Akuzat e Selamit, Basha: Nuk mund të shpenzoj asnjë sekondë ti përgjigjem

Aktualitet

meritKryetari i Partisë Demokratike ka analizuar situatën politike dhe pritshmëritë e tij për protestën e paralajmëruar të datës 8 Dhjetor në Tiranë. Më poshtë intervista e dhënë nga Basha për AbcNews.

Pyetje: Z.Basha doja të ndalesha tek 8 dhjetori, vazhdimisht, veçanërisht gjatë kësaj jave janë thirrur qytetarët e mbarë vendit të marrin pjesë në një marshim proteste, një marshim si një përballje pa kthim për të rrëzuar qeverinë, kështu jeni shprehur ju. Në fakt 8 dhjetori është një ditë simbolike, u nisët nga simbolika apo ishin  pjekur kushtet për të arritur në këtë ditë. D.m.th do të mbahej një marshim edhe nëse nuk do të kishte një 8 dhjetor?

Basha: Unë mendoj se  janë të dyja. Unë përfitoj nga rasti të bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptar të bashkohen me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve, në një kauzë që na përbashkon pa dallime politike, për një Shqipëri të lirisë, për një Shqipëri të dinjitetit, për një demokraci që funksionon për këdo dhe jo vetëm për një grusht njerëzish dhe për një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik nuk mbetet pasuri e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me të. Ndërkohë që populli vuan për bukën e gojës, sipërmarrjet janëq në recension, profesionistë, intelektualë, akademikë, studentë ndodhen përballë rrebesheve të arbitraritetit qeveritar. Pra, është një thirrje e opozitës, po kështu është një përgjigje e opozitës, përgjigja e Partisë Demokratike, përgjigjja e Lulzim Bashës ndaj kërkesave të mijëra e mijëra qytetarëve që kam takuar këto muaj nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, të të gjitha moshave, profesioneve, të punësuar apo të papunë, që të kanalizojmë këtë frustrim të madh, këtë depresion ekonomik dhe psikologjik që ka shkaktuar qeveria “Rama” në një energji pozitive për të ndryshuar rrugën në të cilën  ecën Shqipëria dhe padyshim ky ndryshim rruge nuk mund të vijë pa ndryshuar qeverinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pyetje: Në fakt z.Basha flitet shumë për besim tek partitë politike. Teksa e drejtoni këtë thirrje ju a keni besim se populli ka arritur deri në pikën sa të ngrihet në një përballje pa kthim drejt qeverisë. Dua të kujtoj këtu 8 vitet e qeverisjes Berisha, pati plot protesta, por shkuan 8 vite, ndoshta  nuk ishin protestat që e sollën PD në pushtet?

Basha: Ky është një krahasim që më mirë se unë e bëjnë vetë qytetarët. Gjendja sot mendoj se është e pakrahasueshme me çdo zhvillim tjetër paraprake të paktën të dekadës e fundit. Gjendja ekonomike flet vetë, investimi, kreditimi dhe si rezultat punësimi janë në pikiatë. Vetëm dy muajt e fundit 73 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të të ashtuquajturit aksion kundër informalitetit. Dhjetëra e mijëra kanë humbur ndihmën ekonomike, dhjetëra e mijëra fermerë janë privuar nga mundësia për të rritur produktet e tyre me kosto të arsyeshme dhe pastaj për t’i shitur ato pa një presion, pa dhunë, pa arbitraritet, në një treg që për të thënë fjalën e popullit, nuk ka pare, nuk ka lekë, e s’mund të ketë kur s’ka punësim, kur s’ka shpresë. Kjo është e vërteta e madhe e Shqipërisë, por ka edhe një të vërtetë të vogël. Ka një grup njerëzish në krye të vendit që po vënë pasuri përrallore, jo në një vit por në muaj, javë për javë, miliona euro para që u mblidhen shqiptarëve me kërbaç, me represion, me burg. Dhe në vend që të kthehen në investime, në politika punësimi për shqiptarët kthehen në luks të shfrenuar për oligarkët, për Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ne i kemi denoncuar me fakte, shqiptarët e kanë ndjekur denoncimet tona, ata i prekin ditë për ditë problematikën që i shkakton krimi dhe korrupsioni në këtë qeverisë. Prandaj jam i bindur që kjo situatë siç është e paprecedentë, pa asnjë krahasim, po kështu do të gjejë përgjigje të paprecedentë nga populli, nga njerëzit, nga individët të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të thonë fjalën e tyre, kanë nevojë që dufin që mbajnë brenda vetes së tyre ka kanalizojnë politikisht dhe opozita, Partia Demokratike ua jep këtë mundësi me 8 dhjetor.

Pyetje: A ka një strategji përtej 8 dhjetorit për të arritur në këtë pikë dhe në rast se arrin supozojmë në rrëzimin e qeverisë, a jeni gati për të hyrë në zgjedhjet e parakohshme, për të fituar?

Basha: Çështja e demokracisë është një tjetër çështje themelore përveç ekonomisë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë zgjedhje të shkatërruara dhe të kapura nga Edi Rama dhe Ilir Meta përmes skemës së tyre të blerjes së votave dhe përdorimit krimit dhe presionit ndaj votuesve të opozitës dhe votuesve në tërësi. Prandaj çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është sot çështja më kryesore për Shqipërinë për sa i përket zhvillimit, për sa i përket demokracisë dhe prespektivës së saj europiane. Pa dyshim që zgjidhje e problemit të votës së lirë, pra të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe do duhet të jetë një zgjidhje politike, nuk është një zgjidhje “alacart” dhe kjo zgjidhje politike nuk mund të vijë përmes një qeverie e cila tashmë është provuar si dhunuese e zgjedhjeve të lira. Ndaj largimi i qeverisë i hap rrugë përgatitjeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për ti kthyer edhe një herë shqiptarëve shansin për të vendosur me votë për rrugën tjetër që duhet të ndjekim, për daljen nga kriza ekonomike, për daljen nga ky depresion ekonomik, psikologjik, politik, të gjithanshëm dhe për ti  vënë të gjitha pasuritë e vendit në dispozicion të qytetarëve dhe jo të një grushti oligarkësh që po pasurohen ditë për ditë, ndërkohë që populli largohet.

Pyetje: Ju thoni se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë keni folur si opsioni  PD-së do të ishte krijimi i një qeverie teknike, kjo është më shumë për tu përgatitur ju dhe për të fituar edhe kohë për të shkuar në këto zgjedhje, apo në këtë mënyrë përfshirja e gjithë partive politike në këtë qeveri do të ishte një garanci për të organizuar këto zgjedhje?

Basha: Modalitetet janë të ndryshme dhe natyrisht që mund të diskutohen. Ajo që nuk mund të diskutohet për mua, për PD është që kësaj qeverie i ka mbaruar ora. U ka bërë dëmin më të madh që mund tu behej qytetarëve në vetëm dy vite dhe projektbuxheti që ka sjellë në Parlament  është deshmi e qartë se bëhet gati për një dëm edhe më të madh. Si? Asnjë rritje rroge, asnjë rritje për pensionet, asnjë investim, ulje të buxhetit. E para herë që ulet buxheti, e para herë në kujtesën e njerëzve në demokraci. Të vetmet që rriten janë shpenzimet e luksit dhe mundësitë që Rama, Beqja, Kokëdhimët, Ahmetët, Tahirët të fusin duart edhe më thellë, të vjedhin, të vjedhin edhe më shumë, të pasurohen edhe më shumë, ndërkohë që populli sa vjen e varfërohet. Kjo duhet të ndalojë dhe për këtë ne jemi të vendosur. Thirrja që u bëjmë qytetarëve për 8 dhjetor është t’i japim fund kësaj keqqeverisje dhe sëbashku të garantojmë kushtet që qytetarët të vendosin për një qeverisje tjetër, për një qeverisje të re me votën e tyre të pandikuar në mënyrë të pandershme dhe të zgjedhin mes ofertave më të mira. Padyshim këtu Partia Demokratike ka një ofertë solide për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, për ta sjellë vendimmarrjen politike afër qytetarit, për të dhënë llogari qytetarit dhe për të realizuar një dalje nga depresioni ekonomik ku e ka futur qeveria “Rama”, për të rifilluar rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin për gjithë shqiptarët.

Pyetje: Z. Basha supozojmë, e marrim të mirëqenë faktin se ajo që thoni nuk ka më hapësirë, nuk të përcjellë më asnjë sinjal shprese se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen. Po vetë PD së brendshmi është e përgatitur? Ju keni qenë edhe një proces analize këto kohë, ndërkohë që pritet edhe procesi i finalizimit dhe ndryshimit që pritet për riorganizimin e PD. Por ndërkohë ju jeni përballur herë pas here edhe me kritika së brendshmi, i keni dëgjuar në mbledhje grupi, në mbledhje kryesie, takime të ndryshme. Çfarë ndjen pas këtyre kritikave, si i përclllni ato, ju imponojnë ato qëndrimet tuaja, apo i kaloni në heshtje, ndërkohë ndiqni strategjinë tuaj që e keni të përcaktuar?

Basha: Padyshim strategjia është e përcaktuar,  është një strategji e përcaktuar në një kolektiv vendimmarrje duke reflektuar mbi të gjitha për realitetin që ne prekim ditë për ditë, realitetin ku jetojnë shqiptarët, jo realiteti e zyrave. As zyrat e qeverisë, as zyrat e opozitës nuk tregojnë realitetin, realitetin e tregojnë qytetarët. Padyshim që në këtë diskutim ka pikëpamje të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka kritika. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë i vëmendshëm dhe padyshim aty ku ka vend për konstruktivitet, për reflektim, jam nga ata drejtues, lider që reflektoj dhe përshtas strategjinë, mënyrën e veprimit me nevojën e kohës, me nevojën e ditës. Por askush nuk mund të më mohojë se Partia Demokratike në këto muaj, ndonëse në këto dy vite të qeverisjes Rama, ndonëse gjendemi përballë një qeverie antiopozitare  në veprim, një qeverie, e vetmja qeveri në Ballkan që ka krijuar ligjin antiopozitar për ti mbyllur gojën opozitës, prapë se prapë ka spikatur si opozita më denoncuese, si opozita për përballëse me zullumet e kësaj qeverie, si opozita që ja ka dalë që në këto dy vite të ndërgjegjësojë shqiptarët për rrezikun e madh, për kërcënimin e madh që paraqet kjo qeveri për demokracinë, për pasuritë publike për shkak të korrupsionit galopant dhe lidhjeve me krimin. Padyshim që këto denoncime jo vetëm kanë zënë vend tek qytetarët shqiptarë, por kanë zënë vend edhe tek figura të spikatura të mazhorancës, qartësisht sot me fjalorin e opozitës, me faktet e denoncuara nga opozita, po bëjnë sintezat e tyre, ndonëse në pikëpamjen time subjektive por që çojnë padiskutim në të njëjtin përfundim, qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk ka arritur të ngjallë shpresë, por është sot problemi kryesor, problemi numër një në vend për sa i përket ekonomisë, punësimit, korrupsionit, krimit, demokracisë. Nga ana tjetër nuk kemi folur vetëm kaq, kemi shpalosur dhe do të shpalosim alternativën tonë të lidhur nga nevoja dhe në padyshim nga nevoja e njerëzve sigurisht në përputhje me mënyrën se si i shohim ne zgjidhjet, me tabanin tonë politik, liria për të  punuar, liria për të folur, liria për të tregtuar, liria për tu shprehur, liria për të bërë atë që bëjnë njerëzit e lirë pa pasur frikë se mund të dalë policia apo tatimori për të kërkuar në mënyrë të padrejtë, selektive dhe arbitrare  atë që në fakt ka nevojë qytetarët. Pas kësaj kemi një platformë solide për daljen e dhe nxjerrjen e vendit nga kriza, e cila ndonëse me vendimet e saj duket se ka frymëzuar edhe një kryeministër kopjac, prapë se prapë mbetet platforma e PD-së një zgjidhje që ne jemi gati ta vëmë një funksion të nxjerrjesh së vendit nga kriza në momentin e parë që shqiptarët do të na besojnë në një proces votimi të lirë dhe demokratik.

Pyetje: Pse nuk ia kanë mbushur syrit Eduart Selamit këto ?

Basha:  Unë,  siç e keni ndjekur nuk kam bërë asnjëherë komentuesin. Çdo kush ka mundësi të shprehë dhe të japë kontributin e vet pozitiv dhe konstruktiv brenda partie, këtu është detyra ime, pjesa tjetër mund të jetë detyra e juaj, e gazetarëve, e çdokujt tjetër. Unë nuk mund të shpenzoj asnjë sekondë, asnjë pikë energjie time apo të Partisë Demokratike në një debat i cili nuk fokusohet tek e keqja e madhe në vend që është korrupsioni, krimi i ngritur në sistem, hajdutëria masive dhe mizorja ekonomike që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës.

Pyetje: Ju u investuat në shtator në aferën e CEZ, përmes akuzave të forta ndaj Ilir Metës , aq sa LSI-ja aludonte për një pakt mes jush dhe Ramës kundër Ilir Metës. Ndërkohë që ditët e fundit nuk po shpreheni edhe shumë kundër Ilir Metës. Ka ndryshuar diçka, ju dhe Rama keni patur  më frikë aleatin e vogël Ilir Meta?

Basha: Për ne të dy janë kundërshtar, secili ka pjesën e vet të zullumit në këtë keqqeverisje, ndaj secili ka pjesën e vet të përballjes me Partinë Demokratike. Nuk kemi bërë dhe nuk bëjmë kurrë kulisa apo intriga për t’i parë këta të dy veç e veç sepse bashkë janë në zullum, bashkë janë në pazare dhe bashkë duhet të jenë edhe në përballjen me përgjegjësitë e tyre. Padyshim që secili ka proporcionin e vet të zullumit dhe keqqeverisjes, secili ka proporcionin e vet të përgjegjësisë e vet të vjedhjeve së miliona euroshe që po u bën shqiptarëve dhe ka gjetur tek Partia Demokratike dhe Lulzim Basha secili prej tyre një kundërshtar të paepur që e katandisi Shqipërinë në dy vite në vendin më të depresuar ekonomikisht, politikisht dhe psikologjikisht në Ballkanin Perëndimor. Vendi i vetëm të cilin Bashkimi Europian refuzoi ti hapë edhe bisedimet për anëtarësim.

Pyetje: Ju jeni shprehur në intervista të ndryshme televizive, se kurdo të ketë zgjedhje se do ta lexoni qartë vullnetin e zgjedhësit për sa i përket aleancave. Keni folur edhe për përmirësim të sistemit, në konceptin tuaj, në mënyrë që vota e qytetarit të lexohet drejt dhe vullneti i tyre të përkthehet në opozitë apo qeverisje. Vazhdoni ti qëndroni faktit që PD dhe e djatha do të vijë në pushtet. Apo nuk përjashtoni mundësinë e bashkëpunimit edhe me eksponentë të së majtës?

Basha: Prioritet tona, prioritet e mija janë të qarta. Së pari, të mos i japim më kohë të keqes. projektbuxheti që kanë sjellë është prova më e qartë, prova më e qartë, është lopa në dhomën e ndenjes, siç i thonë, vetëm se është një lopë pa qumësht sepse qumështin ia kanë vjedhur. Do ti bie më shumë pensionistëve, arsimtarëve, të punësuarve, një kategorie të veçantë të cilët ia kanë 5-fishuar kontributin shoqëror, sipërmarrjes që i kanë vënë taksa të reja, siç është taksa mbi truallin, gjobat arbitrare, ku me një të tillë i marrin fitimin e dy viteve, tre viteve, katër viteve. Çfarë presim më? T’i japim më kohë të keqes apo jo? Kjo është pyetja që unë shtroj përpara çdo shqiptari dhe para çdo shqiptareje dhe nuk e shtroj vetëm teorikisht, e shtroj edhe në takimet e mia me ta. Dhe shoh që edhe ata e ndjejnë që nuk ka kohë më për të pritur. Prandaj 8 dhjetori nuk është më një thirrje për protestë është një pikë takimi i opozitës së vendit e PD-së, e imja, e qytetarëve shqiptar që presin një rrugëdalje nga kriza.

Pyetje: Ndërkohë keni realizuar një kauzë, dekriminalizimi po kryhet në kuptimin e miratimit të ligjit dhe pritshmërive për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë edhe zbatimin e tij në realitet. Keni folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar që mungojnë edhe garanci të tjera, përveç dekriminalizimit, çfarë i druheni përveç kësaj pjese?

Basha: Projektligji për dekriminalizimin i cili pritet të votohet javën e ardhshme është padyshim një arritje madhore për gjithë shoqërinë shqiptare ndonëse kauza u ngrit dhe u luftua nga opozita, PD sepse ashtu na takonte. Çfarë është ligji për dekriminalizimin? Është vetëm një hap. Vullneti për zbatimin e  këtij ligji është testi tjetër për ata që e sollën këtë problem të madh këmbëkryq në shoqërinë shqiptare, për Edi Ramën që emëroi trafikantë, tutorë prostitutash, vrasës, rrëmbyes, hajdutë me banda të organizuara në vendet e perëndimit, i përzgjodhi dhe i solli në Parlament. Duhet të kujtojmë edhe një herë se nuk ishin këta që e kapën Edi Ramën prej mënge po ishte ky që shkoi dhe i përzgjodhi si pjesë e strategjisë së tij për të siguruar një fitore me çdo kusht kundër Partisë Demokratike në vitin 2013 dhe kjo fitore erdhi me një faturë të madhe, me një Parlament  thellësisht të kriminalizuar i cili jo vetëm nuk përfaqësonte vullnetin e shqiptarëve por nuk kishte si të përfaqësonte hallet e shqiptarëve. Përfaqësonte hallet e këtyre banditëve të cilët ndërhynin në operacionet policore, fshihin krimelët në makina, rrëmbenin pasuritë publike, kërcënonin dhe vrisnin e prisnin qytetarë shqiptarë, nuk paguanin taksa dhe u përdorën për të kërcënuar opozitën në Parlament. Prandaj nga kjo pikëpamje është një betejë e madhe e fituar e opozitës, përveç një fitoreje politike që e kthen një opozitë në qeverisje, unë mendoj se është fitorja më e madhe që një opozitë ka korrur në 25 vite demokraci. Por siç e thashë është vetëm hapi i parë. Një rëndësi të veçantë dekriminalizimi ka padyshim për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të paktën në zgjedhjet e ardhshme që qytetarët shqiptarë do të kenë për të shprehur vullnetin e tyre, ky ligj do të parandalojë, do të bëjë të pamundur përzgjedhjen e kandidatëve nga bota e errët e krimit, do të demotivojë një kategori e cila kështu siç e kishte nisur në Parlamentin e ardhshëm të ishte një shumicë.

Pyetje: Ju vjen keq, për simbolikë që nuk jeni në seancën e ardhshme për të shtypur atë butonin jeshil për dekriminalizimin ?

Basha:  Jo, aspak. Unë e kam udhëhequr këtë betejë si kryetar i Partisë Demokratike, së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe padyshim që votimi me konsensus i këtij ligji kurorëzon përpjekjet dhe një sfidë, një betejë të vërtetë të fituar jo thjesht nga unë apo nga PD, por jam i bindur janë të fituar dhe ndjehen dhe do të ndjehen të fituar të gjithë qytetarët shqiptar pa dallim politike.

Pyetje: A ka një linjë të qartë për reformën në drejtësi. Nëse supozojmë se nga Komisioni i Venecias nuk ndryshon kjo paketë që ka bekimin e socialistëve, për hir të së vërtetës LSI ka qasje janë edhe të njësuara me ju?

Basha: Qëndrimet tona për reformën në drejtësi janë të qarta kristal, janë qëndrimet më të qarta të çdo force tjetër politike, nga çdo forcë politike në vend. Ne jemi për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit në drejtësi. Korrupsioni në drejtësi është një problem serioz, i thellë, i dhimbshëm për qytetarët shqiptarë, maja e korrupsionit në drejtësi është korrupsioni politik, është Edi Rama që telefonon gjyqtarët për të dënuar kundër ligjit, në kundërshtim me jurisprudencën shqiptare, në kundërshtim me 13 vendime të Gjykatës së Strasburgut Arben Ristanin dhe Edi Palokën sepse denoncojnë lidhjet e tij me krimin. Pra, është një politikë që lejon që Armando Prenga të shkojë në shtëpi ndërkohë që qindra qytetarë dergjen burgjeve për 30-40-50 mijë lek të vjetra mosrakordim të faturave apo për të tjera kundravajtje. Problemi më serioz për drejtësinë sot është Edi Rama dhe koncepti i tij për shtetin. Për Edi Ramën shteti është ai, për ne shteti është ligji.

Pyetje: A keni garanci nga ndërkombëtarët, të paktën keni pasur takime të vazhdueshme, intensivisht ambasadorët janë të përfshirë në këtë proces që propozimet tuaja mund të merren parasysh?

Basha: Kemi një kuptim të madh për sa i përket motiveve tona, motivet tona janë reformë në drejtësi por jo kapje politike e saj dhe falë politikës tonë ka një vetëdijesim të të gjithë faktorëve dhe në veçanti të faktorit ndërkombëtar për rrezikun e madh që i paraqet Shqipërisë kapja e drejtësisë nga kjo mazhorancë politike apo nga mazhorancë politike.

Pyetje: E nisëm me simbolikë dhe po kthehemi tek simbolika për të përmbyllur këtë intervistë. Ju përveç 8 dhjetorit që nisni marshim e protestës keni edhe 25 vjetorin e krijimit të partisë në dhjetor. Si është konceptuar, nëse do të mund të na zbuloni diçka dhe cilat janë mesazhet kryesore që do të përcillni?

Basha: Ky 25-vjetor e gjen Partinë Demokratike në një situatë jo të pangjashme me ditët e para të themelimit të saj, me një vullnet të madh popullor për t’u shkëputur nga kjo gjendje e padurueshme ekonomike, shoqërore dhe politike, me dëshirën për të forcuar dhe rinovuar kontratën tonë të përbashkët me një demokraci pjesëmarrëse ku shqiptarët, votuesit, të mos bëjnë sikur pyeten një herë në katër vite dhe pastaj të harrosh, por të jenë pjesë reale e vendimmarrjeve të mëdha në vend dhe me dëshirën për të ecur përpara drejt stacionit tonë final që është anëtarësimi në BE me gjithë benefitet ekonomike, sociale, të punësimit, të lëvizjes së lirë që sjell kjo ëndërr e shqiptarëve që është në të njëjtën kohë një mision hyjnor i Partisë Demokratike. Një pjesë e misionit është përmbushur, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë në zonën Shengen, kjo pjesë e misionit anëtarësimin  në Bashkimin Europian, një pjesë e vështirë dhe plot sfida është edhe frymëzimi ynë në këtë 25-vjetor.

ME TE LEXUARAT