Njeriu më i pasur në Shqipëri do investojë 6 milionë euro në bujqësi

Aktualitet

maneKa preferuar gjithnjë të jetë një “risk-taker” dhe nuk ngurron ta bëjë as tani, kur ekonomia është e dobët. Për Samir Manen, CEO i grupit Balfin, pas blerjes së Carrefour pak muaj më parë, radhën e ka bujqësia, ku do të investojë 6 milionë euro për ndërtimin e serave me synim eksportin. Është nga ata që e shohin krizën si oportunitet dhe ka vendosur të investojë në Greqi, teksa preferon të përmendë shprehjen kineze, “Kur ka erë, disa bëjmë mulli ere, disa mure për t’u mbrojtur. Ne po e shikojmë krizën si mullinj ere”.

 

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Si ka qenë ecuria e grupit Balfin në vitin 2014?

Në bazë të shifrave tona, grupi ka pasur një ecuri shumë pozitive, pothuajse në të gjitha parametrat e vet dhe në të gjitha kompanitë që ne zotërojmë, si brenda dhe jashtë. Ka disa kompani, që janë më të suksesshme. Një prej tyre është Neptuni, me një rritje shumë të lartë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Në Serbi kemi një stanjacion, por në katër vendet e tjera po ecim mirë. Edhe në Vjenë kemi rritje të biznesit.

Kjo ecuri ka të bëjë më shumë me krijimin e ekonomisë së shkallës dhe me metodat e reja të menaxhimit dhe me përqindjen më të madhe që kemi në treg në të gjithë rajonin. Kjo është një risi e mirë për grupin. Natyrisht që Neptun është kompania kryesore, ku ne kemi filluar biznesin dhe kemi fokusin kryesor për të mbajtur pjesën e tregut dhe për të arritur fitime. Kjo është një industri që vuan nga normat e fitimit, për shkak të shitjeve online, d.m.th rritjes së shitjeve online, ndonëse në Shqipëri kjo është më pak e pranishme, por në rajon më shumë. Edhe ne po bëhemi gati për t’u ballafaquar me këtë trend të ri të shitjeve online.

Kemi filluar të ngremë strukturat tona lokale, por mund të shkojmë dhe drejt strukturave rajonale, që të kemi një faqe online për shitjet. Në fakt, shitjet online po rriten çdo vit nga pak, por po shohim që duhet në ingranohemi në strukturën e re të shitjeve online.

Një kompani tjetër e grupit, e cila po performon mirë, me gjithë vështirësitë e mëdha të tregjeve botërore, është AlbChrome. Edhe po ta vini re nga shitjet, ajo ka rritje të xhiros, por ka dhe rritje të fitimeve. Kjo ka ardhur jo nga tregu botëror, që është në minimumin e vet, por për shkak të metodave të reja të menaxhimit dhe të uljes së kostove deri në minimum.

Besojmë që me investimet e reja që po bëjmë në këtë kompani, me një vlerë prej 25 milionë eurosh, për hapjen e pusit 9, kompania vitin tjetër do të ketë rezultate më të mira. Pusi 9 pritet të arrijë një rezervë shumë të madhe, të pahapur ndonjëherë, (pusi i fundit është hapur në vitin 1981) dhe tani pas mbi 30 vjetësh po hapet një pus tjetër. Ky është pusi më i gjatë i minierës dhe do të na bëjë të arrijmë rezerva të konsiderueshme minerare dhe në këtë mënyrë të konsolidojmë pozicionin tonë jo vetëm në Shqipëri, por duke qenë se jemi prodhuesit e dytë më të mëdhenj në Europë për kromin, të konsolidohemi si industri në gjithë tregun europian.

Jumbo është një tjetër shoqëri e grupit që ka pasur ecuri shumë pozitive si në Shqipëri, ashtu dhe në dyqanin e parë që hapëm në Kosovë. Brenda vitit do të kemi një dyqan në Mal të Zi dhe synojmë një zgjerim rajonal me Jumbo.

Veshjet është një industri që nuk ka performuar shumë mirë, ndonëse kemi pasur një rritje prej 2%. Do të kemi ndryshime në këtë segment, veshjet nuk do të jenë më fokusi ynë edhe për shkak të konkurrencës së lartë që ka ardhur nga Zara, shpërndarja e madhe e LC Waikiki dhe operatorë të tjerë që pritet të vijnë.

Qendrat tregtare kanë pasur ecuri pozitive. TEG është në ditë të mira. Këtë vit do të ketë një ndarje dividendi. Pra presim që 2015-a të dalë me fitim, natyrisht duke shlyer gjithë detyrimet që kemi ndaj bankave. Edhe QTU po ecën mirë. Kemi bërë disa ndryshime në strukturën e qiramarrësve. Shumë shpejt do të hapet Jusk në të dyja qendrat, pasi është zvogëluar Carrefour.

Sfidë mbetet Carrefour, që është një biznes, që tre muaj pasi e morëm e kemi rritur me 50%, në krahasim me atë që gjetëm, por sërish nuk jemi në ato parametra që duam. Besoj që këtë vit do të jemi numri një në shitjet e ushqimoreve, por përsëri jo në shifra që na gëzojnë për të pasur fitime dhe për më tepër fitime të mëdha.

Pasuritë e paluajtshme gjithashtu po i shohim me shumë vëmendje, kemi investime të reja miliona eurosh në Gjirin e Lalëzit dhe në Palasë. Të dyja investimet shkojnë diku te 80 milionë euro, kanë filluar ndërtimet. Po përfundohen edhe projektet që kemi nisur në Ambasador 3 dhe Rolling Hills, janë në fazën e fundit. Me shitjet jemi shumë mirë, Mane TCI konsiderohet kompania e dytë në grup që sjell më tepër fitime, në raport me të tjerët në grup. Po flas për kompanitë në Shqipëri.

Xhiroja e grupit është afërsisht te 300 milionë euro, në total, me të gjitha kompanitë. Këtu nuk kemi përfshirë Serbinë që thuajse është në proces shitjeje, duke parë kështu prioritete të tjera me shumë intensitet.

 

Pse e shikoni me interes tregun e Greqisë të zhytur në krizë?

Në shtator do të hapim filialin tonë në Greqi atje dhe do të shohim oportunitete për të investuar, në elektronikë, industri të ndryshme.

E shohim me interes këtë treg, pasi ka oportunitete, që në këto raste janë më të mëdha. Më 1 shtator do të kemi Balfin Greece, e pas kësaj do të shohim me shumë intensitet mundësitë e investimit, kemi filluar negocimet e para për hapjen e dyqaneve, brenda vitit do të kemi përfunduar patjetër një transaksion në Greqi.

 

Po në Shqipëri, në cilët sektorë të tjerë do të investoni?

Së bashku me partnerët, kemi filluar edhe një investim në bujqësi prej 6 milionë eurosh. Fillimisht do të jetë një investim prej 250 mijë m² serë, por brenda 2017-s kemi synimin që të arrijmë 1 milion m² serë ndërtim. Synimi është që të shkojmë direkt te konsumatori europian. Kjo është një provë për ta diversifikuar industrinë, nuk e dimë ende se si do të shkojë. Sipas të gjitha planeve duket mirë.

 

Së fundmi ka një interes të shtuar për bujqësinë, por edhe risku është më i lartë. Si e vlerësoni ju?

Po, risku është i lartë, por jo me metodat e reja që do të aplikohen në përfitimin e produkteve bujqësore, por me motin. N.q.s moti është i favorshëm, atëherë ne do të jemi mirë në treg. Padyshim për çdo biznes ka risk. Ne si kompani e kemi treguar që jemi “marrës përsipër të rrezikut”, me shembuj konkretë, kur njerëzit s’e besonin që do shkonin të QTU për të blerë domate aty, ne i treguam të kundërtën.

 

Çfarë do të prodhoni dhe çfarë tregu do të synoni?

Kryesisht speca, në masën 70%, por edhe produkte të tjera. Tregu i synuar është ai europian, mund të jetë edhe tregu i brendshëm. Jemi në finalizim të mbylljes së kontratave, sidomos për tregun në Gjermani. Vlera e shtuar është se prodhimi do të eksportohet direkt nga magazinat tona në Lushnjë në treg, duke shmangur hallkat. Po bëjmë edhe sera, edhe magazina. Aktualisht kemi filluar investimin në një sipërfaqe të vogël, por do të marrim sërish hapësira të tjera, kur të jenë të nevojshme, për të krijuar një ekonomi shkalle. Investimi është kryesisht siguruar, kryesisht nga cash flow ynë, por edhe nga bankat. Bankat kanë shfaqur interes të lartë të financojnë bujqësinë.

 

Sa vende pune do të hapen?

120 janë në fazën e parë, nuk bëhet fjalë për vende të mëdha pune, sepse kemi një sistem thuajse të automatizuar në këtë sektor, por vende pune do të hapen gjithsesi.

 

Duke qenë se një pjesë e madhe e kompanive të grupit është e përqendruar te retail, si e vlerësoni ju ecurinë e konsumit? Ju duhet të jeni matësit direkt më të mirë të konsumit.

Nuk e di nëse ka matës më të mirë se ne të konsumit. Në Carrefour, dyqanet e veshjeve, Neptun, Jumbo, në të gjitha njësitë tona tregtare, në bazë të shifrave që kemi deklaruar, padyshim jemi në ditë të mira, por nuk besoj se këto ditë vijnë nga ndonjë rritje e madhe e konsumit, por vjen nga të qenët më profesionalë në raport me konsumatorin. Supermarketi e “vret” pak më tepër retail, ketë e shohim edhe në marzhet tona të fitimit, kemi më shumë xhiro, por fitimi është më i ulët. Edhe në raport me rajonin. Në Maqedoni, bëjmë më pak xhiro, por kemi më shumë fitim. Në Kosovë, kemi shumë më tepër fitim se sa në Shqipëri. Kjo, pasi këtu kemi shkallë më të lartë informaliteti se jashtë.

Unë konsumin e vlerësoj në një rritje të vogël, që nuk lexohet në raport me konsumatorin.

 

Si do ta vlerësoni luftën që ka nisur ndaj informalitetit?

Sikur të jetë edhe 50% e vërtetë, do të jetë shumë e mirë, për të gjithë. Në fund të fundit, ajo që kërkohet është që secili të paguajë taksën e vet. Unë do ta vlerësoja maksimale sikur kjo të zbatohet. Do të ishte një revolucion. Sigurisht, sistemi i taksave në Shqipëri do të ketë vështirësitë e veta, pasi njerëzit nuk e vlerësojnë se taksa duhet paguar. Nëse zbatohet, do të ketë ndikimet e veta, jo vetëm në raport me të ardhurat, por edhe me rregullimin e shumë pjesëve të industrisë, të cilat kanë nevojë të rregullohen.

 

Cilat janë pritshmëritë për 2015-2016?

2015 do të jetë një vit shumë i mirë për ne, por natyrisht lufta ndaj informalitetit do të ketë efekte edhe pozitive, edhe negative, në raport me të gjitha gjërat. Ne mendojmë si grup që do të jetë vit i mirë edhe për shkak të daljes nga Shqipëria. Presim që 2016-a do të na bëjë më të diversifikuar, me një tendencë për t’u strukturuar me të gjitha bizneset në Shqipëri dhe të shohim edhe më gjerë në rajon. Nuk do të kemi më investime të rëndësishme në Shqipëri, pasi mendojmë se jemi në të gjitha fushat, ose në pjesën më të madhe të tyre.

 

Po në rajon çfarë avantazhesh do të keni? Çfarë tregjesh synoni?

Ne do të shikojmë tregje si Italia dhe Greqia. Nuk do të shikojmë vetëm oportunitetet e të qenët në krizë të tyre dhe aftësive tona menaxheriale, por edhe arsyen se në këto zona kemi shumë shqiptarë, të cilët nuk janë një potencial i vogël, për t’i llogaritur në të gjitha aspektet konsumatore por edhe menaxheriale. Këtë e shohim si vlerë të shtuar. Në këto dy vende do të kemi patjetër investime gjatë 2016-s. Po koordinohemi me bankat lokale që të blejmë asete të këqija. Krizën po e shikojmë si oportunitet. Si ajo shprehja kineze, kur ka erë, disa bëjmë mulli ere, disa mure për t’u mbrojtur. Ne po e shikojmë si “mullinj ere”. MONITOR

ME TE LEXUARAT