Ngec tregtia për 6 mujorin: pas eksporteve edhe importet në rënie

Aktualitet

ekspImportet kanë përshpejtuar ritmet e rënies, duke u tkurrur me 1.2% për 6 mujorin. E kombinuar kjo me rënien e eksporteve, ky është një tregues i ngadalësimit të aktivitetit të tregtisë në vend.

Sipas të dhënave të INSTAT, importet në total për 6 mujorin e parë ishin 255 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Grupi kryesor që ka ndikuar në këtë rënie është ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, kryesisht si rrjedhojë e importeve më të ulëta të energjisë, për shkak të rritjes së prodhimit vendas.

Importet e makinerive e pajisjeve janë rritur me 15% në 52 miliardë lekë, një sinjal gjithsesi pozitiv ky i gjallërimit të investimeve, kryesisht nga projektet e mëdha në energji.

Ndërsa importet e materialeve të ndërtimit, një tjetër tregues ky i investimeve në ekonomi ranë me 0.5% me bazë vjetore për 6 mujorin.

Importet e “ushqimeve, pijeve dhe duhan” janë grupi i dytë më i madh i importuar në vend dhe janë rritur me 5.6% në 45.6 miliardë lekë për janar-qershor 2015, duke reflektuar varësinë e vendit nga importet e ushqimeve (kryesisht të përpunuara), të nxitur edhe nga zhvillimi i rrjeteve të organizuara të supermarketeve.

Importet e produkteve kimike dhe plastike, grupi i tretë më i importuar në vend u rritën me 6.2% në 37.1 mld lekë.

Importet e tekstileve e këpucëve, që janë një sinjalizues i hershëm i ecurisë së eksporteve të tekstileve e këpucëve (që punojnë me material porositësi dhe janë të varura nga importet e këtij grupi) shënuan një rritje prej 5.1%, duke treguar për një ecuri më të mirë të eksporteve të testileve e këpucëve, pas rënies në muajt e parë të vitit. Në fakt, rimëkëmbja e eksporteve të këtij grupi nisi që në qershor.

Deficiti tregtar për 6 mujorin 2015 ishte 128 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel të së njëjtës periudhë të një viti më parë. MONITOR

ME TE LEXUARAT