Greqi, bisedime maratone për marrëveshjen me kreditorët

Bota

greqi-beeeSytë e gjithë grekëve janë edhe sot nga hoteli luksoz “Hilton”, në Athinë, ku bisedimet e djeshme maratone prej 12 orësh midis qeverisë dhe kuartetit të kreditorëve të Greqisë janë ndërprerë në orët e vona të natës për të rifilluar mëngjesin e së hënës.

Athina zyrtare shpreh optimizëm se është çështje orësh arritja e marrëveshjes mes dy palëve për nënshkrimin e memorandumit të tretë të ndihmës financiare që do të largojë makthin e daljes së vendit nga zona e euros dhe do të rimëkëmbë ekonominë.

Burime qeveritare bëjnë me dije se projektligji për marrëveshjen do të çohet në Parlament nëpërmjet dy neneve. I pari do të përmbajë kontratën e kredisë me Mekanizmin e Stabilitetit Europian, ESM, me vlerë 52 miliardë euro.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

I dyti ka të bëjë me reformat e kërkuara që do të aprovojë dhe zbatojë qeveria, në mënyrë që të jepet drita jeshile për lëvrimin e këstit të parë të programit të ri të ndihmës që pala greke kërkon të jetë në vlerën prej 25 miliardë euro.

Kjo, pasi Greqia ka nevoje urgjente për 10 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërkohë që 7 miliardë është vlera e rimbursimit të kredisë urë që mori Athina para disa ditësh, ndërsa më datë 20 gusht mbaron afati i një detyrimi prej 3.5 mld euro ndaj BQE-së.

Bisedimet e sotme përqendrohen tek kërkesa e qeverisë për krijimin e një organizmi të ri shtetëror që do të merret me rregullimin e kredive të këqija që kanë arritur një vlerë prej 90 mld euro, ndërsa kreditorët kërkojnë që ato t’u kalojnë fondeve të huaja.

Gjithashtu, mosmarrëveshje ka ende për kontratat e punësimit, tarifën spitalore për të gjithë qytetarët pa përjashtim, pagesat me 100 këste të detyrimeve shtetërore nga bizneset private, si dhe për prerjen e pensioneve të parakohshme.

E pazgjidhur është ende edhe çështja e përdorimit të të ardhurave nga Fondi i Privatizimeve të Pasurisë Shtetërore me kreditorët që kërkojnë të procedojnë sa më shpejt shitjet e aseteve publike, ndërsa pala greke që thekson se nuk është kohë e përshtatshme dhe nuk ka çmime të arsyeshme për privatizime.

Sipas dy ministrave grekë, atij të Financave dhe atij të Ekonomisë, të dyja palët po përpiqen që këto negociata të mbyllen deri të martën në mbrëmje, në mënyrë që marrëveshja të shkojë më pas në Parlament dhe të aprovohet atje deri të enjten.

Në shtypin e së dielës gjithësesi, përsëri shumica e artikujve politikë sugjeronin se zgjedhjet e parakohshme janë shumë afër, pasi tashmë linja qeveritare e kryeministrit Tsipras, që konfirmohet dhe përforcohet çdo orë që po kalon, është: “Marrëveshje me kreditorët dhe divorc me adhuruesit e dhrahmisë brenda partisë së tij”.(top chanel)

ME TE LEXUARAT