Tahseen Sayed: Si do përdoret kredia e Bankës Botërore

Aktualitet

kredi-1024x722Intervistë me zj. Tahseen Sayed, Përfaqësuese e përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Nga Monitor

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Si do të jetë e shtrirë dhe si do të përdoret konkretisht plan-mbështetja e Bankës Botërore në tri fushat e deklaruara: rivendosja e qëndrueshmërisë makrofiskale, nxitja e rritjes së sektorit privat dhe krijimi i një qeverie të përgjegjshme? Nëse mund të jepni për secilën rezultatet konkrete të pritshme.

Angazhimi i Bankës Botërore në këto tri fusha synon të mbështesë aspiratat e Shqipërisë drejt rritjes së barabartë dhe integrimit në Bashkimin Europian.

Në fushën e parë, ne do të mbështesim reformat e Shqipërisë për të rikthyer stabilitetin makro dhe atë fiskal. Huatë për politikat zhvillimore do të vazhdojnë të mbështesin reformat e sektorit fiskal dhe financiar, ndërsa huadhënia e miratuar së fundmi për sektorin rrugor mbi bazë rezultatesh, ka për qëllim të forcojë programet e investimeve të sektorit publik në fushën e transportit. Rezultatet e pritura përfshijnë përmirësimin e disiplinës fiskale dhe mosakumulimin e detyrimeve të reja të qeverisë qendrore, reduktimin e kredive me probleme dhe planifikimin e menaxhimit më të mirë të investimeve të infrastrukturës rrugore.

Në fushën e dytë, atë të adresimit të përshpejtimit të rritjes së sektorit privat, ndërhyrjet e Bankës do të mbështesin reformat e qeverisë për të promovuar rritjen dhe për të adresuar kufizimet qendrore, me synim përmirësimin e klimës së biznesit dhe gjenerimin e investimeve private. Reduktimi i mangësive në mjedisin e biznesit është kyç për krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e lidhjes mes rritjes dhe reduktimit të varfërisë. Programi i parashikuar në këtë fushë përfshin huadhënien në bazë të politikave për përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe klimës së biznesit, si dhe projektet e investimeve në sektorin e energjisë, regjistrimin e tokës dhe pronës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Disa nga rezultatet e pritura përfshijnë: përmirësimin e Shqipërisë në renditjen e të bërit biznes dhe rritjen e firmave eksportuese në sektorët kryesorë; reduktimin e humbjeve në shpërndarjen e energjisë, rritjen e arkëtimeve dhe liberalizimin e tregut të energjisë; zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit për sa i përket mjedisit dhe shoqërisë; dhe rritjen e regjistrimit dixhital të pronës.

Fusha e tretë mbështet fuqizimin e menaxhimit të sektorit publik dhe qeverisjen përmes përmirësimit të llogaridhënies së qeverisë, si dhe shpërndarjen dhe qasjen e ofrimit të shërbimeve publike dhe sociale.

Angazhimi ynë i ri në këtë fushë do të plotësojë projektet në vazhdim në sektorët e ujit, asistencës sociale dhe shëndetësisë dhe do të përfshijë nje projekt risi të bazuar në rezultate për të mbështetur programin e qeverisë për të rritur besim më të madh mes qytetarëve dhe qeverisë, përmes ndryshimeve në ballafaqimin e qytetarëve me qeverinë. Disa nga rezultatet kryesore të pritura përfshijnë reduktimin e kohës së qytetarëve për të marrë shërbimet publike kryesore, duke rritur mbulimin e Solidaritetit Shqiptar për një të pestën e varfër të popullsisë shqiptare dhe uljen e shpenzimeve shëndetësore që paguhen direkt tek ofruesi i kujdesit shëndetësor.

Krahas projekteve të financuara deri tani (energjia, shëndetësia, transporti dhe mbështetja e fundit buxhetore, në katër vitet e ardhshme, cilët do të jenë sektorët apo programet që do të vazhdojnë të mbështeten me kredi apo projekte? Cili pritet të jetë ndikimi konkret për projektet e lëvruara deri tani (energjia, shëndetësia, transporti dhe mbështetja e fundit buxhetore)?

Përveç projekteve të aprovuara së fundmi, që ju i përmendët, fusha të tjera që pritet të marrin asistencë përfshijnë projekte në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, administrimin dhe menaxhimin e tokës, ofrimin e shërbimeve të komunikimit teknologjik me qytetarët dhe financimi dhe qeverisja e pushtetit lokal. Siç është shpjeguar në përgjigjen e mëparshme, projektet e investimeve në fushat e përmendura më sipër do të plotësohen përmes huadhënies mbi bazë politikash duke u bazuar në progresin e reformave dhe ritmin e tyre në fushat e sektorit financiar dhe fiskal dhe zhvillimit të sektorit privat. Disa nga rezultatet e pritshme i nënvizova në përgjigjen e mësipërme.

Si do të disbursohet pjesa e mbetur e programit, ajo lëvrohet sipas një programi të paracaktuar apo ka kushte për reformat që duhen plotësuar?

Programi i ri do të përfshijë një kombinim të investimeve në projekte dhe huadhënies në bazë politikash. Huadhënia mbi bazë politikash mbështetet në një grup veprimesh te rendesishme, për të cilat është rënë dakord me qeverinë, ku miratimi i projekteve dhe disbursimi bëhen vetëm pasi të gjitha veprimet për të cilat është rënë dakord të arrihen. Këto janë shpesh disbursim i një transhi të vetëm dhe sherbejne si mbështetje buxhetore. Huadhënia e planifikuar mbi bazë politikash në këtë program do të lidhet gjithashtu me përmbushjen e reformave, për të cilat është rënë dakord me qeverinë. Huadhënia mbi bazë politikash, e miratuar kohët e fundit, ka qenë e bazuar në ndërmarrjen e veprimeve të tilla si pagimi i detyrimeve të prapambetura, reforma në fushën e energjisë, pensioneve dhe menaxhimi publik financiar.

Projektet e investimeve japin financim për projekte investimesh/aktivitetesh, që janë specifike, apo për të cilat është rënë dakord dhe përfshijnë një varg rezultatesh që duhet të arrihen pas ndërhyrjeve. Disbursimet e projekteve të investimeve bëhen në bazë të progresit të zbatimit të elementeve të projektit. Ne kemi një sërë projektesh të tilla të planifikuara në program, si ai për sektorin e menaxhimit të tokës dhe ai për zhvillimin e qëndrueshëm te turizmit. Përveç kësaj, disa projekte investimesh disbursohen në bazë të përmbushjes së rezultateve për të cilat është rënë dakord. P.sh. Projekti në zbatim Modernizimi i Asistencës Sociale dhe projekti i Mirëmbajtjes së Rrugëve janë projekte investimi që bazohen në rezultate, ku disbursimi bëhet në momentin që rezultatet e miratuara janë përmbushur.

Sa do të ndikojë kjo kredi në rritjen e borxhit dhe në përshpejtimin e rritjes ekonomike në afatin e mesëm (nëse mund ta jepni me pikë përqindjeje për secilën) dhe si, sa eficient do të jetë përdorimi i saj?

Programi ynë synon të mbështesë rritjen e barabartë ekonomike në vend. Shqipëria pritet të rritet me 3-3.5% gjatë pesë viteve të ardhshme. Ky ritëm rritjeje bazohet në progresin e vazhdueshëm të vendit në fushat kyçe dhe ndër të tjera, në stabilitetin makrofiskal, reformat e sektorit financiar, zhvillimin e sektorit privat, energjisë dhe qeverisjes. Grupi i Bankës Botërore i mbështet këto reforma përmes një kombinimi të financimit, mbështetjes këshilluese dhe ekspertizës teknike. Ky financim nuk është borxh shtesë. Ai synon të financojë reformat kyçe dhe prioritetet që janë në linjë me aspiratat e zhvillimit të Shqipërisë dhe kontributin në rritjen ekonomike.

Që borxhi publik total të arrijë të bjerë në 62% të PBB-së në 2018, sipas kuadrit makroekonomik e fiskal 2016-2018, sa duhet të jetë rritja ekonomike mesatare vjetore? Po në rast se rritja do të rezultojë nën parashikim, çfarë plani masash rezervë rekomandon Banka Botërore?

Në afatin e mesëm, Shqipëria pritet të rritet me një normë prej 3- 3.5%. Me këtë normë rritjeje, ne besojmë se është e mundur që qeveria të përmbushë me sukses programin e saj të konsolidimit fiskal, të nisur në 2014 dhe të shohë një reduktim të borxhit publik në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Rreziqe mund të dalin si nga presionet deflacioniste dhe/ose rritje më të ulët në partnerët kyçë tregtarë si BE. Ka një sërë masash që qeveria mund të marrë në konsideratë në mënyrë që të adresojë këto rreziqe. Këto përfshijnë krijimin e amortizatorëve për fusha të tilla të shpenzimeve si ato për interesa, ose të hyrat nga shitja e licencave, modernizimi i mëtejshëm dhe përmirësimi i administratës së taksave për të rritur mbledhjen e të ardhurave dhe fuqizim i mëtejshëm i procesit për përzgjedhjen dhe ekzekutimin e projekteve të investimeve publike, me synim rritjen e eficiencës së tyre.

Sipas vlerësimeve tuaja, kur parashikoni që financat të dalin me suficit primar, që do të mundësonte fillimin e uljes së qëndrueshme të borxhit??

Konsolidimi i qëndrueshëm fiskal ka të ngjarë të rezultojë me një suficit parësor në 2016-n, përfshirë kthimin e detyrimeve të prapambetura. Mbajtja e një balance parësore pozitive gjatë një horizonti kohor prej pesë vitesh do të rezultojë me një normë borxhi ndaj PBB-së poshtë 60% në fund të vitit 2019.

Nisur nga ecuria e të ardhurave buxhetore në katër muajt e vitit, sidomos atyre tatimore e doganore, që janë dukshëm nën planin, a prisni të kemi rishikim të buxhetit. Sa ndikon kjo performancë e dobët në objektivin e konsolidimit fiskal, uljes së borxhit dhe pritshmërive për rritje ekonomike?

Ne presim që qeveria të vazhdojë angazhimin për të arritur objektivin e deficitit buxhetor të vitit 2015, pavarësisht se niveli i të ardhurave ka qenë më i ulët sesa pritej, që ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm. Mbajtja e objektivit të deficitit është e mundur përmes rishikimit në disa nga elementëve te parashikuar në mënyrë konservatore si normat e interesit dhe krijimi i amortizatorëve nga të ardhurat nga telekomunikacioni. Në kahun e të ardhurave, qeveria duhet të vazhdojë të përmirësojë administrimin e taksave dhe kapjen e rasteve të mashtrimit. Së fundi, pavarësisht nevojave për konsolidim, qeveria duhet të monitorojë ngushtësisht ekzekutimin e shpenzimeve kapitale, në mënyrë që të shmangë një shkurtim bazuar në nivelin e ulët të ekzekutimit të tyre, që minon rimëkëmbjen ekonomike.

ME TE LEXUARAT