Ndërpritet samiti i eurozonës për Greqinë, Merkel: Bisedime të vështira

Bota

samiti-eurozoneMbërritja e liderëve të Eurozonës ka vërtetuar edhe njëherë se një marrëveshje për Greqinë në samitin e lartë, do të jetë po aq e vështirë sa edhe për ministrat e Financave të zonës së euros që nuk munden të arrinin në një konkluzion të përbashkët pas dy ditësh bisedimesh.

“Unë jam këtu, i gatshëm për një kompromis të ndershëm. Ne i detyrohemi të gjithë popujve të Europës të cilët duan një Europë të bashkuar dhe jo të ndarë. Ne mund të arrijmë një marrëveshje sonte në qoftë se të gjitha palët e dëshirojnë atë”, u shpreh Alexis Tsipras.

Kryeministri Tsipras thuhet se para samitit  ka pasur edhe një bisedë telefonike me ministrin amerikan të Financave, Jack Leë në telefon, duke shprehur gatishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Por, kancelarja Merkel ka vazhduar të njëjtin pozicionim me atë të ministrit gjerman të Financave, duke i quajtur bisedimet për shpëtimin e Greqisë "jashtëzakonisht te vështira" dhe duke përjashtuar një "marrëveshje me çdo çmim".

“Situata është shumë e vështirë. Ne do të kemi diskutime të ashpra sot dhe nuk do të ketë marrëveshje me çdo çmim. Unë e di se gjithçka është në limit. Por, ne duhet të sigurohemi që avantazhet janë më shumë se disavantazhet, si për të ardhmen e Greqisë, ashtu edhe për zonën e euros si një e tërë dhe për parimet e bashkëpunimit tonë”, u shpreh Merkel.

Analistët në Greqi vlerësojnë pozitivisht edhe deklaraten e presidentit te KE-së, Jean Clode Junker që është shprehur se do të luftojë deri në momentin e fundit si dhe të kreut të PE-së, Martin Schulz që ka theksuar se sot vendoset e ardhmja e Europës.

"Sinqerisht nuk mbaj mend të jem ndeshur me një situatë të tillë, si kjo e Greqisë, në të gjithë karrierën time politike europiane. Kjo e gjitha ka të bëjë me Bashkimin Europian. BE-ja duhet të demostrojë që është e aftë të zgjidhë problemet e veta", u shpreh Schulz.

Nga ana e tij, edhe presidenti francez Francois Hollande ka hedhur poshtë idenë gjermane të një Grexit-i  të përkohshëm që ka pasur si plan të dytë Berlini dhe mbështetësit e tij.

“Ka ose një Greqi në Eurozonë ose një Greqi jashtë saj. Brenda Eurozonës, me kushte ,nuk ka dhe në një rast të tillë do të kishim një kthim pas dhe nuk do të bënim progres dhe unë nuk e dua këtë”, deklaroi presidenti francez.

Por papritur samiti është ndërprerë për shkak se është kërkuar që Tsipras, Merkel, Hollande dhe kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk, të zhvillojnë bisedime jozyrtare në veçanti.

Sipas burimeve nga Brukseli liderët e Eurozones propozojnë që në fillim Parlamenti grek të votojë dhe aprovojë një paketë me të paktën 12 reforma, midis tyre edhe rikthimin e Trojkës në Athinë dhe më pas të fillojnë negociatat për një paketë të tretë ndihme.

Ndërkohë, kryeministri Tsipras thuhet se ka refuzuar duke propozuar të votohet në Parlament  vetëm një pjesë e domosdoshme e reformave.

Athina zyrtare shpreson të paktën në një vazhdimësi të negociatave dhe kjo do të jetë një fitore e parë në atë që është quajtur beteja e Greqisë për të mbetur në Eurozonë, kundër planit gjerman që kërkon ndëshkimin e saj dhe kjo do të konsiderohet fitore edhe për Parisin dhe Romën që po i kundërvihen politikave të muajve të fundit në lidhje me BE-në.

Nderkohë, kryeministri Tsipras tashmë është i vetëdijshëm se që të marrë paketën e ndihmës prej më shumë se 53.5 mld euro duhet më parë që perveç reformave të paraqitura, parlamenti grek të aprovojë edhe disa reforma shtesë që i kanë kërkuar ministrat e Eurozonës.

Ajo që ka qetësuar përkohesisht miliona grekë që ndjekin me ankth zhvillimet e fundit është deklarata e një zyrtari të larte europian që thekson se plani B, ai i daljes së Greqisë nga Eurozona, nuk ndodhet tashmë në tryezën e liderëve të saj, por të gjithë e dinë se është ende shpejt për të thënë se çdo gjë mbaroi pozitivisht.tch

ME TE LEXUARAT