Dukagjini, “Lazarati i heshtur” i kultivuesve të hashashit

Kliko per me shume info

Policia-dukagjinNga Anila Dushi/Reporter

Në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, një grup i armatosur të rinjsh synoi të rikthente “republikën e hashashit” duke i shpallur luftë forcave të policisë. Aventura e tyre i kushtoi jetën një efektivi të repartit special RENEA të mërkurën.

Kliko per me shume info

Rreth 350 kilometra në veri, në Dukagjin, kultivuesit e hashashit vazhdojnë betejën e heshtur me forcat e rendit, duke shfrytëzuar tokat pa pronarë dhe terrenin e thyer. Gjatë muajit të fundit, policia ka shkatërruar 19 mijë bimë kanabis sativa në rrethinat e fshatrave Mazrek, Shllak, Pult, Shosh apo Temal.

Në dekadën e fundit, Lazarati në jug dhe Dukagjini në veri u shenjuan si vendburimet kryesore të kultivimit të hashashit në Shqipëri. Për të ndryshuar këtë histori, policia e Shtetit ndërmori dy operacione masive kundër plantacioneve me hashash verën e vitit 2014.

Megjithatë, një vit pas goditjes së rëndë të kultivuesve të hashashit, policia nuk ka mundur të çrrënjosë fenomenin, që në këto zona është kthyer në një mënyre jetese.

Ndryshe nga Lazarati që ka qenë nën monitorimin e vazhdueshëm të policisë gjatë vitit të fundit, kultivuesit në zonën e Dukagjinit po gjejnë forma të reja për të vjelë fitime nga aktiviteti i paligjshëm. Një kultivues i hershëm hashashi nga zona e Dukagjinit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se bashkëfshatarët e tij vazhdojnë të shfrytëzojnë zonat malore, ndërsa kanë investuar edhe për ngitjen e serave përreth shtëpive.

41-vjeçari është i zemëruar, pasi në kohën e përshtatshme për mbjelljen u denoncua në polici dhe iu nënshtrua një procesi gjyqësor që e dënoi me 3.5 vjet burg. Pranoi se ishte i punësuar për të transportuar ujë në tokat e mbjella me hashash dhe ia hodhi me 3 muaj burg.

Më paditi një person, që donte të mbillte në parcelën që kisha shpyllëzuar unë. Më kapën duke çuar ujë me mushkë, e s’kisha nga të ikja,” i tha ai BIRN.

Serë për tharjen e hashashit në Dukagjin

Rivaliteti mes kultivuesve të hashashit në malësinë e Dukagjinit është i madh dhe spastron fushën e lojës, po aq sa aksionet e policisë lokale. Megjithatë, një pjesë e madhe e kultivuesve ia kanë dalë të shpëtojnë parcelat me hashash dhe të mos përfundojnë në prangat e policisë.

Kultivuesi i hashashit i tha BIRN se disa banorë janë të lidhur me policinë në nivele të ndryshme, duke ndarë fitimin dhe garantuar hedhjen e prodhimit në treg. Ai tregon se këta njerëz punojnë larg prej zonave ku bëhen aksionet e policisë dhe vetëm në raste shumë të rralla janë goditur.

“Unë kam punuar i vetëm, por kunati im ka punuar prej vitesh sipas kësaj skeme. Kuptohet që fitimi është më i pakët, por më i sigurtë,” thotë ai.

Zyrtarë të Policisë së Shkodrës, të kontaktuar nga BIRN mohojnë që të ketë policë të lidhur me grupet e kultivimit të hashashit në zonën e Dukagjinit. Ata thonë se vetëm gjatë muajit maj kanë shkatërruar dhjetra parcela në fshatrat Mazrek, Shllak, Pult apo Shosh dhe se e gjithë zona është nën monitorimin e rreptë të tyre.

“Nuk kemi evidentuar asnjë rast të përfshirjes së punonjësve të policisë në këtë aktivitet të paligjshëm. Nuk kemi marrë asnjë informacion për këto dyshime,” tha një zëdhënës i policisë.

Megjithatë, policia e Shkodrës është e ndërgjegjshme se beteja me kultivuesit e hashashit do të vazhdojë për shumë gjatë. Banorët e zonës së thellë të Dukagjinit kanë mbijetuar për vite të tëra falë tregtisë së hashashit. Për forcë zakoni, apo edhe për shkak se largësia nga zonat e banuara i favorizon, ata vazhdojnë të sfidojnë forcat e rendit duke gjetur mënyra nga më të ndryshmet për kultivimin e hashashit.

Një zyrtar i policisë i tha BIRN në kushtet e anonimatit se operacionet kanë qenë të vazhdueshme, por ata hasin sërish sasi të konsiderueshme hashashi në territor. Ai tregon se vetëm gjatë vitit 2014, u gjetën 3 punishte për tharjen e bimës narkotike dhe prodhimin e hashashit në zonë.

“Këto investime tregojnë për praninë e krimit të organizuar në kultivimin e hashashit,” i tha zyrtari BIRN.

Në gusht të vitit 2014, forcat e policisë asgjësuan më shumë se 130 mijë bimë kanabis sativa në fshatrat e Dukagjinit dhe arrestuan një numër të madh personash si të përfshirë në këtë aktivitet. Forcat e policisë u pritën me breshëri plumbash dhe rezistencë nga banorët e zonës.

Forcat Speciale, gjate operacionit per arrestimin e grupit te armatosur ne Lazarat. Foto:LSA

“Operacioni i vjetshëm ishte më i madhi, megjithëse për ne, kjo është një betejë e përhershme,” tha zyrtari i Policisë.

Kultivuesi i hashashit i tha BIRN se ishte përfshirë në këtë aktivitet 10 vite më parë, kur u kthye nga Greqia dhe se e ka të vështirë të heqë dorë. Ai tregon se në Greqi kishte mësuar si kultivohej hashashi, ndërsa në rrugën e kthimin kishte marrë 250 gram farë për ta mbjellë në Shqipëri.

“Me fitimet e vitit të parë u shpërngula në rrethinat e Shkodrës, në mënyrë që fëmijët të shkolloheshin rregullisht. Katër vitet e tjera, kam fituar, por edhe kam dalë i humbur nga aksionet e policisë,” thotë ai.

Pas daljes nga burgu, 41 vjeçari i ka gjetur parcelat e hapura prej tij të zëna nga të tjerët, ndërsa sezoni kishte kaluar. Megjithatë, rreziku i një dënimi më të madh nuk e ka trembur të heqë dorë nga kjo punë.

“Duhet nisur gjithçka nga e para. Që nga gjetja e tokës dhe shpyllëzimi i saj, e kjo bëhet në vjeshtë,” thotë ai.

“Këtë vit është e sigurtë që mbeta jashtë. Vitin tjetër të shohim,” përfundon kultivuesi i hashashit.

Kliko per me shume info
SHARE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here