OSBE: Reforma në drejtësi jo me ngut por cilësore

Politikë

osceZëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës dhe nisjes së vitit të ri akademik. Wilton tha se sistemi i drejtësisë, ashtu si karriera në drejtësi, është udhëtim, dhe e ilustroi këtë me një shembull nga vendi i tij, Britania e Madhe, ku edhe 800 vjet pas Magna Carta-s, vijon të bëhen reforma. “Kështu që, mos u shqetësoni nëse reforma në drejtësi nuk përfundon deri në fund të vitit në Shqipëri. Është më e rëndësishme që puna të bëhet me cilësi dhe jo me ngut. Reforma e suksesshme në drejtësi është, as më shumë dhe as më pak, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e këtij vendi në të ardhmen”, tha ai.

Ai i nxiti studentët e sapodiplomuar të Magjistraturës të marrin një anë, anën e duhur, në betejën mes integritetit dhe korrupsionit. “Për ata që zgjedhin anën e duhur në këtë përballje midis integritetit dhe korrupsionit, shpërblimi do të jetë i madh dhe afatgjatë. Në një sistem të drejtë, suksesi fitohet përmes talentit, jo përmes parave që njëri i paguan tjetrit”, tha ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Po ashtu, Wilton i nxiti të sapodiplomuarit që, si gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm, të tregojnë interes për çfarë ndodh në Kuvend dhe të luajnë rolin e tyre. “Ngjarjet në Kuvend do të ndikojnë te ju dhe ju, gjithashtu, duhet të ndikoni tek ato”, tha Wilton.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, tha se OSBE-ja është një nga organizmat ndërkombëtarë që ka luajtur një rol vendimtar në suksesin e Shkollës së Magjistraturës.

Prezenca e OSBE-së ka qenë aktive në prapavijë në mbështetje të Shkollës së Magjistraturës dhe mbetet aktive në çdo nivel të sektorit të drejtësisë, nga diskutimet strategjike për reformën deri te puna për të ndihmuar gjyqtarë individualë në çdo sallë gjyqi, që të japin drejtësi në mënyrë më efikase.

Në ceremoni folën edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistrturës, Xhezair Zaganjori, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon dhe ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.

ME TE LEXUARAT