Nishani pret Jahjagën: Bashkëpunimi rajonal, jetik për paqen

Kosovë&Rajon

jahjagaPresidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pritur paraditen e së enjtes në zyrën e tij homologen Kosovare, Atifete Jahjaga, me të cilën në konferencën e përbashkët për shtyp ka rikonfirmuar bashkëpunimin dypalësh.

Në fjalën e tij, Nishani ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për dialogun Kosovë-Serbi, proces që sipas tij po i jep një frymëmarrje të re rajonit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Shqipëria ka mbështetur në vazhdimësi dialogun Kosovë-Serbi, i cili dha një frymë pozitive për rajonin. Bashkëpunimi mes vendeve tona i shërben paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale”, ka deklaruar Nishani.

Kreu i shtetit ka nënvizuar se, në shërbim të këtij bashkëpunimi Shqipëria nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin në NATO të asnjë vendi të rajonit.

Më tej Nishani ka vlerësuar vendimin e Parlamentit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, duke shprehur bindjen se, “askush nuk mund të njollosë luftën heroike të UÇK-së”.

Nga ana e saj, Jahjaga ka falenderuar Shqipërinë për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.

“Falë mbështetjes tuaj Kosova është përfshirë në samite dhe nisma rajonale e ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur Kosovën edhe në proceset integruese dhe pranimin në institucione ndërkombëtare”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka nënvizuar se, me marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, Serbia po shkon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Axhenda e takimeve të Presidentes së Kosovës do të vijojë me kryeparlamentarin Meta në 12:15, për të vijuar me kryeministrin Rama në 12:45.

Jahjaga gjithashtu do të mbajë edhe një fjalim në seancën e sotme të Kuvendit në orën 15:30.

Takimet në ditën e parë të vizitës do ti përmbyllë me kryebashkiakun Veliaj në 16:30.

Ndërkohë dita e dytë e qëndrimit të Jahjagës në vendin tonë nis me një takim me shefin e selisë blu, zotin Basha në orën 07:45.

Pas takimit me Bashën, Presidentja e Kosovës do të udhëtojë drejt Beratit, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një vizitë në Shkodër.

ME TE LEXUARAT