një zgjidhje në të mirë të vendit për mua. Nuk e di nëse janë pyetur njerëzit për këtë, por le të bëhet një referendum. A duan apo jo ata, që Parlamenti Europian të bëjë rekomandime! Nëse ata duan të bllokojnë, mirë. Shqipëria nuk përfiton kështu, përkundrazi. Ne rekomanduam në të mirë, së fundmi, për ligjin që ndalon pjesëmarrjen në postet publike të personave me të dhëna kriminale, apo zgjidhjen e pronës, për një sistem të shpejtë e të ndershëm drejtësie, për depolitizimin e administratës. Ne duam fiks atë që duan njerëzit. Nuk dua të komentoj sjelljen e zotit Bumçi. Kam dëgjuar se, pas takimit ai ka deklaruar se u trajtuan si “kafshë” këtu. Gjatë dy ditëve të këtij takimi, ai ndërpriste vazhdimisht, duke kërkuar përse nuk kishte të pranishëm më shumë anëtarë të Parlamentit Europian. Edhe kjo ndikon për keq ndaj vendit. Unë nuk e di sesi mund të thotë dikush se u trajtua “si kafshë” - një fjalë që nuk do e përdorja kurrë - kur ne e mirëpritëm. Paguam për vizitën e tij. Ai qëndroi në hotel në një vend mjaft të mirë. Patën darkën e parë me Komisionerin, për nder të delegacionit shqiptar. Parlamenti Europian ofroi gjithashtu darkën e dytë. Dreka e fundit, po ashtu, me Komisionerin. Pra, vepruam si me të gjithë delegacionet dhe ne i nderuam miqtë tanë shqiptarë deputetë, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre. Si mund të thuash kështu? Vetëm nëse ka vendosur të bëjë shqiptarët, që të urrejnë Parlamentin Europian, por unë nuk mendoj se është kështu. Kjo nuk është në interes të njerëzve. Për mua, politikanët që bëjnë të tilla deklarata në Shqipëri duhet të kujdesen për shqiptarët e varfër. Kur del jashtë kryeqytetit sheh vetëm varfëri, varfëri, varfëri dhe njerëzit kanë nevoja, që unë nuk shoh të trajtohen. Ky duhet të jetë shqetësimi i parë. Sherret me drejtuesin apo edhe ndërmjet tyre janë në varësi të gjithsecilit prej tyre. Varet nga sjellja, edukata, arsimi dhe cilësitë politike të personit. Nëse duan të më luftojnë, në rregull. Por, ata vijnë këtu për të punuar së bashku dhe unë vijoj t’ua shpjegoj atyre se, këtë e bëjmë që të punojmë në përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe për të ndihmuar vendin, që të bëjë reformë të administratës, të politikës, të drejtësisë, të reduktojë varfërinë, e kështu me radhë. Për këtë duhet të jemi miq e të punojmë bashkë. Nuk ka arsye për të luftuar as me mua, as ndërmjet jush dhe as ndaj nesh. Me rregullat e reja kemi përcaktuar se, dikush nuk mund të flasë njëkohësisht me një tjetër, sepse kjo ndodhi herën e shkuar. Ti flet, pastaj unë nis të flas dhe dikush çohet ndaj nesh dhe, në fund janë 6 veta që flasin në të njëjtën kohë. Kjo është çmenduri dhe askush nuk kupton asgjë. Kështu që, do të jetë vetëm njëri pas tjetrit dhe e kemi reduktuar kohën duke numëruar minutat, sepse ç’u pa po foli njëri për gjysmë ore, mbi një çështje që parashikon 30 minuta për 5 folës. Duhet të përcjellësh shkurt mesazhin për 1, 2 ose 3 minuta maksimumi. Duhet të respektohet mendimi i të tjerëve. Duhet t’u lejosh atyre të flasin. Nuk mund të flasë vetëm një person gjithë kohës, apo dy në vend të 5 apo 10 vetave. Këto janë rregulla për një diskutim të normalizuar.

TCH: Në fakt ka gjithnjë e më pak eurodeputetë të pranishëm në takimet me Shqipërinë. Ju si e shpjegoni këtë?

Monica Macovei: Jo, ndodh njësoj edhe me delegacionet e tjera. Isha në delegacionin me Maqedoninë, me Moldavinë, me SHBA-të dhe është ngjashëm. Madje ka pasur takime, ku vetëm një eurodeputet ishte i pranishëm, sepse bëhen shumë gjëra në të njëjtën kohë. Unë si kryetare do të jem gjithnjë e pranishme, por të tjerët hyjnë e dalin, ose nuk vijnë fare në këto lloj takimesh. Ne ishim 4 e ky është një numër mjaft i mirë, besomëni. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, edhe në delegacione të tjera ka pasur një pranishmëri më të ulët se kaq. Nga ana tjetër, ne jemi unanimë, pra nuk ka rëndësi nëse jemi një, dy apo 3 vetë aty, sepse duam njësoj që Shqipëria të futet në BE, që palët të punojnë së bashku, që reformat të kryhen. Unë nuk i shfajësoj kolegët e mi. Madje kam bërë propozim, për atë që duhet bërë për të rritur praninë e eurodeputetëve në këto takime, pasi shumica e delegacioneve përballen me këtë problem. Por s’ka të bëjë fare me Shqipërinë dhe, më besoni se, 4 është prani më e madhe se në çdo delegacion tjetër. Unë uroj më të mirën për shqiptarët dhe, ju lutem atyre të bëjnë presion ndaj politikanëve, të të gjitha partive, që të zbatojnë atë që kanë premtuar në fushatë elektorale për të përmirësuar jetesën tuaj, që të zbatojnë reformat dhe jo të bëhen të pasur me paratë publike. Të respektojnë angazhimet e marra, sepse të gjithë premtojnë në fushatë. Ndihmojini politikanët tuaj që të bëhen të përgjegjshëm, sepse kjo është e rëndësishme. Politikanët janë në shërbim të njerëzve, jo e kundërta. Kjo duhet të mbahet në mend çdo ditë. “Ai është aty në Parlament që të më shërbejë mua”. Shkruajini letra atyre. Tregojuni atyre se çfarë doni prej tyre dhe sesi të votojnë ata. Reagoni! Shkruajini në mënyrë të përsëritur, në një moment do të funksionojë. Nëse e bëni për një vit, dy, 3 dhe nuk funksionon, nuk i votoni më dhe ua thoni se nëse nuk bëjnë një gjë, nuk do t’i votoni më ata radhës tjetër.

Përgatiti: Arta TOZAJ

ME TE LEXUARAT