Super-vjedhja me ilacet, Beqaj: Gati shkarkimi i zv.drejtorit të rimbursimeve

Aktualitet

BEQAJVjedhja nëpërmjet skemës së rimbursimit të barnave, përveç ndjekjeve penale, pritet të shoqërohet dhe me largime nga puna. Pas dorëheqjes së drejtorit Astrit Beci, Drejtoresha e Komanduar e Fondit të Kujdesit të Sigurimeve Shëndetësore, Milva Ikonomi, pritet të vërë në zbatim masat administrative të parashikuara për personat e implikuar dhe që u përmendet emri në raportet e auditit të njësisë antikorrupsion, ndërmjet tyre, zv.drejtori i Fondit Sokol Skuraj.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i pyetur në lidhje me këtë çështje, tha se masa administrative do të vazhdojnë si në Fondin qendror, ashtu dhe në atë rajonal.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

"Së pari, ne kemi një komunikim me ILDKPI-në për të parë konfliktin e interesit ose jo, të detyrës së tij me tregun farmaceutik. Ndërkohë, drejtuesja e re e Fondit e komanduar që sot do të vazhdojë të zbatojë edhe rekomandimet e njësisë antikorrupsion të Këshillit të Ministrave. Ka masa në vijim dhe në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në Drejtorinë e Tiranës. Masat janë masa administrative, ndërsa çështjen me organet e prokurorisë, ndjekin linjën e tyre", tha Beqaj.

Persona të tjerë në sektorin e rimbursimit dhe atë të informatikës në Fondin Rajonal të Tiranës do të largohen nga detyra. Masat administrative parashikojnë gjobë apo vërejtje me paralajmërim.

Ndërkohë, kur kemi hyrë në sezonin turistik, ministri i Shëndetësisë theksoi se po merren masa për t'u ofruar shërbim sa më cilësor qytetarëve. Në plazhet më të frekuentuara do të vihen në dispozicion të pushuesve autoambulanca të posaçme.

"Duke filluar me zgjerimin dhe rritjen e intensitetit të shërbimit të sezonit turistik, kryesisht në fundjavë, në qendrat me përqëndrim do të vendosim një autoambulancë që do të qëndrojë aty", tha ministri Beqaj.

Beqaj i bëri këto deklarata gjatë inaugurimit të një qendre të re shëndetësore në zonën e Don Boskos, e cila do t'u ofrojë shërbim 25 mijë banorëve.

"Tirana është zgjeruar shumë, ndërsa vendndodhja në territor e qendrave të kujdesit shëndetësor parësor është apo ajo që ka pasur prej 21 vitesh. Me këtë shqetësim, ne vendosëm të jemi më pranë banorëve. Në ditët në vijim ne do të kemi dhe tre zona të tjera në Tiranë. Njëra do të jetë në Komunën e Parisit, tjetra në zonën e Unazës së Madhe dhe një tjetër në fund të rrugës 'Siri Kodra', tha Beqaj.

ME TE LEXUARAT