Veseli: Ta përcjellim bacën Isë siç na ka hije

Kosovë&Rajon

veseKryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mori pjesë në seancën solemne në Mitrovicë kushtuar, Isa Boletinit. "Ne, si qytetarë të Mitrovicës, përveç ndjenjave të veçanta të krenarisë, sot duhet të tregojmë një kulturë të lartë të përgjegjësisë, tolerancës dhe mirëkuptimit. Ta përcjellim Bacën Isë për në vendlindjen e tij ashtu siç na ka hije, ngase kështu e nderojmë edhe më shumë veprën e tij por dhe rrugën tonë të zhvillimit ekonomik, forcimit të demokracisë dhe integrimit euro-atlantik”, theksoi kryetari Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit komunal në Mitrovicë, me rastin e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini dhe mbajti fjalë rasti. Në këtë seancë solemne të Kuvendit komunal të Mitrovicës, morën pjesë personalitete të shumta të jetës politike dhe publike të nivelit qendror dhe lokal, familjarë të heroit Isa Boletini dhe mysafirë të tjerë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Pas intonimit të himnit shtetëror dhe kombëtar, në fjalën e tij, Kryetari Veseli vuri në dukje rrethanat në të cilat u brumos dhe shqua si luftëtar i paepur heroi Isa Boletini ndërsa këtë ditë, ai e konsideroi si të veçantë për të gjithë qytetarët e Kosovës e sidomos Mitrovicës, sepse sot po realizohet një ëndërr e brezave të tërë që eshtrat e tribunit popullor të prehen në tokën e të parëve të tij.

“Në kohë të vështira për vendin dhe kombin, Isa Boletini u vu në ballë të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi. Me fuqinë e fjalës së tij ai udhëhoqi shumë kuvende për çështjen kombëtare dhe me guximin e tij prej komandanti popullor udhëhoqi shumë beteja, nga Kaçaniku deri në Shkup, nga Shkodra deri në Vlorë. Në vjeshtën e rëndë të viti 1912, Isa Boletini u nis nga malet e Kosovës për t’u vënë në mbrojtje të shtetit shqiptar të sapo shpallur në Vlorë”, theksoi Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Z. Veseli vuri në dukje rëndësinë e rrolit të Isa Boletinit në mbrojtjen e çështjes kombëtare, angazhimin e tij të pandalshëm në diplomacinë dhe rrjedhat ndërkombëtare ku prekej interesi nacional si dhe aktivitetet e tij diplomatike jashtë vendit, duke e bërë kombin, Kosovën dhe Mitrovicën krenare.

“Ne si qytetarë të Mitrovicës, përveç ndjenjave të veçanta të krenarisë, sot duhet të tregojmë një kulturë të lartë të përgjegjësisë, tolerancës dhe mirëkuptimit. Ta përcjellin Bacën Isë për në vendlindjen e tij ashtu siç na ka hije, ngase kështu e nderojmë edhe më shumë veprën e tij por dhe rrugën tonë të zhvillimit ekonomik, forcimit të demokracisë dhe integrimit euro-atlantik”, theksoi kryetari Veseli.

Pas mbledhjes solemne, para Kuvendit komunal në Mitrovicë, u vendos arkivoli i Isa Boletinit me ç’ rast, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli bëri nderime dhe vuri kurorë me lule. Aktivitetet tjera rreth rivarrimit të Isa Boletinit vazhdojnë me manifestimin në Stadium. RTK

ME TE LEXUARAT