"Drenica", Lushtaku letër nga burgu: Më tregoni cilin kam vrarë

Kosovë&Rajon

sami-lushtakuKryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, i cili disa ditë më parë u dënua me 12 vjet burgim për një vrasje gjatë luftës, ka shkruar një letër nga burgu, me të cilën i ka bërë një pyetje publike panelit të gjyqtarëve që e dënuan: Kë kam vrarë?

Ai ka akuzuar edhe bashkëpartiakët e tij, për dëmtim të imazhit. Letrën e Lushtakut e ka shpërndarë djali i tij, Mërgimi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ndër të tjera, Lushtaku ka shkruar se, po të ishte e vërtetë që ka vrarë një civil të paarmatosur, atëherë dënimi prej 12 vitesh që i kanë dhënë është tepër i vogël.

“Ky, përveç se është një krim i përcaktuar në ligjet në fuqi të Kosovës, është edhe kundër të drejtës sonë zakonore; nuk vritet njeriu i dorëzuar. Njeriu i dorëzuar, përkundrazi duhet të mbrohet”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se, i ka përcjellë të gjitha reagimet pas gjykimit të tij, por ka bërë të ditur se këtë betejë do ta fitojë në gjykatë, e jo në rrugë.

“Kjo nuk duket të jetë aspak punë e lehtë. Sidomos kur përballësh me procese gjyqësore të çuditshme për sistemet bashkëkohore të drejtësisë. Kur je i detyruar të mbrohesh për vrasje të panjohura, siç ishte rasti im. Kur detyrohesh të argumentosh se nuk ke vrarë një civil, të cilin askush nuk e njeh se kush është. Kur askush nuk e njeh familjen e tij. Kur askush nuk e kërkon, sepse ai nuk ekziston”, shkruan Lushtaku.

Ish-gjenerali i UÇK-së ka shpjeguar se, gjatë luftës ndodhin krime të ndryshme, pasi - sipas tij, - nuk janë poetët, të parët që rrëmbejnë armët.

“Dua të them se, në radhët e formacioneve ushtarake, të natyrës siç ishte UÇK, disiplina ushtarake nuk ishte pika më e fortë. Pika më e fortë ishte vullneti, për të luftuar kundër një ushtrie shumë brutale, shumë më të madhe në numër, siç ishte ajo e Serbisë, në krye të së cilës ishte Sllobodan Millosheviç, i njohur nga bota si ‘Kasapi i Ballkanit’”.

Për etiketimet e tij dhe njerëzve të tjerë të fuqishëm të UÇK-së, që pas lufte kanë qeverisur vendin, Lushtaku ka fajësuar edhe bashkëpartiakët e tij nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Një kontribut të madh kundër nesh e kanë dhënë edhe bashkëpartiakët, si ministrat edhe zëvendësministrat. Lobimi i tyre intensiv kundër nesh nëpër Ambasada dhe në EULEX, për një kohë të gjatë i ka dhënë frytet e duhura, ose të pritura prej tyre. Në këtë mënyrë, reputacioni ynë publik është rrënuar ditë pas dite, javë pas jave, e vit pas viti. Ne nuk kemi qenë aq të sofistikuar, sa të kuptojmë këtë lojë të ndyrë”, ka shkruar Lushtaku.

Sipas Lushtakut, të gjitha vjedhjet, keqpërdorimet, abuzimet, tenderët etj., të realizuara me mjeshtëri nga eksponentë të PDK-së, i janë faturuar “grupit të Drenicës”.

Lushtaku, në fund të letrës, i ka ftuar zyrtarët e partisë së tij, që të mos abuzojnë me emrin e tij, duke thënë se Lushtaku është pengesë për votimin ose jo të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i hapin rrugë aprovimit të ligjit për Gjykatën Speciale.

“Publikisht i lus të gjithë, posaçërisht deputetët dhe zyrtarët e PDK-së, që të mos manipulojnë me emrin tim. Nëse do t’i votojnë ose jo këto ndryshime, nëse do ta miratojnë ose jo këtë ligj, kjo është një çështje ekskluzive e tyre. Ata duhet të vendosin sipas bindjes së tyre të lirë. Nuk dëshiroj ta lidh kurrsesi, rastin tim me një rast tjetër. Përfundimisht, unë personalisht nuk kam qëndrim për themelimin e kësaj gjykate. Prej dy vitesh po merrem me çështjen time. Me gjykatën le të merren ata, që kanë marrë votat e qytetarëve”, ka shkruar Lushtaku.tch

ME TE LEXUARAT