I mbeti hatri për vallen e dasmës, qëllon me armë makinën me 8 persona

Aktualitet

gjykata-tirane14Përdorimi i armëve të zjarrit gjatë një zënke të nisur në një dasmë për shkak të hatërmbetjes së një dasmori për radhën e kërcimit, do t’i kushtojë plot 16 vjet heqje lirie një 32¬-vjeçari në Tiranë.

I pandehuri Uran Meta është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Sipas Gjykatës, në 3 gusht 2014, i pandehuri qëlloi me armë zjarri në distancë të afërt drejt një automjeti ku udhëtonin tetë persona, shtatë prej të cilëve anëtarë të së njëjtës familje. Nga të shtënat u plagos vetëm një nga pasagjerët e automjetit.

Dy palët e konfliktuara u përkisnin familjeve në lidhje krushqie me njëra-¬tjetrën. Referuar vendimit të Gjykatës, të shpallur pak ditë më parë, i pandehuri Meta u dënua me 24 vjet heqje lirie, por ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit, për shkak se u gjykua me kohë të shkurtuar.

KONFLIKTI

Gjatë ceremonisë së dasmës është konsumuar pije alkoolike nga pothuajse të gjithë të pranishmit, por A. Lena kishte pirë më shumë se të tjerët. Sipas Gjykatës, ai ka filluar të reagojë e për më tepër është mërzitur duke menduar se daja i tij, babai i dhëndrit, nuk e kishte respektuar sa duhej. Ai është çuar i acaruar dhe ka kërkuar një radhë kërcimi, duke folur për këtë me dajën e tij.

Ndërkohë që bisedonte me të, ka takuar me bërryl të pandehurin Uran Meta dhe situata është acaruar duke bërë që familja Lena të ngrihej për të ikur nga dasma. Kur kanë dalë te parkingu i lokalit ku zhvillohej dasma, A. Lena ka debatuar përsëri me të pandehurin Uran Meta fillimisht me fjalë fyese. Më pas pjesëtarë të familjes Lena e kanë kapur nga gryka dhe e kanë goditur të pandehurin Meta.

Referuar vendimit, ai është ndjerë i ofenduar dhe i prekur në sedër. Në vijim ai ka marrë makinën e tij dhe ka dërguar në banesën e tij bashkëshorten dhe fëmijët. Pasi ka lënë familjen e tij në banesë, i pandehuri e ka porositur bashkëshorten të kujdesej për fëmijët dhe është larguar i nevrikosur, duke marrë me vete edhe një armë zjarri pistoletë.

TENTATIVA E VRASJES

Në kohën që i pandehuri po kthehej te lokali i dasmës, anëtarët e familjes Lena kishin hipur në një automjet për t’u larguar, i cili drejtohej nga një i afërm i tyre. Në momentin që makina ndodhej në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, Paskuqan, dhe po lëvizte me ngadalë për shkak të terrenit, i pandehuri Uran Meta ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të makinës ku ndodheshin shtatë anëtarë të familjes Lena dhe B.N., e fejuara e njërit prej djemve.

“I pandehuri ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të makinës së tyre e për pasojë është plagosur shtetësja B.N., e cila qëndronte si pasagjere në sediljen e pasme të krahut të majtë”, thuhej në vendimin e Gjykatës.panorama

ME TE LEXUARAT