Prishja e ndërtimeve, Basha kërkon evidenca nga PD, ngre grup pune

Politikë

basha grupKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur që të ngrejë një grup pune që do të merret me evidentimin e dëmeve që kanë ardhur si pasojë e prishjes së ndërtimeve nga ish-INUK-u, aktualisht IKMT. Ky grup pune do të nisë verifikimin e dëmeve që nga muaji shtator i vitit 2013, kur u formua qeveria “Rama” e deri më tani. “Në mbështetje të nenit 38 të Statutit të Partisë Demokratike, me qëllim përllogaritjen e dëmit ekonomik, social dhe mjedisor, të shkaktuar nga prishjet e ndërtimeve në Republikën e Shqipërisë gjatë periudhës shtator 2013 e në vijim urdhëroj ngritjen e grupit të punës”,- thekson Basha. Sipas urdhrit të lëshuar nga kryedemokrati Lulzim Basha, dhe që mban datën e djeshme, grupi do të përbëhet nga 12 anëtarë dhe do të shtrihet në të gjithë vendin. Konkretisht, grupi do të përbëhet nga kryetari, dy anëtarë nga departamenti “Ekonomia dhe tregu”, dy anëtarë nga departamenti “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, dy anëtarë nga departamenti “Drejtësia dhe çështjet ligjore”, një anëtar nga departamenti “Ambienti, pyjet dhe turizmi”, një anëtar nga departamenti i “Shëndetësisë”, si dhe tre anëtarë me profesion inxhinierë ndërtimi.

Sipas udhëzimit të Bashës, shkruan SHQIP, ky grup pune në bashkëpunim më të plotë dhe të ngushtë me të gjitha strukturat e PD-së në bashkitë e vendit do të dokumentojë dhe përllogarisë dëmin ekonomik të shkaktuar nga prishjet e ndërtimeve në të gjithë vendin që prej shtatorit 2013 deri më sot. Gjithashtu, ky grup pune do të dokumentojë me përgjegjësi dhe rast pas rasti paligjshmëritë dhe selektivitetin e qeverisë lidhur me këto prishje. Po ashtu, grupi i punës, udhëzon Basha, do të vlerësojë ndikimin e prishjeve në mjedisin përreth dhe në shëndetin e komunitetit.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në pikën 3 të udhëzimit, Basha thekson se ky grup ekspertësh pritet të nisë punën e tij brenda këtij muaji dhe do të zhvillojë hetimet e tij deri më

15 dhjetor të këtij viti, ku do t’i paraqesë Bashës dhe raportin përfundimtar mbi gjetjet e këtij hetimi. Grupi i punës do të raportojë në mënyrë periodike çdo një muaj në PD për punën e zhvilluar. “Grupi i punës fillon aktivitetin e tij brenda datës 1 shtator 2015. Grupi i punës raporton çdo muaj pranë kryetarit të Partisë Demokratike për mbarëvajtjen e punës së tij. Grupi i punës i dorëzon raportin përfundimtar kryetarit të Partisë Demokratike brenda datës 15 dhjetor 2015”- thekson Basha.

Me qëllim realizimin e detyrave, Basha urdhëron që grupi i punës të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha strukturat e PD-së në bashkitë e vendit dhe me të gjitha palët e treta të interesuara. “Degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë për detyrë të mbështesin me çdo mjet që kanë në dispozicion aktivitetin e grupit të punës. Ngarkohen sekretari i përgjithshëm dhe sekretari organizativ për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri”- udhëzon kryedemokrati Lulzim Basha.

ME TE LEXUARAT