Britania nderon arkitekten Zaha Hadid me medalje mbretërore

Bota

britaniZaha Hadid është nderuar me medaljen e artë mbretërore për arkitekturë të RIBA-s (Royal Institute of British Architects) duke u bërë femra e parë që merr këtë çmim.

Arkitektja e lindur në Irak, e cila tani jeton në Londër, ka projektuar “Aquatics Center” për Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2010. Objekte në qytete të ndryshme, duke u nisur nga Guangzhou në Kinë e deri në Glasgow, mbajnë firmën saj si projektuese, shkruan sot “Koha Ditore”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Medalja e artë i është dhënë në shenjë të vlerësimit të karrierës së saj jetësore nga “Royal Institute of British Architects” (Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë) dhe është aprovuar personalisht nga mbretëresha. Medalja e RIBA-s është njëra prej vlerësimeve më të mëdha në fushën e arkitekturës dhe ndahet qysh prej vitit 1848.

Presidentja e RIBA-s, Jane Duncan, e quajti Zahan “forcë të madhe me ndikim global në arkitekturë”.

“Veprat e saj janë eksperimentale, rigoroze dhe kërkuese. Prej ndërtesave tek mobilet, veshmbathjet e veturat, janë mjaft të kërkuara në gjithë botën”, ka thënë ajo.

Arkitektja ka marrë titullin damë në vitin 2010 dhe ka marrë çmime të shumta gjatë karrierës së saj. Ka fituar dy herë me radhë “RIBA Striling Prize”, një prej çmimeve më prestigjioze në Britani për arkitekturë. Në vitin 2010 ajo fitoi çmimin për “Maxxi Musem” në Romë, ndërsa një vit më pas mori çmimin në Brixton për “Evelyn Grace Academy”. Në vitin 2004 ajo u bë gruaja e parë që mori çmimin “Pritzker Architecture Prize”. Vitin e kaluar “Heydar Aliyev Centre”, të cilën ajo e dizajnoi në Baku të Azerbajxhanit, mori çmimin “Museum Design of the Year Award”. Në këtë formë ajo u bë gruaja e parë që mori çmime kryesore nëpër gara për arkitekturë. Zaha u paraqit në një emision në “Radio 4” për të biseduar për çmimin e saj. Por intervista ishte shkurtuar pas një shkëmbimi të nxehtë fjalësh. Kur prezantuesja Sarah Montague foli për vdekjen e punëtorëve emigrantë gjatë ndërtimit të stadiumit “World Cup” në Katar, të cilën e kishte dizajnuar kompania e saj, Dame Zaha tha: “Nuk kishte vdekje nga ana jonë. Duhet t’i vërtetosh të dhënat para se të thuash ndonjë gjë”. Ajo po ashtu hodhi poshtë fjalët se Qeveria japoneze braktisi planet për ndërtimin e stadiumit olimpik për shkak të çmimit të projektit të saj. “Unë nuk u tërhoqa”, ka thënë ajo, pasi që Montague kishte thënë se ajo u largua nga projekti. “U tërhoqëm për shkak se nuk kishim kontraktues me të cilët do të punonim”. Këto përplasje shtynë që intervista e tyre të ndalet në gjysmë.

“Le të ndalojmë këtë bisedë tani. Nuk dua të vazhdoj. Shumë faleminderit!”, kishte thënë ajo. Ndërsa “Today 4” më pas kishte kërkuar falje duke thënë: “Ne jemi të lumtur të pranojmë se nuk ka prova për vdekjen në vendin e ndërtimit të stadiumit në Katar”.

Zaha Hadid u rrit në Irak para se të shkonte në Angli, për të vazhduar studimet në moshën 17-vjeçare. Në vitin 1979 ajo hapi zyrën e saj në Londër. Fitoi reputacion në mbarë botën me veprat e saj teorike duke përfshirë “The Peak” në Hong-Kong, “Kurfurstendamm”në Berlin dhe “Cardiff Bay Opera House” në Wales. Ka projektuar edhe Urën në Zaragoza të Spanjës; Muzeun në Glasgow dhe Shtëpinë e Operës në Guangzhou. Teksa ka folur për çmimin, ajo ka dhënë një deklaratë të shkurtër për BBC-në. “Është e mrekullueshme. Ishte një verë e vështirë, kështu që kjo është shumë freskuese”, ka thënë Hadid.

ME TE LEXUARAT