Krasniqi: Çka duhet bëjmë sot si shoqëri?

Kosovë&Rajon

halitNga Halit Krasniqi

Çka duhet të bëjmë sot si shoqëri, në këto procese afirmimi si institucione të përgjegjshme të këtij projekti të shtet ndërtimit dhe në këtë krizë të besimit të ndërsjellë e me prirje përplasjesh. Gjithashtu, preokupim kryesor duhet të jetë: si të kujdesemi për imazhin e vendit tonë dhe si t'i ruajmë qytetarët tanë nga shijet e perceptimit të hidhur dhe nga rreziku për të mos rrëshqitur deri në konfrontim të radhës në përmasa më të mëdha.

Ngjarjet e fundit nga mbledhja e Kuvendit, krijuan një imazh të hidhur për Kosovën kushdo që e ka në fokus. Madje, do të përmendët edhe si shembull ilustrimi për keq. Ndërsa te qytetarët tanë, është hapë një temë e rëndë për ta trajtuar gjakftohtë dhe me vlerësime hipotetike. Në shikim të parë e me një interesim indiferent, pa hyrë në hulumtim se kush ka të drejtë, mënyra e zhvillimit të ngjarjeve në Kuvend, krijon përshtypjen për një shoqëri me trauma. Përndryshe përfaqësuesit e zgjedhur të kësaj shoqërie nuk do të manifestonin sjellje të tilla, por do të ballafaqonin argumentet për të arsyetuar qëndrimet e tyre dhe për të bindur publikun. Asnjë goditje vezësh, asnjë fishkëllimë bilbilash, as ngacmimi me hedhje uji në trup, asnjë mjet tjetër e as një armë, nuk do të ishte më bindëse se forca e argumenteve të përsëritura në secilën paraqitje nga një e me shumë herë në arsyetime të deputetëve të opozitës. Veprime të tilla anarkike mund të kenë ndodhë gjetiu, në pak kuvende të shteteve të ndryshme, por asnjëri nga ato, shtetësinë e vendit të tyre nuk e kanë të rrezikuar. Përkundrazi, e kanë të konsoliduar me shekuj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nëse opozita nuk lejon debatin në Kuvendin e Kosovës, ajo rrezikon të krijoj një performancë jo demokratike te një pjesë e qytetarëve të Kosovës, te shoqëria civile dhe te të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë me qendrat e tyre euroatlantike. Nga ky këndvështrim duhet ta shikoj opozita paraqitjen e saj të deritashme dhe gjithashtu nga ky këndvështrim të shikoj edhe aksionet e ardhshme. Edhe pse ajo ka objektiva të qarta për vetën edhe duket mjaft e vendosur në realizimin e objektivave të saj.

Ndërsa pozita, duhet ta shikoj ndryshe gjendjen aktuale dhe nga një këndshikim tjetër. Të bëjë ekspertizë për veprime të caktuara përballë zhvillimeve që pritën të shfaqën me një agresivitet edhe më të gjerë.

Te fokusohet te një pjesë e qytetarëve tanë të pa informuar dhe që nuk kanë pasur besimin te asnjë prej subjekteve aktuale në zgjedhjet e fundit dhe të inkurajoj qytetarët që kanë qenë mbështetësit e saj të deri tashëm. Blloku opozitar ka strategjinë si do të zgjeroj besimin në diskursin e shpalosur aktualisht. Do të përpiqet të fitojë mbështetje në aksionet e ardhshme, gjithsesi. Këtë ide e imponon një intuitë disidente e kultivuar gjatë brenda nesh te një masë soditëse. Ky numër i qytetarëve soditës është më i madh se i të gjithë qytetarëve bashkërisht që kanë votuar për të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Tani askush nuk mund të thotë se ata qytetarë do të jenë indifernt edhe më tej. Jo vetëm në proces zgjedhor, por është e mundur që aksionet e radhës t’ua prishin komoditetin e tyre, nëse për asgjë tjetër, vetëm për të krijuar shansin e pa shfrytëzuar prej tyre në kutitë e votimit.

Qëndrimi i patundur i opozitës nuk mund ta fitojë mbështetjen e gjithë qytetarëve që nuk kanë dalë në zgjedhjet e fundit. Por një pjesë prej tyre gjithsesi do të mund ta mbështetin. Sado që të përvetësojnë në këtë proces, janë mjaft të fituar edhe nëse nuk mund të arrijnë objektivat e synuar. Shikuar në tërësi startegjinë e bllokut opozitar, njëra nga taktikat e saj në këto veprime është edhe përvetësimi sa më i madh i qytetarëve të Kosovës, në diskursin e tyre konfrontues, si premisë për të përgatitur terrenin në garën e ardhshme zgjedhore. Në këtë strategji nuk mbetët pa përfituar ngritjen e trajektorës së përkrahjes në të gjitha grupimet elektorale dhe të qytetarëve të pa përcaktuar të cilët gjatë këtyre aksioneve të opozitës mund të krijojnë bindjen se vërtet me Marrëveshjet në Bruksel po krijohet një minishtet i huaj apo një bombë teledirigjuese me butonin në Beograd. Dhe, me Demarkacionin që do të cenohet tërësia territoriale e Kosovës. Duke i lejuar për të përvetësuar Mali i Zi një territor aq të madh pa shkrepur asnjë fishek. Jo vetëm se nuk i kërkuam asnjëherë të kthejë territoret shqiptare të përvetësuar padrejtësisht më herët në kërcyllët e historisë. Por edhe duke i bërë dhurata të radhës edhe me një territor rreth dhjetëmijë hektarësh me një nënshkrim të përfaqësuesve të Kosovës. Ky diskurs i opozitës nuk duhet injoruar.

Nëse lidershipi i koalicionit nuk tregohet më transparent dhe me më shumë sens për komunikim me publikun, për ta bindë për të kundërtën, gjithnjë e më shumë do të shikohen me thjerrëzat e opozitës dhe me dyshimin se nuk janë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe nacionale. Prandaj kërkohet qasje e re e koalicionit qeverisës. Jo duke kërkuar shpëtim te rregullorja e Kuvendit, por te hapja e debatit në publik, jashtë Kuvendit.

Një pjesë e lidershipit të opozitës janë të mishëruar me teoritë protestuese të teoricentëve të pragmatizmit për ndryshime politike. Në mënyrë të përkryer një pjesë e këtyre mësimeve i kanë praktikuar në aspekt të vrazhdët dhe në një kontekst tjetër historik, por në aspektin funksional, në mënyrë të përkryer e jashtëzakonisht përfitues në tërheqjen e vazhdueshme të mbështetësve të rinj.

Nëse nuk lejon opozita debat në Kuvend, koalicioni i mazhorancës duhet të hapë debat jashtë Kuvendit me publikun. Në të gjitha hapësirat tjera mediatike e publike për të bindur publikun se diskursi dhe aksionet e opozitës janë të motivuara politikisht. Me një qëllim të vetëm për të rritur përkrahjen e saj realisht, duke dëmtuar proceset e shtet ndërtimit.

Me theks të veçantë, pse Kosova nuk dëmtohet me Marrëveshjet në Bruksel dhe se si në aktin e demarkacionit me Malin e Zi, nuk cenohet asnjë pjesë e tokave të Kosovës. Nëse këtë nuk e thonë zëshëm personalisht lidershipi i koalicionit të pozitës dhe me qasje të arsyeshme duke argumentuar bindshëm në mënyrë të pranueshëm për publikun, gjendja do të përshkallëzohet e përkeqësohet edhe më shumë.

Përndryshe nëse injorohet ky moment, rreshtimi në anën e opozitës do të shënoj ngritje të grafikonit me shumë të drejtë dhe me një shpejtësi të pa imagjinueshme. Së shpejti sheshet e Kryeqytetit dhe pastaj edhe qyteteve tjera të vendit tonë, do të jenë arenë trazirash e konfliktesh të dhimbshme dhe me pasoja të pa imagjinueshme për qytetarët tanë dhe për integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Nuk ka moment më të ndjeshëm për procesin e shtet ndërtimit. Andaj duhet të gjykoj koalicioni qeverisës dhe nuk do të ketë rast më të motivuar, do të konkludoj opozita për të vazhduar kundërshtimin e saj më të gjitha mjetet dhe metodat në këtë proces. Gjithashtu, edhe për qytetarët e devotshëm të Republikës së Kosovës është një nga momentet më të rëndësishme se si duhet rreshtuar.

Prandaj lidershipi i koalicionit qeverisës duhet të kërkoj skenën për komunikim me publikun për të heqë mjegullën që po rritët çdo ditë e më shumë. Sa më shumë që të vonohet në komunikim transparent me qytetarët për të bindur të gjithë ata që janë në dilemë, aq më pak do të ketë publik që do ta dëgjojnë arsyetimet e tyre më vonë. Një pjesë prej tyre do të jenë rreshtuar pa kthim prapa të vendosur në mbështetje të çfarë do aksionesh të opozitës. Ligjet e inercionet do t’i pajisin me bindje e vendosmëri pa marrë parasysh pasojat individuale që mund të pësojnë. Gjithnjë me motivin se po mbrojnë tërësinë territoriale të vendit dhe  perspektivën e Kosovës. Gjithnjë të bindur tani më se kanë mbetur hapur deriçka për Serbinë për të hyrë në Kosovë si të dojë e kur të dojë ajo, si shtet përmes institucioneve të saj dhe gjithë derivimet shovene për destabilizim të Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej për gjatë kufijve të saj.

Arsyetimi se kemi Gjykatën Kushtetuese dhe procesin e votimit në rastin e ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjeve në Bruksel, nuk janë postulate qetësuese edhe më pakë bindëse për qytetarët e brengosur dhe për opozitën në aksion. Strategjia e bllokut opozitar për të krijuar bindjen, se Gjykata Kushtetuese është politizuar, ndërsa votimi në Kuvend mund të ndodhë mekanikisht edhe kundër vendit tonë, ka bërë efektin e duhur. Për këto arsye te një pjesë e qytetarëve tanë, është lëkundur besimi në këto institucione. Prandaj kërkohet transparencë dhe hapje e debatit në publik gjithsesi dhe patjetër duke e udhëhequr lidershipi i koalicionit qeverisës me bindje e vendosmëri se çdo veprim në vendosjen e kufirit me Malin e Zi dhe çdo paragraf i Marrëveshjeve në Bruksel, nuk e dëmtojnë tërësinë territoriale të Kosovës e as perspektivën e saj për të qenë Republika e Kosovës sovrane dhe qytetarët e saj të dinjitetshëm.

ME TE LEXUARAT