Vala e re e emigracionit kthen përmbys ciklin e remitancave; rriten 24% në T I 2015

Aktualitet

emigrParatë që emigrantët dërgojnë në shtëpi kanë shënuar një rritje të ndjeshme në tre muajt e parë të këtij viti (me bazë vjetore), duke u zgjeruar me rreth 24% në 146 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, remitancat kanë shënuar rritje duke e kthyer këtë tendencë rritëse në të qëndrueshme. Situate është krejt e ndryshme nga periudha 2007-2013, kur prurjet e emigrantëve, pasi arritën kulmin e tyre në 2007, filluan rënien e pandalshme. Kjo rënie përkonte me ciklin e emigracionit, kur pas 15 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet e tyre me vendin mëmë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Rikthimin e tendencës rritëse, Elton Çollaku, drejtor i Unionit Financiar Tiranë, kompanisë që është agjenti i vetëm për transferim parash i “Western Union Financial Services” Inc. për Shqipërinë, dhe operon në Kosovë, Maqedoni dhe Zvicër e lidh me valën e re të emigracionit në vend gjatë dy viteve të fundit. Që kur rënia e remitancave u stabilizuar në fillim të vitit të kaluar, Çollaku, nga përvoja e tij e gjatë në transfertat e parave tha që një rritje ishte e pritshme.

Çollaku pohon se nisur nga ecuria e prillit dhe majit edhe në tremujorin e dytë tendenca e remitancave është drejt rritjes.

Të dhënat e fundit për azilkërkuesit nga Gjermani bënë të ditur se vetëm në maj të këtij viti ka pasur rreth 5000 azilkërkues nga Shqipëria, të dytët në radhë pas Sirisë. Ndonëse nuk është ky kontigjenti që po dërgon tani para tek të afërmit, ajo pjesë që arrin të integrohet bëhet potencial i dërgimit të ndihmës tek të afërmit që lë pas në Shqipëri.

Edhe në 2014-n remitancat u rritën me 8.6% në raport me 2013-n. Një 2013-n, remitancat arritën nivelin më të ulët që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat, me një rënie prej gati 20% me bazë vjetore.

INSTAT parashikon se popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT. Por ekspertët shpjegojnë se, gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Projeksionet tregojnë se të larguarit do të jenë 100.000 deri në 300.000 persona. Për shkak të këtij fenomeni, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015, arriti në 2.893.005 banorë, duke pësuar rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2014, referoi INSTAT. Popullsia në vitin 2030 pritet të pakësohet edhe 3.3%, duke arritur në 2,795,523 banorë. Rezultatet e parashikimit tregojnë intensifikim të rënies demografike pas vitit 2031 për të arritur në 2.3 milionë banorë në vitin 2060. Monitor

ME TE LEXUARAT