Krasniqi: Konflikti është hapë, ndërgjegja thërret!

Kosovë&Rajon

halitiNga Halit Krasniqi

Aktualisht, konflikti politik në mes të pozitës dhe opozitës ka rrëshqitur nga një konflikt i zakonshem në mes diskursesh të koncepteve e veprimeve politike në konflikt të atakimit të lehtë fizik brenda hapësirave të Kuvendit. Ky atak është bërë me mjete të buta fillimisht, por askush nuk mund të siguroj se nuk do te përsëritet edhe ndryshe. Gjithashtu, askush nuk mund të parashikojë përdorimin e mjeteve tjera dhe reagimin ndaj këtyre mjeteve. Nga deklarimet në publik të rreshtimeve politike, lehtë është të parashikohet se konflikti do të thellohet në përmasa edhe më të ashpra. Deri sa opozita ka zgjedhur mjete të tjera në diskursin e saj dhe jo dialogun me argumente, pozita do të duhej të tregohej më e kujdeshme në mënyrat e komunikimit. Duke insistuar më bindëshem në argumentim për publikun në qendrimet e saj dhe në veprimet konkrete për të cilat është ngritur dyshimi dhe janë krijuar pandehmat opozitare. Këtë pozita e ka obligim politik. moral dhe kushtetues.

Deri sa opozita nuk brengoset për të arsyetuar shkaqet e alibisë për strategjinë e saj dhe për mjete që ka zgjedhur për të kundërshtuar Marrëveshjet në Bruksel, pozita nuk do të duhej të injoroj pasojat nga kjo strategji konfliktuoze e opozitës. Sa më shumë që të injorohet kjo situatë dhe sa më gjatë të mungojë sqarimi edhe më i madh në publik i këtyre marrëveshjeve, gjithënjë e më shumë opozita do të rris përkrahjen e saj në publik dhe do të të përhapë atë që dëshiron: të rris mjegullen e dyshimive për veprime të dëmshme të pozitës në Marrëveshjet e Brukselit.

Ky moment është shumë delikat. Kjo delikatesë i bën zhvillimet shumë më të ndjeshme dhe me të pa njohura deri sa mungon një shpjegim i matur dhe me respekt për dyshimet e ngritura nga opozita e bashkuar dhe për brengat e shfaqura nga një pjesë e respektuar e shoqërise civile.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kur ngritet dyshimi për cenim të tërësisë territoriale të vendit tonë, sikur me demarkacionin dhe rregullimi kushtetues nga marrëveshjet në Bruksel, është krijuar alibia për tradhëti ndaj vendit nga lidershipi qeverisës. Kështu zgjerohet bindja në publik se është dëmtuar tërësia territoriale e vendit dhe perspektiva e tij nga veprimet e tyre. Me këtë amalgamë diskursesh, justifikohet përdorimi i mjeteve jo vetem të buta, por edhe të forta, jo vetem të lëngta, por edhe të ngurta nga opozita. Madje askush nuk mund të thotë se mund të jenë veprimet dhe mjetet e fundit që përdoren, sepse kur cenohet tërsia territoriale e vendit nga kushdo qoftë, ndëshkimi është i pa evitueshem dhe nga logjika e shëndoshë dhe racionale, metodat dhe mjetet çfarëdo qofshin, janë të justifikueshme. Madje në raste të tilla është i pa justifikueshëm mos ndëshkimi i tyre dhe vetëm një shoqëri e pa emancipuar dhe e sfilitur mund të fal dëmtimin e tërësisë territoriale dhe cenimin e rregullimit kushtetues. Kuptohet kurdo që të ketë ndryshim cilësor të këtyre gjendjeve, ndëshkimi do të jetë i pa evitueshem.

Opozita e ka mision synimin e ardhjes në pushtet. Duke sulmuar me diskurs verbal veprimet e pozitës, politikat qeverisëse të saj dhe është krejt e arsyeshme të përpiqet që jetëgjatësia e pushtetit të pozitës të shkurtohet sa më parë. Nuk do të duhej që kjo të ndodhë edhe përmes anarkisë së preferuar nga opozita e vendit tonë aktualisht, për faktin se kemi këtë shtet filizë. Por ky fakt do të duhej ta bëjë edhe pozitën më të përgjegjshme në veprimet e saj dhe më transparente me qytetarët, të organizuar në opozitë dhe të renditur në shoqërinë civile. Në gjendjen e rendë sociale që gjendet kjo shoqëri jona, manipulimi i qytetarit me forma pseudopolitike është bërë tmerrsisht i lehtë.

Ky moment me këto diskurse përplasëse aktualisht është ideal për Beogradin dhe për të gjithë ata që e mbështesin atë për ta ngulfatur ngritjen dhe konsolidimin e Republikës së Kosovës në marrëdhënie të brendshme dhe në afirmimet ndërkombëtare. Beogradi zyrtar pa tjetër se do të aktivizoj gjithë potencialet e tij në çdo shtresë nëntokësore dhe mbitokësore të vendit tonë, që të shkaktojë sa më shumë dëme. Ato potenciale eksplozive të bashkuara në opozitën e organizuar, do të rreshtohen me kërkesën e sofistikuar për mbrojtje të tërësisë territoriale të Kosovës, për ta sfilitur Kosovën në marrëdhënie të brendshme dhe për ta komprometuar në raporte të jashtme. Këtë fakt duhet ta ketë parasysh lidershipi opozitar dhe gjithashtu edhe lidershipi pushtetar nuk duhet ta nënvlerësoj këtë fakt që përbën një bombë me sahat të vendosur në ambientet tona për ta stagnuar perspektivën e vendit tonë në projektet euroatlantike. Këto objektiva të bekuara,  janë bërë synim i qytetarëve të vendit tonë dhe gjithashtu janë ideuar në strategjitë e zgjerimit të këtyre qendrave të respektuara, të cilat po sjellin tronditje civilizimesh ku po synojnë dhe po vendosin paqë e qetësi aty ku po dëshirojnë.

E lusim Zotin që vendi ynë të jetë projektuar në kapitullin e kësaj pjesës së dytë të strategjive globale dhe të ndërhyjnë sa më shpejt në mes të obstruksioneve me yrysh kryeneç të opozitës dhe të mospërfilljes së pozitës brenda simbiozës politike kosovare. Kontributi ynë mbetet qenësor në këtë diskurs global. Konstruktiviteti i opozitës në këtë rast jep akcent e kuptim përmbajtësor rrugëtimit tonë brenda sferës pozitive globale politike, sikur edhe maturia me shumë sens e formacionit të mazhorancës qeverisëse.

ME TE LEXUARAT