IQT: Në treg ka bombula gazi të rrezikshme, mos blini të pa licencuara

Aktualitet

iqt-shefjaInspektoriati Qendror Teknik ka nisur një hetim për arsyen e shpërthimit të bombolës së gazit një ditë më parë në zonën e “Don Bosko”-s.

Drejtoresha e këtij inspektoriati, Ejana Xhixha thekson se, me gjithë përmirësimet e bëra, në treg ka ende bombola gazi që kanë ardhur nga vende të tjera si të dala jashtë përdorimit, por që përdoren masivisht nga konsumatorët tanë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Ky ka qenë një sektor tërësisht i parregulluar. Kemi hasur edhe me fenomenin e importit të bombolave të gazit, nga vende fqinje por jo vetëm, cilësia e të cilave në shtetet e origjinës prej nga janë importuar, rezultojnë shpeshherë apo më së shumti të dala jashtë përdorimit. Këto janë sot të pranishme dhe në përdorim të gjerë familjar, por edhe në biznese të caktuara. Sot ka edhe subjekte, të cilat janë përtej fushëveprimit të tyre për të cilat janë licencuar, apo që janë në kushte edhe totalisht arbitrare të ushtrimit të aktivitetit, që kryejnë tregtimin e bombolave të gazit”, thotë drejtoresha Ejana Xhixha.

Sipas zonjës Xhixha, me ndryshimet e bëra në ligj, vetëm subjektet “Sh. a.” janë të kontrollueshme dhe kanë detyrim që të bëjnë, jo vetëm kolaudimin e bombolave të gazit që tregtojnë, por edhe të vendosin etiketa me informacion të detajuar në lidhje me to.

Ndërkohë, sipas zonjës Xhixha, pjesa e tregut që është e pakontrolluar kërkon një bashkëpunim ndërinstitucional, pasi shumë prej bombolave mbushen nëpër bodrume apo pika karburanti, nga persona të palicencuar për këtë qëllim.

“Instrumentin e vetëm që kemi ne është gjoba, apo aktin e bllokimit si masë të ndërmjetme por jo përfundimtare. Ndërsa Drejtoria e Tatimeve, në ligjin e vet, ka masa të tjera të parashikuara për subjektet që janë të pafiskalizuara dhe pa licencë apo NIPT, që do të thotë se ata kanë konfiskimin si masë të parë. Zjarrfikësja gjithashtu është një partner shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe ne kemi gjetur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha këto institucione, por jemi në fazën e diskutimit për të përfshirë tashmë edhe Inspektoriatin e Punës në këtë grup të përbashkët, sepse kultura e përdorimit të pajisjeve dhe gazit në vetvete, qoftë nga konsumatorët edhe nga bizneset, lë pafundësisht për të dëshiruar”, tha kreu i IQT-së, Xhixha.

Drejtoresha e IQT-së kërkon bashkëpunim dhe ndërgjegjësim edhe të konsumatorit, në mënyrë që të refuzojë frekuentimin e blerjes së bombolave të gazit, apo mbushjen e tyre në subjekte të palicencuara.

“Ka ardhur koha që konsumatori në vetvete të bëhet garant i kushteve të sigurisë për veten e tyre. Vërtet sot ligji i ndalon pikat e karburanteve të mbushin bombula për qëndrime rezidenciale apo tregtare, por janë më së shumti konsumatorët që, edhe pse e dinë që ligji e ndalon mbushjen e bombolës atje, këmbëngulin dhe u drejtohen sërish këtyre pikave për të marrë shërbimin e kërkuar, citon top channel. Ai punonjësi që e kryen këtë shërbim në një pikë karburanti nuk është aspak i kualifikuar për të dalluar me sy të lirë nëse bombola është në përputhje me kushtet teknike, apo nëse ka dëmtime apo rrjedhje”, deklaroi Ejana Xhixha.

ME TE LEXUARAT