Kriza në Maqedoni, liderët politikë takohen sot në Bruksel

Bota

maqedoniKatër liderët e partive politike në Maqedoni kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e sotëm në Bruksel, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike.

Delegacionet e partive politike udhëtuan që dje në drejtim të Brukselit, me qëndrime tashmë të konfirmuara. VMRO DPMNE-ja dhe LSDM-ja ndeshen rreth përbërjes së Qeverisë e cila do të organizojë zgjedhjet e paralajmëruara për prill të vitit të ardhshëm.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Kryeministri Gruevski këmbëngul që Qeveria duhet të reflektojë vullnetin e popullit, të shprehur në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai hedh poshtë çdo lloj qeverie kalimtare të cilën nuk do ta udhëhiqte kryeministri aktual. Sidoqoftë, informacionet jozyrtare thonë se vijat e kuqe të kompromisit për Gruevskin mund të jenë ruajtja e të drejtës që VMRO DPMNE-ja të nominojë kryeministrin dhe disa nga ministrat në Qeverinë e mundshme kalimtare.

LSDM-ja nga ana tjetër, nuk do të pranonte asnjë lloj përbërje qeverie që do të udhëhiqej nga Nikolla Gruevski, ose nëse marrin pjesë figura të inkriminuara nga përgjimet e publikuara deri tani. Zaev dje, edhe publikisht u shpreh i gatshëm për kompromis rreth propozuesit të kryeministrit të Qeverisë kalimtare, nëse Gruevski pranon të tërhiqet nga posti i tij.

Për opozitën, më e rëndësishme është garantimi ndërkombëtar i procesit të çkriminalizimit të institucioneve dhe hetimi i pavarur i përgjegjësve për përgjimin dhe indikacioneve të tjera që zbuluan bombat e deritanishme. Kjo, sipas opozitës do të mund të arrihej vetëm me shkarkimin e prokurorit aktual dhe emërimit të një prokurori të pavarur shtetëror.

LSDM-ja dhe opinioni në vend janë skeptik dhe të rezervuar lidhur me rolin e ndërmjetësuesit të këtyre bisedimeve, euro-komisarit Johanes Han, sidomos pas deklaratës së tij në Uashington, ku tha se OSBE/ODIHR-i i paska cilësuar si pozitive zgjedhjet e fundit në Maqedoni. Ai më vonë u sqarua në bisedë telefonike me liderin opozitar dhe përmes një komunikate gjatë ditës së djeshme.

Megjithatë, ish ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni Eruan Fuere dhe ish ambasadori i Maqedonisë në SHBA Nikolla Dimitrov, përmes një letre të përbashkët kritikojnë qasjen e deritanishme të komisarit Han, duke vlerësuar se ai ka humbur kontakt me realitetin. Fuere dhe Dimitrov përkujtojnë se nuk është hera e parë që Johanes Han jep deklarata të tilla dhe më pas bëhet pishman, duke lënë pas vetes, dëmin e kryer. Një deklaratë të tillë kundërthënëse, Hani e kishte bërë edhe për lirinë e mediave në Serbi, që detyroi zyrën e tij të jepte sqarime shtesë, të kundërta me deklaratat e numrit 1 të Komisionit Evropian.

“Komisari, më shumë se të tjerët, duhet ta dijë se çështjet sikurse liria e mediave, financimi i partive politike dhe aftësia e tyre të udhëheqin fushatë pa presione, si dhe përdorimi i fondeve shtetërore nga partia në pushtet, janë gjithashtu pjesë e vlerësimit të standardeve demokratike. Që nga ardhja e kryeministrit Nikolla Gruevski në pushtet në vitin 2006, zgjedhjet në Maqedoni kanë qenë problematike. Shkeljet e njëjta janë përsëritur ose dhe më keq, janë rritur me kalimin e kohës”, thuhet në letrën e Dimitrovit dhe Fueres.

Bisedimet do të zhvill ohen nesër në Bruksel në formatin 1+1, liderët dhe nga një anëtar i secilës palë, si dhe me pjesëmarrjen e euro-komisarit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johanes Han, në rolin e ndërmjetësuesit./Alsat

ME TE LEXUARAT