Nard Ndoka: Batutat e Facebook-ut, të gatuara nga politika për të më denigruar

Soft

nard-ndokaaaKreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, vjen sot në “Gazeta Shqiptare” me një rrëfim jashtë kornizës politike. Z.Ndoka është një nga ata personazhe që ta bëjnë punën e gazetarit shumë më të lehtë. Ai u përgjigjet pa doreza çdo pyetjeje dhe merr gjithçka me sportivitet duke na treguar se i tillë është edhe në jetë. Deputeti na thotë se si e ka përballuar fenomenin “Nard Ndoka filozof” të rrjeteve sociale që tashmë vazhdon prej disa vitesh, duke u shprehur se shpesh është ndjerë i bezdisur, por e ka një përgjigje gati për të gjithë. Më tej ai pasqyron lehtësitë dhe kufizimet që i fal e përditshmja një politikani në Shqipëri, duke ndarë gjithashtu detaje nga jeta private dhe investimin e tij për të pasur një status të palëkundshëm nga bindja partiake.Z.Ndoka së fundmi keni marrë titullin “Akademik Efektiv Nderi”, a ishte surprizë për ju ky vlerësim?

Nuk ishte surprizë, sepse nuk është titulli i parë që marr, kam marrë shumë tituj, certifikata, mirënjohje të ndryshme gjatë karrierës time politike. Me këtë Akademi italiane kam kohë që bashkëpunoj në fusha të ndryshme gjatë viteve të fundit. Titulli “Akademik Efektiv Nderi” vjen pikërisht prej bashkëpunimit me këtë Akademi dhe interesit të tyre për bashkëpunim me vendin tonë. Këtë titull e kanë marrë edhe mjaft politikanë të tjerë, ish-ministra dhe personalitete të fushave të ndryshme. Siç u shpreha dhe më lart unë kam marrë disa tituj të tjerë, në qershor të vitit 2013, kam marrë vlerësimin “Açademico d’Onore” (Akademik Nderi), nga Akademia Norman, “Ambasador i Paqes” në 2010-n, “Qytetar Nderi” në Bashkitë Vau-Dejës dhe Shëngjin, mirënjohje nga shumë shoqata të ndryshme. Por asnjëherë nuk jam mburrur me to, dhe as kam kërkuar që këto tituj të vijnë. Thjesht i kam vlerësuar kur më janë dhënë, tituj që nuk kanë asnjë kosto, por janë motivim dhe vlerësim për mua dhe atë që unë përfaqësoj, alternativën demokristiane.

Çfarë ndjesie ju dhuron titulli i akademikut?

Është një ndjesi e veçantë për mua dhe për atë çfarë unë përfaqësoj, por edhe për qindra e mijëra demokristianë në mbarë vendin, sepse vlerësimi ndër të tjera vinte me motivacionin: “Për kontributin e dhënë për promovimin e alternativës kristiane në Shqipëri”. Kjo tregon se ka vëmendje nga ana e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet demokratike në tërësi, si dhe për rolin e faktorizimit të alternativës demokristiane në veçanti, në vendin tonë. Është një vlerësim për CV-në time politike dhe profesionale, duke më motivuar akoma më shumë në këtë bashkëpunim tashmë institucional. Kjo Akademi ka një rol të rëndësishëm në Itali dhe në rajon, së fundmi edhe në Shqipëri. Ky vlerësim më bën të ndjehem mirë, por është edhe obligim që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha ato fusha ku Akademia Internacionale Konstadiniane e Shkencave Mjekësore, Juridike dhe Sociale e Italisë, zhvillon aktivitetin e saj institucional.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas një periudhe të gjatë ku në rrjetet sociale krijohen shprehje “filozofike” nën emrin tuaj, tani që morët titullin e akademikut si i përgjigjeni?

Në rrjetet sociale ka pasur një tendencë dashakeqe të personave anonimë, duke abuzuar me “lirinë”, që ofrojnë këto rrjete sociale, me mungesën e një ligji për mbrojtjen e personalitetit të çdo personi. Shpeshherë është kaluar edhe limiti, por nuk ju kam dhënë shumë rëndësi, për faktin se kemi të bëjmë me një fenomen negativ që po përhapet me shpejtësi, e që në shumë raste denigron figurën e kujtdo që guxon të përballet. Është kostoja e të qenit një figurë publike. Gjithsesi ky titull është një përgjigje për të gjithë ata anonime, që nuk u lodhën duke “hapur” faqe false në emrin tim në rrjete sociale, se “filozofi” anonim në faqet e tyre, është një “Akademik Efektiv Nderi” real dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. Puna ime, rezultatet, perfomanca, bashkëpunimi, prezenca në politikë, janë më të rëndësishme, se batutat shpeshherë të “gatuara” keq në rrjetet sociale, me tendencë denigruese.

ME TE LEXUARAT