LRI: Arsimi duhet të zërë një vend më të madh në buxhetin e shtetit

Politikë

lriLëvizja Rinore për Integrim organizoi një takim me studentët e Tiranës për të dëgjuar problematikat e tyre dhe çfarë mund të bëhet për t’i zgjidhur ato. Në bashkëbisedimin me temën “Sfidat e Studentëve” morën pjesë Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Kryetarja e KDK të LSI-së, Erisa Xhixho, Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Bruno Liço, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj dhe NënKryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali.

Duke folur përpara të pranishmëve, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj tha se arsimi duhet të zërë një vend më të madh në buxhetin e shtetit, ndërsa theksoi përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Për të realizuar të gjitha ato gjëra që ne kërkojmë për arsimin, kushte më të mira, standarde më të mira, cilësi për të vazhduar pastaj tek infrastruktura, kurrikula më e mirë, lëndët e me radhë padiskutim që do të duhen financat për ta realizuar këtë. Jo më larg se disa muaj më parë ka kaluar edhe ligji i ri për arsimin e lartë, që gjithashtu kërkon një fond më vete për t’u implementuar. Ndaj në këtë çështje, unë mendoj dhe jam e bindur, arsimi duhet të zërë një vend më të madh në buxhetin e shtetit. Krahasuar me vitin që shkoi, ngelemi në të njëjta nivele, për të mos thënë që diku mund të shikojmë edhe ulje”, - tha znj. Mehmetaj

Deputetja e LSI-së, u shpreh se të rinjtë duhet të thonë zërin e tyre edhe në projektbuxhetin e ri sa i përket arsimit.

“Dua që secili prej jush të ketë mundësinë që ta shohë buxhetin. Nëse do t’i lëmë këto gjëra që të kalojnë vit pas viti, të biem dakord me ato që ndodhin aktualisht dhe të themi prit se vitin tjetër do bëhet më mirë, jam e sigurt se asgjë nuk do të realizojmë. Por nëse vëmë theksin aty ku duhet që tani dhe sa jemi në kohë për të realizuar gjërat, patjetër që nga viti në vit do të fillojmë të rrisim standardet tona”, - theksoi znj. Mehmetaj

Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari tha se takime të tilla janë të rëndësishme për të biseduar dhe për të marrë mesazhet e duhura nga të rinjtë. Z. Braimllari ka folur më tej edhe për përfaqësimin e të rinjve në këshillat bashkiak. Kryetari i LRI-së theksoi se arsimimi dhe punësimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe se u duhet krijuar mundësia të rinjve që të përballen denjësisht në tregun e punës.

“Përpara zgjedhjeve lokale ne premtuam që të gjithë këshillat bashkiak në nivel kombëtar përfaqësimi i të rinjve do të jetë mbi 30 %. Në këshillin bashkiak të Tiranës jemi 70 % të rinj. Kemi ardhur në qeverisjen lokale me një ide shumë të qartë, arsimim dhe punësim. Nëse ne nuk krijojmë mundësinë e arsimimit të të rinjve, atëherë nuk kemi as kushte për t’i krijuar punësim në të ardhmen, pasi arsimimi dhe punësimi janë të lidhur ngushtë me njëra-tjetrën. Sfidat europiane të zhvillimit të vendit tonë, kërkojnë një rini aktive, një rini që të përballet me tregun e punës europian. Për t’u përballur me tregun e punës kërkohet një sistem që të prodhojë lidership”, - shtoi z. Endrit Braimllari.

Zv.Minstrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj u shpreh se zëri i studentëve është shumë i rëndësishëm për vendimmarrjet e buxheteve dhe për orientimin në kuadër të gjithë nevojave që kanë studentët si edhe për nivelit e kërkimit shkencor.

“Nuk kemi një nivel të pëlqyeshëm në drejtim të kërkimit shkencor. Qeveria në këtë pikë të marrë një nga nismat dhe reformat më të rëndësishme në arsimin e lartë për të nxitur kërkimin shkencor si një domosdoshmëri dhe për të futur në dy nga projektet më të rëndësishme. Ne do të krijojmë një qendër pranë LSI-së për të orientuar të rinjtë se si mund të bëjnë 1-6 muaj studime në universitetet simotra pa ndërprerë studimet e tyre, duke marrë përfitime e kredite”, - tha znj. Malaj.

Ndërsa, Kryetarja e KDK-së së LSI-s, Erisa Xhixho dha mesazhe të qarta për studentët, që të fokusohen tek arsimimi, që është edhe çelësi i suksesit.

“Fokusimi drejt edukimit dhe fokusimi drejt arsimimit është çelësi i suksesit. Edhe mesatarja është shumë e rëndësishme, jo vetëm për përfaqësimin tuaj te punëdhënësi, por edhe tek studimet jashtë që mund të vazhdoni”, - u shpreh znj. Xhixho.

ME TE LEXUARAT