Flet vajza e De Biasit: E dua Italinë, por në Europian jam me Shqipërinë

Kliko per me shume info

deDhe ëndrra u kthye në realitet! Më në fund të gjithë do të përjetojmë emocionet e kampionatit Evropian, i cili deri para pak kohësh ishte diçka e pa imagjinueshme, por sot jo! Kjo kombëtare arriti atë që nuk e kishte arritur askush, atë që ne do e mbajmë mend gjatë. E nëse ky sukses ka një emër, patjetër që ai quhet Gianni De Biasi. Trajneri që ngriti dhe besoi si i verbër në këtë skuadër dhe që me punë e përkushtim realizoi atë që deri tani ishte “Endrra Euro2016”.

Në deklaratën e tij të parë për mediat ai i dedikoi fitoren familjes, bashkëshortes dhe të bijës të cilat sipas tij janë më të shtrenjtat dhe që sigurisht janë mbështetëset më të mëdha.

Kliko per me shume info

De Biassi është kthyer bashkë me ekipin në Shqipëri dhe festimet ende vazhdojnë, por si e ka pritur familja e tij këtë moment historik? Cilët janë emocionet që përjetuan mbrëmë? Cilën skuadër do të mbështesin këtë Europian? Si është jeta e De Biasi-t jashtë fushës?

Mad.al ju sjell këtë intervistë ekskluzive me vajzën e Gianni De Biasi-t, Chiara Sofia, një 24 vjeçare që sot jeton në Trieste dhe studion për mjekësi – kirurgji. Mbi të gjitha është një prej tifozëve më të flakta të kombëtares sonë.

Si është të rritesh me Gianni-n si baba dhe cila është marrëdhenia juaj?

Të rritesha me babanë tim e konsideroj fat. Ai është një nga ato baballarë që çdokush do ta dëshironte, i dashur, i kujdesshëm dhe i gatshëm për çdo gjë. Një baba shumë mbrojtës ndaj familjes, aspak i bezdisshëm por i gatshëm të bënte gjithçka për të më ndihmuar.

Në fëmijërinë time mbaj mend çdo të diel (e cila ishte e vetmja ditë që mund ta shihja gjate pasi skuadra e tij nuk bënte stërvitje) ai i dedikohej familjes, mua dhe mamasë. Më kujtohen shëtitjet e gjata në kodrat e Molinetto della Corda ku shpesh herë merrnim edhe ski-lift.

Kujtimet e para nga babi i kam kur më lexonte përrallat çdo natë para se të flija. Tani jam 23 vjece dhe sigurisht që përralla nuk më lexon më 🙂 Tani që jam rritur diskutojmë tema më të rëndësishme së bashku: flasim për studimet e mia, për lidhjet që mund të kem (këtu e ruaj pak veten) etj. Në fakt, edhe pse unë dhe babai nuk jemi persona që na pëlqen shumë të flasim kur jemi bashkë shpesh here plas e qeshura, dhe duhet ta them: Babi ka një humor shume të spikatur!

Cila është marrëdhënia jote me fubollin?

Marrëdhënia ime me futbollin…Që e vogël kam qenë tifoze e Milanit edhe pse në të vërtetë bëja tifo për skuadrën që babai im ishte trajner. Në fakt tani jam akoma kuq e zi dhe jo për Milanin sigurisht, tani bëj tifo për Shqipërinë.

Ku e pe ndeshjen mbrëmë?

Ndeshjen e ndoqa në Trieste, ku për momentin studioj në vitin e pestë për mjeksi dhe kirurgji dhe ku kaloj pjesën më të madhe të vitit. Kthehem në Conegliano shpesh për të parë prindërit dhe shoqërinë time të dashur.

Mbrëmë kisha mbledhur miqtë e mi më të mirë në shtëpinë time. Në fakt gjithë kohën isha duke biseduar dhe komentuar me mesazhe me mamin e cila ishte në shtëpi vetëm. Menjëherë pas ndeshjes i kam shkruar babit për ta uruar atë dhe këtë skuadër të madhe si Shqipëria. Ai më telefonoi pas pak minutash, ishte tepër i gëzuar dhe i emocionuar. Më tha se për të ishte suksesi më i madh që ka arritur në karrierën e tij. Më vonë më nisi një video ku shihej ai, stafi dhe lojtarët duke festuar për fitoren. E pa imagjinueshme! Kam qarë nga gëzimi për të.

Sa krenare ndihesh për këtë rezultat pjesë e rëndësishme e të cilit është edhe babai yt?

Jam tepër e lumtur për këtë që ai arriti të bëjë së bashku me djemtë e kombëtares. Ai e ka besuar këtë ëndërr që në nisje. Kishte një qëllim dhe bëri të pamundurën që ta realizonte.

Jam tepër krenare për të dhe jam tepër e lumtur që Shqipëria arriti të kualifikohej për të parën herë në kampionatin Evropian.

A e ke parë babin të qajë ndonjëherë tjetër për ndonjë sukses të arritur, përveç atij të një natë më parë?

E kam parë babin të qajë kur ka arritur të dërgoj Torinon në Serie A me Urbano Cairo-n, një arritje e madhe brenda vetëm një viti që ai drejtonte këtë skuadër. Megjithatë besoj që një emocion si ai i mbrëmshëm ai nuk e ka provuar kurrë, të paktën në aspektin profesional.

Tani, Gianni është një hero në Shqipëri, a mendon se ky vlerësim i rëndon më shumë se sa thjeshtë detyra e një trajneri?

Besoj që puna e babait tim nuk është një punë e zakonshme, është një punë që të ekspozon shumë ku një ditë mund të jesh në majë të dallgëve e një ditë të fundosesh. Jam e sigurt qe ai do të dijë ta menaxhojë në mënyrën më të mirë këtë sfidë që ka përpara duke u përqendruar në objektivin final, duke dhënë maksimumin si trajner dhe duke i dhënë peshën e duhur çdo presioni të jashtëm, qoftë ky pozitiv apo negativ.

Cila do të jetë këtë Evropian skuadra për të cilën do të bësh tifo?

Edhe pse zemra ime i përket Italisë, më duhet të pranoj që do të bëj tifo për Shqipërinë! Forca Shqipëria!

Kosovarjaco

Kliko per me shume info
Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here