Kreditë e këqija u ulën me 2.4%, BSH: Në tremujorin e dytë, rënia më e fortë në 3 vjet

Aktualitet

banka-shqiperiseTë dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija zbritën në tremujorin e dytë në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit.

Sipas bankës, në fund të qershorit kreditë me probleme ranë në nivelin në 20.3 për qind nga 22.7 për qind që ishin në tremujoriun e parë dhe 24 për qind në të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rënia me 2.4 pikë përqindje brenda një tremujori është më e forta e regjistruar ndonjëherë që nga fillimi i krizës dhe lidhet me disa faktorë njëherësh.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se ndikimin më të madh e kanë dhënë masat e reja rregullatore, të cilat i detyrojnë bankat që të fshijnë nga bilanci kreditë e këqija, të lindura më shumë se tre vjet më parë.

Paralelisht, veç kësaj mase, ulja e kredive me probleme është ndihmuar edhe nga ristrukturimi i tyre, si dhe rritja e kredisë totale për ekonominë.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është që brenda vitit kreditë e pakthyera të zbresin nën nivelin 20 për qind, një target i cili me shifrat e tremujorit të dytë tashmë duket gati i arritur.

Ngadalësimi i fortë i ekonomisë dhe kriza e thellë në disa sektorë të saj bëri që pas vitit 2009, kreditë me probleme të rriten me ritme të shpejta, duke arritur deri në 25 për qind të totalit.

Ky nivel, i cilësuar si alarmant nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore, rriti pasiguritë në sistemin financiar të vendit.

Për shkak të frikës nga moskthimi, bankat nisën të bllokojnë dhënien e kredive të reja të reja për bizneset dhe individët, duke goditur edhe më shumë rritjen ekonomike.

ME TE LEXUARAT