Meta pret Jahjagën: Mbështesim integrimin euroatlantik të Kosovës

Kosovë&Rajon

atiKryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta priti sot Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila shoqërohej prej Ministres së Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural z. Memli Krasniqi. Në takim të pranishëm ishin edhe Nënkryetari i Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi si dhe Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, znj. Arta Dade.

Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen në këtë vizitë të parë në Shqipëri Presidentes Jahjaga dhe delegacionit që e shoqëron, duke vlerësuar progresin e dukshëm të Kosovës gjatë viteve të fundit. Z. Meta theksoi se Shqipëria e mbështet plotësisht avancimin e Kosovës në procesin e integrimit euro-atlantik dhe në këtë kuadër përpjekjet duhen përqendruar në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, shtimit të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme rajonale e ndërkombëtare si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve të Kosovës si dhe të popullit të saj për mbështetjen e fuqishme, të vazhdueshme e të pakursyer të Shqipërisë dhe popullit të saj ndaj avancimit të proceseve integruese, lobimit për njohjet ndërkombëtare, anëtarësimit në organizatat rajonale dhe progresit të Kosovës.

Kryetari Meta dhe Presidentja Jahjaga vlerësuan marrëdhëniet e ngushta e vllazërore mes dy vendeve fqinje dhe nënvizuan rëndësinë e rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh, si në aspektin ndërparlamentar, ashtu edhe në drejtim të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, me qëllim heqjen e barrierave dhe shtimit të fluksit tregtar.

Kryetari i Kuvendit z. Meta e siguroi në përfundim Presidenten e Kosovës znj. Jahjaga se  Shqipëria do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës në mbështetje të progresit të gjithanshëm demokratik e shoqëror të vendit fqinj, duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si strategjike për mbarëvajtjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.

ME TE LEXUARAT