Klosi: Sfida ime, decentralizimi

Aktualitet

Blendi Klosi ne konferencen e sotme per shtypKalimi i disa shërbimeve sociale rezidenciale në shërbime komunitare me bazë vullnetarizmin, përbën një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në trajtimin e grupeve vulnerabile. Për të siguruar vazhdimësinë dhe shtrirjen e këtij shërbimi si një risi e implementuar në institucionet e përkujdesit social dhe për të falënderuar kontributin e të gjithë vullnetarëve për punën e bërë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me partnerët e projektit IADSA, Rajonin Emilia-Romagna dhe Rajonin Liguria, kanë organizuar sot aktivitetin “Promovimi i vullnetarizmit”, në Shtëpinë e Fëmijëve Parashkollorë 3-6 vjeç në Shkodër. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, ambasadori Italian, z. Massimo Gaiani dhe përfaqësues nga të gjitha organizatat që kanë mundësuar ofrimin e shërbimit të vullnetarizmit në qytetin e Shkodrës dhe të Tiranës.

Në fjalën e tij, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, pasi ka falënderuar partnerët që kanë bashkëpunuar në transformimin e shërbimeve rezidenciale në shërbime komunitare, ku tashmë ofrohen tipologjitë e reja të shërbimeve, si kujdestaria e përkohshme për fëmijë të Shtëpisë së Fëmijës Parashkollor Shkodër, apo asistencë shtëpiake për të moshuar në nevojë, ka theksuar se është detyra e shoqërisë që të gjejë modele dhe praktika sesi mund t’i zhvillojë më tej këto iniciativa. “Kjo qasje na ndihmon që ne, të gjithë së bashku, të bëjmë punën e duhur për të siguruar që procesi i transformimit të institucioneve të përkujdesit shoqëror të kryhet me cilësi të lartë në interesin më të mirë të përfituesve, duke plotësuar të drejtat dhe përmbushur nevojat e tyre”, u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet ministri Blendi Klosi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke u ndalur te vullnetarizmi, ministri theksoi se ai është një instrument i shtuar në tipologjitë e shërbimeve sociale. “Vullnetarizmi është në zemrën e komunitetit dhe promovon besim, i bën njerëzit që të jenë qytetarë më të mirë dhe iu mundëson lidhje me komunitetin ku jetojnë për obligimet e veta si qytetarë, por dhe iu hapen perspektiva të reja zhvillimi. Kjo frymë e re, e praktikuar më së miri nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, si Komuniteti Sant’Egidio, Dimension Human, Maddonina Del Grapa, The door, Organizata “Përtej Barrierave”, Federata e Familjes, Shoqata studentore CARP etj., që punojnë prej vitesh vullnetarisht në vendin tonë, partnere kryesore në nismën e ndërmarrë për zbatimin e  shërbimit të vullnetarizmit në institucionet e përkujdesit social publik, tashmë e bën këtë shërbim realitet”, - tha ministri Klosi.

Më tej në fjalën e tij, ai e konsideroi si një sfidë të tijën në detyrën e ministrit të MSR-së që të mund të realizojë procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale, vendosjen e standardeve në ofrimin e shportës së shërbimeve sociale komunitare, ku shërbimi të ofrohet atje ku është dhe nevoja e kategorive në nevojë. “Vetëm duke integruar përpjekjet e pushtetit qendror me atë vendor, së bashku me aktorët e tjerë si shoqëria civile dhe donatorët, do të jemi në gjendje të hartojmë politika të ndjeshme dhe kështu qasja jonë ndaj shtresës në nevojë do të jetë në gjendje të adresojë problematikat e disavantazhit social me të cilat kjo shtresë përballet në realitetet e sotme zhvillimore”, - përfundoi ministri Klosi fjalën e vet.

Në këtë aktivitet u shpërndanë edhe certifikatat e falënderimit për të gjithë personat që kanë punuar vullnetarisht në institucionet e përkujdesit social.

 

ME TE LEXUARAT