Vlerësohet progresi në lehtësimet tregtare Shqipëri-Kosovë

Aktualitet

cani prizNë terminalet doganore të Kosovës nuk do të paguhet ansjë tarifë për eksportet e frutave dhe perimeve nga Shqipëria, ndërsa autoritetet qeveritare të Kosovës po punojnë edhe për rishikimin e shpenzimeve të transportit të sipërmarrjeve të të dy vendeve, për t’i unifikuar ato dhe për të krijuar një klime favorizuese biznesi.

Ky progres ishte vetëm një prej synimeve të shprehura të grupeve të përbashkëta të punës Shqipëri- Kosovë, në plotësim të detyrimeve të Memorandumit të Mirëkuptimit të ministrive të Financave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në një takim të zhvilluar në Prizren, me përfaëqësuesit më të lartë të dikastereve përkatëse, janë analizuar me detaje angazhimet e marra dhe arritjet e shënuara. Eshtë vlerësuar sidomos përpjekja për unifikimin e dokumentaciomnit dhe të procedurave doganore dhe është kërkuar që ato të jenë të njëjta në të dy anët e kufirit dhe të orientuara drejt standardeve të Bashkimit Europian.

Nuk do të ketë kritere risku të ndryshme në të dy anët e kufirit, shkëmbimi i informacionit për sipërmarrjet e të dy vendeve që ushtrojnë veprimtarinë e biznesit në këtë territor do të jetë i vazhdueshëm dhe në përfitim të palëve, do të ketë një plan të njehsuar të unifikimit të akcizave për “mallrat e fortë”, pra produktet që paguajnë taksën e akcizës, për të luftuar edhe kontrabandën që vihet re në mungesë të njehsimit të taksave të tilla. Autoritetet kërkuan që shkëmbimi i informacionit në këtë fushë, i siguruar mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë të jetë i tillë edhe me Kosovën.

Në takim u ndanë mendime edhe lidhur me harmonizimin e procedurave tatimore lidhur me tatimin në burim, tatimin mbi të ardhurat, periudhën e mbartjes së humbjeve, transferimin e çmimit e deri tek përvoja shqiptare për kompensimin e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20 % të fermerëve. Ekspertët e të dy institucioneve shkëmbyen mendime edhe për rentën minerare, duke marrë në konsideratë dy opcione, atë në për qindje të çmimit dhe rentën në vlerë fikse. Për të gjitha idetë e këtij harmonizimi pala kosovare propozoi jo dy grupe të veçanta në të dy vendet, por një grup të përbashkët miks që të punojë për të përafruar procedurat tatimore dhe doganore.

Pikërisht për këtë u kërkua shkëmbimi i informacionit, jo në bazë të kërkesave të secilës palë, por në mënyrë të vijueshme si dhe u hartua një listë e çështjeve që do të zgjidhen në afatshkurtër. Veçanërisht unifikimi i certifikatave që shoqërojnë produktet e shërbimet e sipërmarrjeve të të dy anëve të kufirit u vlerësua si një çështje që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe kjo ishte dakortësi e të dy paleve në takim.

Në vijim të diskutimeve teknike u diskutua edhe për unifikimin e TVSH, transferimin e çmimeve sipas të njëjtës metodologji, shërbimin e unifikuar të tatimpaguesve në të dy anët e kufirit dhe u kërkua të shihen si parësore procedurat dhe vendosja e normave të taksimit të jëtë një çështje dytësore.

U miratuar kërkesa e përbashkët për një qendër të vetme trainimi të burimeve njerëzore të të administatave publike të të dy shteteve dhe për projekte të përbashkëta afatmesme në këtë drejtim.

Ministrat e Financave të të dy vendeve ranë dakort për takimin e afërm të rradhës, që do të mbahet në fund të muajit shtator, ku do të firmosen zgjidhjet e ofruara nga grupi i përbashkët i punës.

Në përfundim krerët e Financave të të dy vendeve dhanë këto deklarata për shtyp për median vendase:

Ministri i Financave të Kosovës. Abdulla Hoti: “Sot jemi ulur bashkë kemi rishikuar progresin që kemi arritur të dy Ministritë në lehtësimin e shkëmbimeve tregtare, në eliminimin e barrierave, në luftimin e ekonomisë joformale dhe në shumë çështje të tjera. Jemi dakorduar  për progresin që është arritur deri më tani dhe jemi të kënaqur me punën që është bërë në të dyja anën e kufirit. Në fakt jemi duke punuar që të eliminojmë komplet këtë kufi dhe u dakorduam për një plan të punës për 3 muajt e ardhshëm dhe besojmë që në fund të shtatorit do të takohemi prapë për të eleminuar të gjitha pengesat që janë në mes dy vendeve tona sa i përket bashkëpunimit ekonomik. Ne po lëvizim shpejt me hapa të mëdhenj, konkret dhe praktik drejtë unifikimit të plotë të dy ekonomive si hap i parë drejtë i integrimit të plotë të dy vendeve në tregun e përbashkët të Bashkësisë Evropiane”

Ministri i Financave i Shqipërisë, Shkëlqim Cani: “Të dyja palët sot kanë arritur në konkluzionin që është bërë një punë e madhe, është arritur objektivi dhe janë përmbushur të gjitha pikat e programit që të dyja palët kishin hartuar në Mars të këtij viti. Për në mbledhjen e shtatorit, ku do të bëjmë përsëri analizën, ne së bashku identifikuam një grup çështjesh tashmë më jo vetëm të karakterit procedural dhe të rregullimeve që duhet të bëjmë në të gjithë atmosferën harmonizuese dhe unifikuese të dokumentacioneve dhe të praktikave, por të hedhim hapa shumë herë më konkretë me përfitime të drejtpërdrejta dhe konkrete të tatimpaguesve, kryesisht të biznesit, por edhe të individëve të të dy krahëve. Objektivi ynë final është që të mos ketë asnjë barrierë dhe asnjë kufizim në mënyrë që shqiptari i Kosovës apo i Shqipërisë ta ndjejë veten në Kosovë apo Shqipëri njëlloj, për nga aspekti fiskal. Kjo është detyra e jona dhe këtë detyrë, me bindje të plotë, me dëshirën më të madhe dhe me vullnetin e plotë, do ta përmbushim në një kohë sa më të shkurtër.  Në shtator do të takohemi dhe do të ju flasim për hapat e realizuara dhe për objektivat që kemi.

ME TE LEXUARAT